Ka mbërritur një kandidate e re, BMW X7, e cila do të përpiqet të rrëzojë nga froni madhërinë e saj Range, për sa i përket luksit dhe gomave të larta. Do të jetë e vështirë, por marka gjermane zotëron zhdërvjelltësi. Dhe shumë teknologji!
Mbretëresha sfidohet. Është ajo që krijoi modelet e luksit Suv në vitet 1970 dhe që deri në ditët e sotme konsiderohet si pika e referimit: sigurisht që e kemi fjalën për Range Rover-in. Ndër vite, shumë janë përpjekur ta rrëzojnë nga majat e hierarkisë (në fakt, ekziston edhe një nivel më i lartë, ai ekstra-luksozi, ku bëjnë pjesë Bentley Bentayga, Lamborghini Urus dhe Rolls-Royce Cullinan), por gjithsesi nuk është e lehtë të zbehësh joshjen e Range-it. Tashmë ka ardhur një pretendente e re: ajo vjen nga Mynihu, quhet X7 dhe është modeli më i shitur i markës BMW. Kartat e saj në lojë janë të forta: përmasat “amerikane” (5,15 metra gjatësia), cilësia e pjesës së brendshme dhe shkathtësia e rafinuar. Megjithatë, filozofia e dy modeleve është e ndryshme: Range Rover i tanishëm, i lindur në fund të 2012-ës dhe i rinovuar verën e kaluar (për sa i përket motorit 3.0 diesel dhe sistemit të asistencës gjatë ngarjes), e ka vendin e drejtuesit mjaft të kompletuar, me shumë opsione të personalizueshme, dhe një brendësi me kushte të larta për akomodimin e pesë vetave; ose të katër vetave, me dy vende të bollshme në pjesën e pasme (zgjidhje standarde në SVAutobiography). Gjithashtu është një manipuluese e shkëlqyer e rrugëve, e aftë për ta kënaqur jashtëzakonisht drejtuesin gjatë rrugëve të pashtruara (falë konfigurimeve specifike të ngarjes dhe përshtatjes së shasisë). Gama e saj është mjaft komplekse dhe përfshin edhe versionin me hap të gjatë të rrotave, versionin sportiv dhe modelin me tri dyer (SV Coupé), tiparet e së cilit imitojnë gjeneratën e parë.
Nga ana tjetër, X7 propozon një “paketë” unike, me tre rreshta sediljesh. Stili është i pazakontë për BMW-në: në pjesën e përparme shtrihet grila e madhe e dyfishtë, ndërsa anash vihet re dera e pasme më e zgjatuar, për të lehtësuar aksesin në rreshtin e tretë të sediljeve. Makina ka shtatë sedilje standarde, por me kërkesë, mund të mundësohen dy sedilje qendrore Komfort. Rreshti i parë dhe i dytë janë të pajisur me komanda elektrike, ndërsa i treti mund të akomodojë persona të gjatësisë mesatare dhe të përshtasë temperaturën sipas opsioneve. Në pjesën fundore kemi derën e motorizuar: kapaciteti varion nga 326 në 2.120 litra (i Range-it nga 900 në 1.943 litra). Baza teknike është platforma e modifikuar Clar, me suspensione pneumatike standard, traksion integral xDrive, dhe me kërkesë, manovrimi me katër rrota dhe paketa xOffRoad. Shkurt pra, edhe X7-a, mund t’ia dalë mbanë mjaft mirë në rrugët pa asfalt, falë lartësisë së madhe nga toka, e cila mund të variojë nga 22 në 26 cm (tek Range nga 22 deri në pothuajse 30 cm).
Lançimi i këtij modeli nga marka gjermane pritet të bëhet në mars 2019, me një çmim që fillon nga 92.900 euro. Noblesse oblige për Roverin, çmimi i së cilit fillon nga 106.700 euro.
IKONA
Gjenerata e katërt e një legjende të paprekshme që prej debutimit të saj në vitin 1970: Range Rover paraqet SUV-in e shkëlqyer, pjesë e serisë ekskluzive të çmimit mbi 100 mijë euro. Seria aktuale, e prezantuar në vitin 2013, është rinovuar disa herë
RIVALJA
Me X7-ën, fillimisht të destinuar për tregjet amerikane dhe kineze, BMW provon për herë të parë SUV-et e luksit, ku përveç Range-it, përfshihen edhe modele si Mercedes GLS, me pritshmëri krejt të reja për vitin 2019
SI NË AVION
Vendi i drejtuesit (sipër, në versionin për tregjet angleze) dhe kabina e Range Rover-it janë të rafinuara dhe mund të personalizohen sipas dëshirës. Në të djathtë, paraqitet konfigurimi i përshtatjes së pozicionit të ndenjëseve të SVAutobiography, ku pasagjerët mund të çlodhen duke përfituar nga çdo mundësi komforti, përfshirë edhe mbështetësen e këmbëve: tamam si në first class
TRE RRESHTA
Tek modeli X7, vendi i drejtuesit është mjaft i bollshëm. Ofrohen opsione të personalizueshme tek kroskoti (sipër), paneli qendror dhe pjesët anësore. Anash, janë paraqitur bagazhi dhe dera e pasme e motorizuar (mund të ulet lartësia për të lehtësuar vendosjen e ngarkesës); në të majtë, paraqitet çatia panoramike e makinës, e cila është standarde, ndërsa opsioni Panorama sky lounge është i disponueshëm nëse bëhet një kërkesë e posaçme dhe imazhi realizohet me anë të një efekti të veçantë me drita LED