Kontakti i parë në rrugë dhe jashtë saj, me gjeneratën e tretë të modelit bavarez sport utility, i ndërtuar mbi një platformë të re, më të plotë dhe më të zhvilluar. Gati për debutim modeli intrigues M40i
Mes interpretimeve ekzistuese të konceptit sport utility, ai i propozuar nga BMW, për modelet me goma të larta, është më i veçanti dhe specifiku. Bëhet fjalë për një markë fabrike të padukshme, që qarkullon mes makinave bavareze të modelit X. Ajo spikat fuqishëm sapo ulesh në timonin e X3 M40i, një makinë e aftë të nxjerrë në pah dukshëm, filozofinë e njohur të kompanisë së Mynihut, duke u fokusuar në favorizimin e dinamikës në drejtim. Në këtë rast, pamja intriguese M Performance e kombinuar me linjat më elegante e të lëmuara të karrocerisë që vesh platformën e re, premton emocione të forta. Pritshmëritë plotësohen sapo ulesh në timon, tek një sedilje e veshur me lëkurë të butë, të pajisur me rregullime të sakta elektrike, si dhe mbështetje anësore të plota që nuk lejojnë zhvendosjen e trupit të drejtuesit gjatë përshkimit të kthesës. Sedilja është relativisht e lartë, por lejon shtrirjen e këmbëve dhe gjetjen e pozicionit ideal me pak rregullime. Sidoqoftë, fakti që je duke drejtuar një makinë me qendër rëndese të lartë, harrohet krejt kur hyn në punë 360 kf, e fshehur nën kofano. Duke lënë mënjanë momentet fillestare të zakonshme, sapo motori gjashtë cilindërsh arriti temperaturën, duke përfituar nga një pjesë rruge dredha-dredha dhe me pak trafik, shkela fort gazin, pasi zgjodha modalitetin e drejtimit Sport+Driving experience control. Motori nxjerr në pah menjëherë karakteristikat e tij, duke tërhequr fort, por në masën e duhur, pa qenë asnjëherë agresiv. Bën përshtypje, gjithmonë në lidhje me karakteristikat e makinës, shpejtësia me të cilën BMW-ja hyn në kthesë dhe aftësia e saj për të ndërruar drejtim në mënyrë lineare, falë edhe mbështetjes së shkëlqyer mbi gomat e larta. Sa më shumë i jep gaz, aq më shumë ajo ngjitet në asfalt, sa më shumë ekzagjerohet, aq më shumë M40i, fton që të ekzagjerosh edhe më. Me rritjen e vetëbesimit, fillon edhe zbavitja në përshkimin e trajektoreve dhe shfrytëzimin plotësisht të temperamentit të motorit 3.0 turbo, i ndihmuar me saktësi e shpejtësi të skajshme, nga kambio automatike me tetë raporte Steptronic. Zbavitja është e tillë, që nuk të lë të heqësh gishtat nga instrumentet e drejtimit pas timonit, gjithmonë në shoqërinë e këndshme të “zërit” të motorit me gjashtë cilindra, të përforcuar nga marmitat sportive M, e vetmja zhurmë – për ata më të pasionuarit, bëhet fjalë për melodi të vërtetë – që filtron në kabinë, me përjashtim të efektit rrotullues të gomave të mëdha. Për më tepër, edhe suspensionet, ndonëse ruajnë një kalibrim të ngurtë, zbusin mjaft mirë parregullsitë e rrugës.
XDRIVE 30D
JO VETЁM ASFALT
Në rrugë, shpërndarja optimale e peshës mes akseve dhe ndërhyrja inteligjente e traksionit integral, krijojnë ndjesinë e duhur, por, për të shijuar plotësisht shkathtësinë e modelit të ri X3, duhet lënë asfalti e duhen vendosur gomat drejt e në tokë. Në një terren të tillë, provuam modelin Xdrive 30D, të pajisur me motor gjashtë cilindërsh me 265 kf, një makinë që, edhe pse nuk shquhet për aftësi të veçanta në drejtimin jashtë rruge, në terrene të vështirë dhe të ashpër zhavorri, tregon një traksion mjaft efikas: aq sa duhet për të ecur në mënyrë të sigurt dhe me aderim mjaft të mirë me terrenin, edhe nëpër shpate, duke përfituar nga ndihma e elektronikës, veçanërisht në të tatëpjetat më të vështira. Veç kësaj, momenti përdredhës është shumë më bujar, dhe prania e kambios automatike me tetë marshe Steptronic, ndihmon gjithashtu edhe ata me më pak përvojë, për t’ia dalë më së miri. Lartësia nga toka (20 cm) dhe këndet e përparmë (26°) dhe të pasëm (23°) nuk janë edhe aq të shkëlqyer, por në shpejtësi të moderuar, mund të kalohet në çdo lloj terreni pa patur kontakte.
Kroskoti është realizuar duke përdorur materiale me vlerë. Në krye të panelit qendror, qëndron ekrani i madh, gjithashtu me prekje, i sistemeve multimedialë, i propozuar tek modeli X3, në versionet e tij më të përparuara. Disa funksione aktivizohen me gjeste të thjeshta të dorës dhe gishtërinjve
XDRIVE M40I
Të dhëna teknike
Motori
- L6 turbobenzinë
- Cilindrata 2.998 cm3
- Fuqia maksimale 265 kW (360 kf) në 5.500 xhiro/min
- Momenti përdredhës maks. 500 Nm nga 1.500 në 4.800 xhiro/min
Transmisioni
- Traksion integral
- Kambio automatike me 8 marshe
Performanca
- 0-100 km/h 4,8 s
- Konsumi mesatar 11,9 km/l
Përmasat dhe pesha
- Hapi 286 cm
- Gjatësia 472 cm
- Gjerësia 190 cm
- Lartësia 168 cm
- Pesha 1.885 kg
Çmimi
- 71.800 €