Meshkuj, femra dhe fëmijë në një kompeticion ku gazi shkelet deri në fund. Ja fituesit e garës së parë dhe çfarë pritet në vazhdim
Gazi në fund, adrenalina që rritet, përqendrimi maksimal përpara çdo kthese dhe sigurisht dëshira për të fituar. Pas një kampionati të suksesshëm vitin e kaluar, rikthehet sërish Kampionati Kombëtar Go-Kart 2019. Gjithçka nisi me garën e parë në datën 2 qershor dhe do të vazhdojë me të tjerat gjatë muajve në vazhdim. Një kampionat i konceptuar pwr tu zhvilluar në tre kategori, për meshkuj, femra dhe fëmijë dhe po tërheq shumë garues dhe dashamirës.
Klubi i Automobilit Shqiptar krijon kushtet e përshtatshme në pistën e kartingut në ambientet e Expocity Albania për zhvillimin normal të garave. Gjatë vitit të kaluar u zhvilluan gjashtë gara dhe morën pjesë rreth 50 garues. Ndërsa, pritet që gjatë kampionatit të këtij viti, numri i pjesëmarrësve të rritet.
Kompeticioni nisi në fillim të qershorit me garën e parë ku morën pjesë 13 pilotë në kategorinë meshkuj. Fillimisht, garuesit nisën përballjen në kualifikueset ku Indri Hoxha dhe Kristi Dilo rivalizuan fort me njëri-tjetrin. Një garë që nisi shumë interesante dhe tërheqëse që në fillim. Me kalimin e xhirove rriten edhe emocionet, ndërsa në një moment ka edhe një incident mes pilotëve. Një moment që u shqyrtua me shumë kujdes nga drejtuesit e garës që morën vendimin duke u konsultuar edhe me pamjet filmike. Në fund ishte Indri Hoxha që u rendit i pari, ndërsa pas tij u ngjitën në podium edhe Kristi Dilo dhe Arbër Demeti. Julian Sami nuk arriti që ta përfundonte garën, ndërsa Klajdi Kodra u s’kualifikua.
Në javët dhe muajt në vazhdim do të zhvillohen edhe garat e tjera ku përveç kategorisë meshkuj, do të organizohen gara edhe për kategorinë femra dhe fëmijë. ACA, e cila është anëtare me të drejta të plota e FIA-s, prej dy vitesh po u jep mundësinë të pasionuarve pas karteve që të marrin pjesë në një kampionat të rregullt zyrtar që organizohet nga Klubi i Automobilit Shqiptar. Një mundësi shumë e mirë për të rinjtë dhe fëmijët e pasionuar pas karteve. Kampionati sapo ka nisur dhe premtohet spektakël dhe shumë emocione deri në fund. Shampanja është gati…