AutoClub

Formula 1, Botërori nën shenjën e Hamilton: momentet kyçe të sezonit 2018

Nga gara e Melbourne në Çmimin e Madh vendimtar të Mexico City, e deri në garën e fundit në Abu Dhabi, gjithë sa duhet ditur rreth një sezoni që Ferrari dukej se e kishte në dorë, por që u kthye në duart e Mercedes duke i dhënë titullin e 5-të pilotit britanik Lewis Hamilton

Një sezon me dy “fytyra”, që përfundoi me triumfin e pilotit britanik të Mercedes, Lewis Hamilton. Ferrari është gati të lërë pas krahëve këtë kampionat, me keqardhjen se dështoi në kthimin e suksesit në Formula 1, pas një faze të parë plot me suksese, e në përgjithësi me një performancë të shkëlqyer deri në gjysmën e sezonit. Pas garës së Monza-s, megjithatë, çdo gjë ndryshoi: gabimet e pilotit gjerman, Sebastian Vettel dhe kokëkuqes, si dhe një Mercedes i rishfaqur si prej çeliku, i hapën rrugën një piloti si Hamilton gjithmonë e më të përqendruar, të pagabueshëm, të fuqishëm, falë lojës së përsosur të skuadrës dhe shpirtit të sakrificës së shokut Valtteri Bottas. Këtu do të kalojmë fazat më të spikatura që çuan në fitimin e titullit të pestë kampion të Hamilton-it.

AUSTRALI+BAHREIN = KOKËKUQJA BËN STARTIN PERFEKT

Sebastian Vettel fitoi dy garat e para. Në Australi, më 25 mars, ishim dëshmitarë të një kryevepre strategjike gjatë regjimit të makinës virtuale të sigurisë, me Ferrari-n e gjermanit që i mori vendin Hamilton-it, duke fituar garën e parë të sezonit 2018. Lewis, “i thyer” në finale, arriti i dyti, ndërsa në vend të tretë u rendit Kimi Raikkonen. Në 8 prill, gjermani përsëriti të njëjtën gjë në Bahrein: ai u nis nga vendi i parë dhe rezistoi ndaj sulmeve të Bottas. I treti u rendit Hamilton.

KINË, RED BULL RIKTHEHET TEK FITORJA

Ai i 15 prillit ishte një version i vërtetë i Shangait, i cili u zhbllokua vetëm në fund, duke revolucionarizuar atë që dukej si një skenar i shkruar në gjysmë të garës. Në fillim makina e sigurisë, që e ndau në mes garën, për shkak të një kontakti midis dy makinave Toro Rosso e më pas shfaqja si protagonist i Red Bull, për mirë apo për keq: në njërën anë Daniel Ricciardo që eci përpara me një seri parakalimesh mahnitëse duke fituar garën, dhe nga ana tjetër Max Verstappen, i cili i ra makinës së Sebastian Vettel, duke i shkatërruar atij garën. Gjermani e mbylli madje i teti. Vendi i dytë i takoi Mercedesit të Bottas, i treti Ferrarit të Raikkonen.

BAKU, GABIMI I PARЁ I SEBASTIAN VETTEL

Garë e pabesueshme në Azerbajxhan në 29 prill. Nisje kaotike dhe finale e çmendur, e kushtëzuar nga makina e sigurisë. Hamilton kryesoi xhirot e fundit pas problemit të Bottas. I dyti Raikkonen, i treti Perez me Force India dhe Vettel i katërti. Gjermani, i cili e udhëhoqi gjatë garën, në finale dështoi në parakalim për të kapur kryesimin. Dy makinat Red Bull u përplasën duke eliminuar njëra-tjetrën.

FRANCË, KONTAKT MES BOTTAS DHE VETTEL

Në Le Castellet, në 24 qershor, garën e dominoi Hamilton, i cili u kthye në krye të klasifikimit të Botërorit: 145 pikë, 14 më shumë se Vettel. Nisja filloi me kaosin e shkaktuar nga kontakti midis Bottas dhe Vettel: çarje gomash për finlandezin, krahë i zëvendësuar për Ferrarin. Gjermani nga vendi i shtatëmbëdhjetë arrin në vendin e pestë, ndërsa shoku i skuderisë Raikkonen, arriti në podium. Red Bull: i dyti Verstappen, i katërti Ricciardo.

