Si e kanë nisur karrierën pilotët që po lënë gjurmë në garat e motor sportit. Një rubrikë e re në revistë që do të përcjellë përshkrime pikante të pasionuarve pas shpejtësisë
Një pasion i lindur, dëshirë për të ndjerë adrenalinën dhe sfida ndaj rrezikut. Emocione që përjetohen në pistë aty ku sekondat kanë shumë rëndësi. Duke nisur nga ky numër, revista “AutoClub” në bashkëpunim me “Illyrius Motorsport” do të sjellë historitë personale të pilotëve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës që i kanë kushtuar një pjesë të jetës garave të motor sportit dhe emocionit që të falin ato. Histori të shkurtra nga ato që lexohen me një frymë ashtu siç janë edhe vet pilotët, me gazin në fund. E nisim me katër emrat e parë, Indri Hoxha, Flamur Ismajli, Shkëlzen Lajçi dhe Drini Shkreta për të treguar historitë e tyre se si kanë nisur angazhimin në gara dhe momentet më të veçanta që kanë përshkruar deri tani. Në numrat e ardhshëm të revistës do të vazhdojmë me publikimin e historive të personazheve të tjerë.
SHKËLZEN LAJÇI
Për herë të parë merr pjesë në një garë automobilistike në Gjakovë në vitin 1999 ku ishte vetëm 17 vjeç, pa patentë, dhe e fiton atë me Opel GSi. Një fillim i mbarë e bën Lajçin kampion absolut në vitin 2000 në Kosovë kur ishte vetëm 18 vjeç. Në vitin 2001, 2005 dhe 2006 kampion në kategorinë H-1600 si dhe fitues i një gare ndërkombëtare të FIA-CEZ në Maqedoni. Në vitin 2008 dhe 2009 kampion në kampionatin malazez. Ndërsa, në 2012-ën dhe 2013-ën shpallet kampion i Kosovës në kategorinë N-2000. Por, suksesi nuk ndalet për Lajçin. Në vitin 2015 ai merr pjesë në garën legjendare të Lovcenit dhe e fiton atë me Mitsubishi EVO IX. Shkëlzen Lajçi ka vendosur rekorde në garat në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Bosnjë ku edhe sot vazhdojnë të jenë rekorde në fuqi. Shkëlzen Lajçi është një nga pilotët më të suksesshëm në Kosovë dhe Shqipëri, por jo vetëm. Edhe në Evropë ka ngritur me krenari në podium flamurin shqiptar.
DRINI SHKRETA
Këtë herë dalim pak nga rruga për të shkuar në Rally Albania, ku do të flasim për një nga pilotët më të vjetër të “Off-Road”. Për Drinin pasioni lindi në vitin 2002 për të garuar për herë të parë në vitin 2007 në Rally Albania. Në vitin 2012 zë vendin e 3-të në Rally. Për tre vite rresht 2013, 2014 dhe 2016 ai renditet i 2-ti. Në vitin 2017 renditet i pari dhe një vit më pas zë vendin e 3-të në Rally Albania. Gjithashtu, Drini ka zënë vende të para dhe të dyta në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni. Drini Shkreta ka lënë gjurmë në historinë e automobilizmit shqiptar duke mos u ndalur kurrë së garuari e duke përfunduar gjithnjë në podiume.
FLAMUR ISMAJLI
Sot i njohur nga të gjithë për sukseset e tij me Audi-n, nisi të garojë për herë të parë në vitin 2009 në disiplinën Drag dhe që prej atëherë nuk u shkëput më prej motor sportit duke korrur vetëm sukses. Shumë shpejt përfshihet edhe në garat malore dhe rrethore me Audi RS4 duke përfunduar në podium në shumicën e garave. Sot, ai po vazhdon të garojë me Audi S2 4.2 me rreth 800 kuaj fuqi në Drag dhe vitin që vjen mund të rikthehet sërish në disiplinën malore dhe rrethore, pse jo me më tepër fitore. Flamuri, si pak të tjerë, mbështet të gjithë dashamirësit e sportit, pasi ai nuk e sheh sportin me një sy fitimprurës, pasi nuk ka fitim më të madh se emocionet që vijnë prej saj.
INDRI HOXHA Për Indrin çdo gjë filloi që në fëmijëri ku shfaq pasionin për makinat. Në moshën 10-vjeçare ai ulet për herë të parë në sediljen e një Go-Karti. Ai rikthehet sërish në vitin 2012 duke filluar të garojë me Go-Kart. Dy muaj më vonë merr pjesë në “RedBull Kart Fight” dhe falë talentit dhe përgatitjes arrin të shkojë deri ne finale mes garuesve më me eksperiencë në Shqipëri. Gjatë Kampionatit Kombëtar 2015 ai dominon me 8 gara të fituara 10, por si pasojë e problemeve teknike pozicionohet i 3-ti në renditjen e përgjithshme. Në vitin 2017 përfundon i 2-ti në kampionatin e “Mëli Playzone” të organizuar në Pogradec. Në vitin 2018 fiton vetëm një garë nga gjashtë garat e Kampionatit Kombëtar Go-Kart 2018 dhe e mbyll në vendin e 4. I karakterizuar gjithmonë nga shpirti i garës, është e sigurt që Indri do ngelet një nga garuesit më të vështirë për t’u mundur në eventet e ardhshme të motor sportit.