Finalja e Edicionit të 32-të të konkursit edukativ “European Traffic Education Contest 2017” u zhvillua në Tiranë në datat 14-17 Shtator 2017, me propozimin dhe nën kujdesin e Klubit të Automobilit të Shqipërisë (ACA) dhe mbështetjen e FIA Region 1.
I themeluar në vitin 1986 nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), ky konkurs synon rritjen e vëmendjes dhe kujdesit të shoqërisë për edukimin e fëmijëve me parimet bazë të qarkullimit dhe rregullat më të rëndësishme të sigurisë në rrugë, për të mbrojtur jetën e tyre nga aksidentet rrugore. Edukimi dhe konkursi në fjalë janë konceptuar në mënyrë tërheqëse e zbavitëse për fëmijët e kësaj moshe, duke ngarë e garuar me biçikleta. Në këtë konkurs morën pjesë rreth 200 fëmijë nga 25 vende europiane, fitues të konkurseve kombëtare në vendet e tyre. Çdo ekip u përfaqësua nga 4 fëmijë (2 vajza; 2 djem) të moshës 10-12 vjeç.
Në kushtet e vendit tonë, me nivele ende të larta të aksidenteve vdekjeprurëse në rrugë, si edhe të një tradite negative të krijuar dhe trashëguar nga një e kaluar historike jo fort e largët, kur ndalohej përdorimi i automobilave privatë, traditë që mund të thyhet kryesisht me edukim; edukimi i fëmijëve me rregullat e sigurisë në rrugë merr përparësi të veçantë.
Eventi u përshëndet nga drejtuesit më të lartë të FIA-s për Europën, si edhe nga përfaqësues të Institucioneve shtetërore në vendin tonë. Në fjalën e tyre të pranishmit përcollën mesazhin më të rëndësishëm, atë të angazhimit real dhe serioz të qeverisë shqiptare dhe mbarë shoqërisë për edukimin e brezit të ri në një fushë kaq jetike e delikate në vendin tonë.
Në një atmosferë të qetë dhe miqësore, gara u zhvillua në ambjentet e Expocity, pranë City Park më datë 15 Shtator dhe zgjati një ditë të plotë, gjatë të cilës fëmijët iu nënshtruan një cikli ushtrimesh teorike dhe praktike me biçikletë. Gjithashtu, ata patën mundësinë të argëtoheshin, të njiheshin me fëmijë nga shtete të ndryshme si edhe të shkëmbenin eksperienca ndërmjet tyre.
Fillimisht u bë prezantimi i të gjitha Klubeve pjesëmarrëse dhe ju dha fjala përfaqësuesve të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA). Aktivitetin e përshëndeti gjithashtu edhe Presidenti i FIA-s, Z. Jean Todt nëpërmjet një video mesazhi.
Mbarëvajtja e aktivitetit ishte shumë pozitive dhe kjo u vu në dukje edhe nga pjesëtarët e Komitetit Teknik të FIA-s.
Fitues i Edicionit të 32-të të “European Traffic Education Contest 2017” u shpall klubi i Letonisë (LAMB). Podiumi u plotësua nga Rusia, i vetmi shtet që u përfaqësua me dy ekipe: RAS, të cilët zunë vendin e dytë dhe RAF të cilët u pozicionuan të tretët. Paraqitja e ekipit shqiptar ishte në nivel mesatar. ACM, klubi i Monakos, fitoi çmimin “FIA Region I Helmet Challenge”, për dekorimin më të bukur të kokores.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe medaljeve u zhvillua në ambientet e “Te Stela Resort”. Aktiviteti u mbyll ditën e shtunë, datë 16 shtator me darkën përmbyllëse gjatë së cilës fëmijët u argëtuan duke kënduar karaoke dhe duke kërcyer.
Klubi i Automobilit të Shqipërisë (ACA), si organizator i këtij eventi shpërndau dhurata për të gjitha Klubet pjesëmarrëse.
Në vitin 2018, edicioni i 33-të i European Traffic Education Contest do të zhvillohet në Hungari, me ftesë të Klubit Hungarez, Magyar Autóklub (MAK).