AUSTRI, HAMILTON JASHTЁ. VETTEL RIKTHEHET I PARI

Shumë emocionuese garë e nëntë e sezonit. Në Zeltweg, në 1 korrik, Verstappen triumfoi me Red Bull, me pas u renditën dy makinat Ferrari, me Raikkonen dhe Vettel. Të dy makinat Mercedes u ndalën për shkak të problemeve të motorit, në një të diel pak a shumë katastrofike. Jashtë edhe Ricciardo dhe Hulkenberg. Vettel rikthehet në krye të Kampionatit Botëror me një pikë më shumë se Hamilton. Në këtë moment, kokëkuqja renditet gjithashtu përpara edhe në klasifikimin e Konstruktorëve.

GJERMANI, VETTEL PËRPLASET “NË SHTËPI”

Për Ferrarin dukej se çdo gjë shkonte mirë, kur në kualifikuese Hamilton kaloi mbi ndarëse duke  dëmtuar makinën e duke zëvendësuar më pas kambion. Britaniku u nis i katërmbëdhjeti. Por një ditë më pas – në 22 korrik – shpaloset një tjetër histori e pabesueshme. Vettel përplaset me murin, në momentin kur Ferrari ishte në krye, në xhiron e 52-të. Hamilton e gjen veten në krye pas një gare të jashtëzakonshme. Bottas i dyti, më pas Raikkonen, i cili me podiumin e tij, i shpëton “jetën” Ferrarit. Ndryshon sërish renditja e Kampionatit Botëror: britaniku i Mercedesit rikthehet i pari, me 17 pikë më shumë se gjermani i Ferrarit.

HUNGARI, POLE POSITION VENDIMTAR. HAMILTON ARRIN NЁ +24

Ferrari duket si i favorizuar, por në Q3 shiu ndihmoi Hamilton, që merr pole position. Në 29 korrik, britaniku fiton në Hungaroring dhe merr suksesin e 67-të të karrierës së tij. Ferrari arrin në podium me Vettel dhe Raikkonen. Gjermani ia kalon në finale finlandezit Bottas dhe kufizon dëmet në renditje, duke e lënë Botërorin të hapur: në këtë pikë të sezonit, ka 24 pikë diferencë midis dy të parëve.

BELGJIKЁ, RIKTHEHET TEK FITORJA VETTEL!

Tjetër shi vere dhe një tjetër pole position për Hamilton, kësaj radhe në Belgjikë. Por gara e 26 gushtit, ofroi një skenar shumë të ndryshëm nga Hungaria: Vettel parakalon në xhiron e parë dhe më pas kontrollon pjesën tjetër të garës, duke përfunduar përpara Lewis Hamilton dhe duke e ngushtuar në -17 diferencën. Vendi i tretë për Verstappen dhe i katërti për Bottas. Aksident i frikshëm në fillim të garës mes Hulkenberg, Alonso dhe Leclerc.

ITALI, LEKSION I HAMILTON

Gjithçka dukej e përsosur për Ferrarin. Pole position i Kimi Raikkonen, dhe entuziazëm i çmendur i tifozëve. Por ama në 2 shtator, fitoi Lewis Hamilton. Në Ferrin e Kuq, britaniku i Mercedes, kaloi i pari vijën e finishit, në një garë ku çdo gjë ishte vendosur që në fillim, me kontaktin mes Lewis dhe Sebastian Vettel. Në fillim një “ledhatim”, menjëherë më pas, një zhurmë më e fortë që e çoi në rrotullim gjermanin. Aksident i thjeshtë gare, do të thoshin menjëherë më pas drejtuesit e saj. Vettel renditet i katërti duke bërë që hendeku në renditje të bëhet 30 pikë në favor të pilotit të britanikut.

SINGAPOR, GABON FERRARI

Gabimi i strategjisë së skuderisë Ferrari, në pjesën e dytë, sistemi ultrasoft nuk funksionoi. Prandaj, në Marina Bay, strategjia e Vettel nuk funksionoi. Gjermani ishte autor i një nisje inkurajuese me një parakalim ndaj Verstappen, për të marrë vendin e dytë, por më pas ai humbi, kur doli nga pit stopi. Që këtu, gjermani pëson rënie. Ai arriti në podium, por fundjava ishte shumë e hidhur, teksa Hamilton triumfoi sërish. Vettel në këtë pikë të kampionatit, numëroi plot 48 pikë të humbura në 5 gara.

