
Gara, risi, adrenalinë dhe dy muaj të dedikuar plotësisht sigurisë rrugore, ndihmës së shpejtë dhe edukimit të gjeneratave të ardhshme për një të ardhme ku të ketë sa më pak aksidente dhe jetë të humbura në rrugë. Klubi i Automobilit të Shqipërisë vazhdon të sjellë risi për sa i përket garave sportive ku fituesit më pas marrin pjesë në kompeticionet ndërkombëtare të organizuara nga FIA.
Në mesin e muajit gusht, ACA organizoi për herë të parë në Shqipëri garën “ACA Karting Slalom 2019”. Një kompeticion i dedikuar plotësisht për të rinjtë duke u dhënë mundësinë që të afrohen me motor sportin. Djem dhe vajza 14-16 vjeç morën pjesë në këtë garë ku dy fituesit, Alexia Karaguni për femra dhe Kristofor Mjeshtri për meshkuj do të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Ndërkombëtar “FIA Motorsport Games” që zhvillon edicionin e tij të parë këtë vit më 31 tetor deri më 3 nëntor në Romë. FIA është e angazhuar gjatë të gjithë kohës për të sjellë risi dhe gara ndërkombëtare duke mundësuar gjithë përfshirjen, nga pilotët profesionistë, te të rinjtë apo afrimin sa më shumë të femrave pranë motor sportit. Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit publikoi pak muaj më parë rregulloren për “FIA Motorsport Games” që në edicionin e parë të tij do të zhvillojë gara në gjashtë disiplina: GT, Touring Car, Formula 4, Drifting, Karting Slalom dhe Digital Motorsport. E veçanta e këtij eventi është se pjesëmarrësit do të garojnë aty për të përfaqësuar shtetet e tyre. Për fituesit e çdo disipline do të jepet medalje ari, argjendi dhe bronzi, të cilat më pas do të mblidhen për të krijuar një tabelë të përgjithshme medaljesh për të nxjerrë shtetin fitues. Klubi i Automobilit të Shqipërisë që është anëtar me të drejta të plota i FIA-s, do ti japë mundësinë dy pilotëve që të përfaqësojnë flamurin kuqezi në këtë aktivitet.
Për të 6-in vit me radhë, ACA organizon garën “Trofeu Skënderbej”, e vlefshme për kampionatin “Hill Climb” të Zonës së Evropës Qendrore(CEZ-FIA) dhe e regjistruar nga FIA. Një garë që i kushtohet plotësisht adrenalinës, spektaklit dhe emocioneve të forta ku të pasionuarit pas shpejtësisë gjejnë veten. Me pjesëmarrjen në rritje vit pas viti, edhe këtë edicion interesi ka qenë i madh. Pilotë shqiptarë, nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina dhe Kroacia do të garojnë për të fituar një garë që është kthyer në traditë dhe shumë tërheqëse në vendin tonë.
Pas garave dhe adrenalinës, është radha e edukimit, sigurisë dhe fushatave sensibilizuese për të ndihmuar në reduktimin sa më shumë të aksidenteve rrugore dhe dëmtimet apo jetët e humbura në to. Finalja e Konkursit Evropian për Edukimin në Trafik(ETEC) që do të zhvillohet më 12-15 shtator në Gjenevë është vetëm fillimi i një fushate 2-mujore që i kushtohet sigurisë rrugore dhe edukimit. ETEC është krijuar 33 vite më parë dhe synon të nxisë edukimin në trafik në çdo shtet dhe në këtë mënyrë të reduktojë rrezikun e përfshirjes në aksident të fëmijëve që ngasin biçikletat e tyre. Shqipëria përfaqësohet nga dy djem dhe dy vajza të moshës 10-12 vjeç në këtë konkurs edukativ. Pas një rrugëtimi të gjatë në 11 qytetet të vendit tonë me pjesëmarrjen e 104 shkollash publike dhe jo-publike dhe të 1720 fëmijëve, shkolla 9-vjeçare “Pjetër Budi” në Tiranë u shpall fituese. Dy nxënëset, Mikea Bilushi e Sara Hudhri si edhe Fabio Kola e Arelt Çeço me trajner Arian Shehu do të marrin pjesë në finale.
Gjatë shtatorit është Dita Ndërkombëtare e Ndihmës së Shpejtë, Dita pa Makina si edhe Dita e Turizmit. Edhe tetori i kushtohet gjithashtu fushatave sensibilizuese ku siguria në rrugë është kryesorja. ACA si pjesë e FIA-s është e angazhuar maksimalisht me fushatat e saj në Shqipëri për edukimin e brezave të ardhshëm dhe sensibilizimin për të dhënë ndihmesë në uljen e aksidenteve. Auto Club Albania është gjithmonë aty duke menduar për gjithçka, nga argëtimi te siguria në rrugë. Misioni vazhdon…