Për Brand Finance që është shoqëria lider në botë për sa i përket vlerësimit ekonomik të markave, Ferrari është në krye me një vlerë prej 9,1 miliardë dollarësh dhe me një rritje prej 9%
Ferrari mbetet në krye të listës. Në pritje të nisjes së kampionatit Formula 1 2020 në 15 mars në Australi, “kokëkuqja” fiton një çmim prestigji. Sipas Brand Finance, shoqërisë së pavaruar lider në botë për sa i përket vlerësimit ekonomik të markave, Ferrari është marka më e fortë në botë për të dytin vit radhazi.
Në rritje
Me një Indeks të Forcës së Markave (BSI) prej 94,1 nga 100, Ferrari pozicionohet në krye së bashku me vetëm 12 marka të tjera që kanë arritur të marrin vlerësimin maksimal AAA+. Raporti i Brand Finance Global 500 20201 të prezantuar në Davos gjatë Forumit Ekonomik Botëror, llogarit një vlerë prej 9,1 miliardë dollarësh të markës Ferrari, një rritje prej 9%, kjo falë shitjeve që kanë shkuar mirë dhe forcës së përgjithshme të markës. Në pritje të fitoreve në pistë, në Maranello kanë tashmë një motiv për të buzëqeshur.
Prezantimi
Ndërkaq, skuadra e kuqe është plotësisht gati për kampionatin Formula 1 për këtë vit që do të nisë në mesin e muajit mars. Dhe për një ditë, zemra e Ferrarit nuk do të punojë në Maranello në Modena, por në Reggio Emilia. Do të jetë Teatri historik “Romolo Valli” në atë qytet që të martën e 11 shkurtit, do të presë lançimin e makinës 1-vendëshe të Ferrarit që do të garojë në sezonin 2020 të Formula 1. Gjithçka do të nisë në orën 18:30, ndërsa përveç atyre që do të jenë në sallë, tifozët do të kenë mundësi ta ndjekin eventin “live” në rrjetet sociale të skuadrës së kuqe në Facebook, Instagram dhe Twitter. Ferrari që është skuadra e vetme pjesëmarrëse e përhershme në Formula 1, ka zgjedhur Reggio Emilia-n, pasi është qyteti ku 223 vite më parë lindi simboli 3-ngjyrësh që më pas u shndërrua në flamurin e Italisë pas bashkimit. Në këtë mënyrë, Teatri Valli është vendi ideal për të zbuluar makinën e re kokëkuqe.