Mbërritëm në numrin e fundit të revistës “AutoClub” për këtë vit dhe në të tilla raste është e nevojshme për të bërë një bilanc të Klubit të Automobilit të Shqipërisë. E krijuar në 2007-ën, Automobile Club Albania po rritet dhe po shtrihet ndjeshëm në shumë segmente të sektorit të automobilizmit duke dhënë kontributin e vet në zhvillimin e kësaj fushe në vendin tonë.
Siguria rrugore është një prej shtyllave kryesore të FIA-s, dhe ACA-s si anëtare me të drejta të plota e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, është e angazhuar për të vënë në zbatim në Shqipëri, projektet, fushatat dhe konkurset që kanë si qëllim kryesor edukimin e fëmijëve, të rinjve, drejtuesve të mjeteve apo të gjithë përdoruesve të tjerë të rrugës në lidhje me rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit për të shpëtuar sa më shumë jetë në aksidentet rrugore.
ACA organizoi edicionin e 9-të të Konkursit Kombëtar “Të Sigurt mbi Dy Rrota”. Një kompeticion që ka në qendër të tij edukimin e fëmijëve me rregullat e qarkullimit rrugor me synim uljen sa më shumë të rrezikut të përfshirjes në aksidente me biçikletat e tyre. Ky konkurs nisi në 2011-ën me vetëm 5 shkolla dhe 20 fëmijë pjesëmarrës në Tiranë, ndërsa në edicionin e këtij viti u zhvillua në 11 qytete (Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan, Fier, Shkodër, Korçë, Pogradec, Berat, Lushnjë, Lezhë) me një pjesëmarrje masive prej 104 shkollash 9-vjeçare publike dhe jo-publike dhe të 1720 fëmijëve të moshës 10-12 vjeç. Katër nxënësit e shollës 9-vjeçare publike “Pjetër Budi” në Tiranë, Mikea Bilushi, Sara Hudhri, Fabio Kola dhe Arelt Çeço të udhëhequr nga trajneri Arian Shehu morën pjesë në finalen e Konkursit Evropian “European Traffic Education Contest (ETEC 2019), i cili këtë vit u zhvillua në Gjenevë të Zvicrës në datat 12-15 Shtator 2019.
Gjatë muajit shtator dhe tetor, Automobile Club Albania u bë pjesë aktive e Fushatës Ndërkombëtare të FIA Region I, “2 sekonda”. Nëpërmjet videove dhe posterave sensibilizuese të shpërndara në faqen zyrtare të Klubit, aca.al dhe rrjetet sociale “Facebook”, “Instagram” dhe “Twitter”, u bëmë pjesë e një nisme që synon të sensibilizojë drejtuesit e mjeteve për rëndësinë që ka përqendrimi maksimal kur je në timon. “Mjaftojnë vetëm 2 sekonda për të shkatërruar gjithçka”. Ky ishte slogani i fushatës që u pasqyrua edhe nga ACA në kanalet e saj zyrtare. Përfshirja e Klubit të Automobilit të Shqipërisë u përshëndet edhe nga FIA Region I si nismëtare e fushatës.
Aspekti sportiv është një angazhim tjetër i ACA-s. Risia e këtij viti ishte organizimi për herë të parë i Karting Slalom. Me pjesëmarrjen e të rinjve 14-16 vjeç, të cilët drejtojnë kartin me shpejtësi të reduktuar mes disa pengesave të ndryshme të krijuara me piketa, synohet përfshirja e sa më shumë adoleshentëve në motor sport. Në edicionin e parë të ACA Karting Slalom morën pjesë 24 garues, 19 djem dhe 5 vajza. Dy fituesit, Alexia Karaguni për femra dhe Kristofor Mjeshtri për djem përfaqësuan Shqipërinë në Kampionatin Ndërkombëtar “FIA Motorsport Games” që zhvilloi edicionin e parë të tij këtë vit më 1-3 nëntor në Romë.
Edicioni i 2-të i Kampionatit Kombëtar Go-Kart 2019 ishte një tjetër organizim shumë i suksesshëm i Auto Club Albania. Në pistën e Expocity u zhvilluan gjashtë gara dhe morën pjesë rreth 40 pilotë, ndërsa është shtuar numri i pjesëmarrësve në kategorinë U-16, të femrave dhe të fëmijëve. Një kompeticion që ka prodhuar shumë emocione dhe spektakël. Tashmë, gjithçka konceptohet si një fundjavë familjare ku pilotët mbështeten nga të afërmit e tyre në pistë.
Hill Climb “Trofeu Skënderbej” u zhvillua për herë të 6-të. Një garë e regjistrua në FIA dhe e vlefshme për Kampionatin Evropian “Hill Climb CEZ-FIA”, ajo është kthyer tashmë në një prej eventeve më tërheqëse për pilotët. Me pjesëmarrjen e 25 pilotëve në kategorinë Pro dhe 13 në kategorinë Promo, eventi dhuroi emocione, spektakël dhe adrenalinë për ata që e ndoqën nga afër.
Dhe viti nuk mund të mbyllej më bukur, përveçse me organizimin në vendin tonë të “FIA CEZ Congress” në Tiranë në datat 12-14 dhjetor. Klubi i Automobilit të Shqipërisë do të jetë mikpritës i Kongresit Vjetor Sportiv të klubeve anëtare të FIA-s që janë pjesë e Central European Zone. Klubet anëtare dhe përfaqësuesit e tyre mblidhen për të diskutuar në lidhje me programet, projektet dhe ndryshimet që mund të bëhen për sa i përket garave të ndryshme. Trajnime, takime, forum dhe në fund një ceremoni për ndarjen e çmimeve të vitit janë disa prej detajeve të Kongresit që do të zgjasë 3 ditë.
Në fund mund të themi se ishte një vit i suksesshëm, ndërsa në 2020-ën na presin sfida të tjera ku do të ketë më shumë aktivitete, angazhime dhe risi në të dyja drejtimet, sensibilizimin dhe sigurinë rrugore, dhe garat sportive nga ana tjetër. Na ndiqni…