RUSI, URDHЁRI I SKUDERISË

Vettel nuk e sheh Hamiltonin dhe futet në një pikë ku, teorikisht, nuk arrihet. Në 30 shtator, në Sochi, fitoi Lewis, fitorja e tij e 70-të në karrierë. Por ndoshta, ajo fitore ishte më pak e nderuara, si për pilotin edhe për skuadrën Mercedes: skuadra, në gjysmë të garës, i kërkoi pilotit Bottas të hiqej mënjanë, për të lejuar shokun e tij të skuadrës të kalonte në vendin e dytë, vend i cili u bë i parë, pas pit stopit të Verstappen (i renditur i pesti). Vettel i treti, Raikkonen i katërti: për Ferrarin, Botërori bëhet gjithnjë e më i vështirë: gjermani e gjen veten 50 pikë pas Hamilton.

JAPONI, DOMINON TOTALISHT BRITANIKU

Hamilton fiton sërish, duke qenë në krye që nga fillimi e deri në fund të garës së zhvilluar në Suzuka, në date 7 tetor. Kjo ishte fitorja e gjashtë në shtatë garat e fundit për britanikun e Mercedes. Nisje e mirë e Vettel, i cili më pas rrotullohet gjatë një përpjekje për të parakaluar Verstappen. Kjo ndodhi në xhiron e tetë, menjëherë pas vijës së drejtë dhe në një pikë të pafavorshme. Por ajo dritare për Vettel u duk e mjaftueshme dhe ai provoi: Verstappen nuk e pa dhe të dy makinat u prekën në një aksident. Vettel rinis garën nga vendi i tetëmbëdhjetë dhe e mbyll garën në vendin e gjashtë, por nuk arrin t’i japë fund momentit të tmerrshëm të tij dhe Ferrarit. Lewis e çon në 67 pikë diferencën në renditjen e përgjithshme.

ShBA, PENALITET PЁR VETTEL

Momenti kyç në Austin, u konsumua të premten në provat e lira. Në FP1, në fakt, Vettel nuk ngadalësoi mjaftueshëm nën regjimin e flamurit të kuq dhe u ndëshkua me tre pozicione në nisje. Në fakt, për të, Botërori mbyllet këtu. Gara fitohet nga Kimi Raikkonen, i cili rikthehet tek fitorja pas plot 113 garash (e fundit në Australi në vitin 2013)

MEKSIKË, HAMILTON KAMPION I BOTËS PËR TË 5-tën HERË

Çmimi i Madh i Meksikës ishte një formalitet në zyrtarizimin e titullit për Hamilton. Britanikut i mjaftoi vendi i katërt për tu shpallur matematikisht kampion. Gara u fitua nga Max Verstappen me Red Bull.

BRAZIL & ABU DHABI, MBYLLJE TRIUMFUESE E BINOMIT HAMILTON-MERCEDES

Dy garat e fundit të kampionatit, ajo e Brazilit dhe më pas e Abu Dhabit u dominuan plotësisht nga Kampioni i Botës. Mercedes tregoi edhe njëherë tjetër supremacinë absolute duke fituar titullin e 5-të radhazi për Konstruktorë.

Ajo që treguam është sinteza e momenteve më të spikatur të një sezoni që konfirmoi fuqinë e madhe të Mercedes, por, dhe përsëriti gabimet e Ferrarit, edhe pse Kokëkuqja tregoi rritje krahasuar me sezonet e kaluara. Në vitin 2019, do të ketë ndryshime teksa Ferrari do të riniset me Sebastian Vettel dhe me Charles Leclerc. Do të jetë piloti i ri nga Montekarlo, i cili do të zëvendësojë finlandezin Raikkonen, për t’u rikthyer tek suksesi që mungon nga viti 2007. Spanjolli i McLaren, Fernando Alonso deklaroi tërheqjen nga Formula 1. Dy herë Kampioni i Botës në vitet 2005 dhe 2006 largohet pas 17 vitesh nga ky sport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *