ÇЁSHTJE DINAMIZMI
Seria e tretë e makinës me katër dyer të Shtutgart-it, rimëkëmb pastërtinë stilistike, pa humbur elegancën e pangatërrueshme të linjës së saj. Ashtu si edhe tre vëllimshja tjetër, Mazda6, është përditësuar me rastin e Sallonit të Los Anxhelos-it
Hapi një shteg të ri kur debutoi në vitin 2014: e para Mercedes CLS, frymëzuese e të gjitha modeleve të prodhuara që atëherë e në vijim, modele prestigjioze, mes veturës dhe coupé-së, përfaqësoi menjëherë një pikë referimi, për sa i përket origjinalitetit dhe pastërtisë. Më pas, me serinë e dytë të vitit 2010, formula u rinovua por pa gjetur të njëjtin ekuilibër mes freskisë dhe saktësisë: rinovimi solli disa linja të tepërta, të cilat sot, me aktin e tretë, duket se janë eliminuar. Protagoniste e një kthimi në origjinë, që konsiston në braktisjen e çdo linje të tepërt, përbën mishërimin e parë të kursit të ri stilistik të Gorden Wagener, të cilin shpejt do ta shohim tek modelet e reja: A-Class, GLE dhe GLS. Duke lënë mënjanë dizajnin, për CLS-në ka shumë për të thënë: në pjesën e brendshme kemi tabletin panoramik “pa kornizë”, të përbërë nga dy ekrane 12.3 inç secili, dhe nga një ekran i sipërm. Për automatizimin e drejtimit, vlen të përmendet teknologjia e modelit S-Class, që përfshin sistemet autonome për ndryshimin e korsisë në autostradë, ndalesat dhe rinisjet në trafik. Edhe më spikatëse janë risitë motoristike. Në debutim, CLS-ja do të ketë vetëm motorët 3.0 turbo me gjashtë cilindra, të gjithë të kombinuar me traksion integral 4Matic: dy motorë me naftë (286 ose 340 kf) dhe një me benzinë me sistem elektrik 48 volt, i cili në krahas motorit me djegie të brendshme 367 kf, me moment përdredhës 500 Nm, do të ketë edhe një elektrik 22 kf, me moment përdredhës 250 Nm (0-100 km/h në 4.8 sekonda). Më pas do të mbërrijnë edhe motorët me katër cilindra, ndërsa për herë të parë do të mungojë motori V8, i cili do të jetë privilegj i AMG GT4, model debutues me katër dyer, me performancë të lartë, të realizuar nga departamenti sportiv.
ZHVILLIM I RI TURBO NË HIROSHIMA
Rinovimi i modelit Mazda6, të prezantuar në Sallonin e Los Anxhelos-it, ishte më i kufizuar: me rastin e përditësimit në mes të karrierës së modelit, projektuesit japonezë ndërhynë kryesisht në nivel teknik. Debutimi i motorit 2.5 litra turbobenzinë, me katër cilindra, me fuqi 250 kf, i parashikuar tani për tani vetëm për tregun e Amerikës së Veriut, që përbën më shumë interes, shënon një moment të rëndësishëm për konstruktorin, i cili, deri pak kohë më parë, ishte thjesht një aspirant. Pjesa tjetër ka të bëjë me ndërhyrje stilistike tek konturet: rregullime të vogla, për të mos prishur formën atletike, e cila është e gjitha çështje dinamizmi.
Pjesa e brendshme e modelit Mazda6 ka mbetur e paprekur: e vetmja risi i përket materialeve, tani me cilësi më të lartë. Progres i rëndësishëm është bërë për sa i përket asistencës në drejtim, me futjen e sistemit autonom për menaxhimin e ndalesave dhe rinisjeve në trafik.
NJЁRA THUAJSE COUPÉ, TJETRA VETURЁ E MIRËFILLTË. ÇFARЁ I BASHKON TЁ DYJA? FORMA ATLETIKE