- Advertisement -
10.5 C
Tirana
Saturday, April 27, 2024

RANGE ROVER VELAR

Must read

ETEC 2022/ Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë

Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) që do të zhvillohet më 24-27 Shtator...

ETEC 2022/ Shqipëria në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore

Këtë fundjavë do të jemi në Zadar të Kroacisë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) për të promovuar #SigurinëRrugore te fëmijët. Shqipëria do të përfaqësohet...

ACA organizon për herë të parë “Digital Motorsport Cup”

Auto Club Albania do të organizojë për herë të parë Digital Motorsport Cup, një event që është risi në vendin tonë. Kompeticioni do të...

Cross Car në Shqipëri, ndiqni specialen në TV Klan

Në emisionin e radhës “Jo vetëm modë” në Tv Klan i është kushtuar një kronikë speciale pilotit kampion të Kampionatit Kombëtar të Kartingut 2020,...

E pozicionuar mbi modelin Evoque dhe poshtë atij Sport, për plotësimin e familjes më ekskluzive të markës britanike. Cilësitë off-road janë po ato dhe shpalos një sjellje në rrugë deri tani të panjohur

 

Me modelin Velar dashurohesh me shikim të parë. Sepse është i bukur, dhe jo një bukuri e zakontë, krahasuar me modelet të cilat kryesojnë në kontekstin estetik. Gjithashtu, nuk bëhet fjalë për një bukuri fine në vetvete: këto linja përfaqësojnë, në njëfarë mënyre, një kompensim të asaj që emri Range Rover mishëron prej gati gjysmë shekulli dhe për linja, të cilat e afrojnë modelin Velar shumë pranë një varianti shooting brake. Pra, diçka që e ndryshon mënyrën e të kuptuarit të asaj që tashmë është një markë brenda markës. Ky model, më tepër se të tjerët, nxjerr në pah thelbin Range Rover duke e pastruar nga detajet e panevojshme dhe duke shtuar konture hi-tech më premtuese se zakonisht. Detaje që gjenden të pasqyruara edhe tek dorezat e hapjes së dyerve: të padukshme në një linjë me karrocerinë kur nuk nevojiten (në nder të minimalizmit stilistik që frymëzoi dizajnerin italian Massimo Frascella) dhe teknologjikisht të këndshme gjatë shfaqjes së tyre në momentin që do të përdoren.

STIL UNIK

Kjo përzierje e padiskutueshme midis stilit dhe teknologjisë mund të vihet re menjëherë edhe në momentin e futjes në kabinë. Praktikisht, edhe këtu gjithçka është e realizuar bazuar në të njëjtin ideal. Kroskoti i lëmuar dhe i mbuluar tërësisht në lëkurë nxjerr menjëherë në pah faktin që pa diskutim kemi të bëjmë me një Range Rover, konfirmim i cili theksohet gjithashtu kudo të hidhen sytë. Gjithçka është luksoze, por pa e tepruar, e bollshme, por jo vulgare, sado e pasur po aq edhe praktike, duke mos rënë aspak në kontradiktë me vetveten. Projektuesit dhe inxhinierët kanë arritur kombinimin e përsosur, duke punuar në harmoni të plotë me njëri-tjetrin, siç mund të ndodhë zakonisht: ndërthurje midis atmosferës dhe cilësisë (si për sa u përket materialeve, po ashtu edhe në montim) duke i dhënë jetë një ambienti me nivel të jashtëzakonshëm. Aq sa duhet (dhe tepron) për të hyrë me kokën lart në elitën klasike me tre markat e zakonshme gjermane.

Por nuk është thënë ende e gjitha. Kur shtypet butoni Start, vjen në jetë edhe paneli i vogël në të cilin bashkohen paneli qendror dhe kroskoti: me një sipërfaqe të zezë misterioze dhe elegante, që transformohet në një ekran të madh ku janë të pranishëm një pjesë e madhe e atyre komandave, që zakonisht janë fizike. Për funksionet do të gjeni një përshkrim më të zgjeruar në faqet në vijim, por numri i fotove në të cilat ky ekran është i pranishëm në këtë rubrikë, përbën një provë indirekte të gjithëpërfshirjes së sistemit në përvojën me modelin Velar. Nga një pikëpamje disi shkencore, mund të thuhet gjithsesi se është pjesë e sistemit infotainment, i cili fillon nga ekrani në qendër të kroskotit.

Dhe ekranet nuk përfundojnë me kaq: gjendet gjithashtu i pranishëm një i tretë, 12.3 inç, i cili është ai që dikur ishte kuadri i zakonshëm i instrumenteve. Ndërkohë, në këtë model, takimetri dhe matësi i xhirove janë vetëm një pikënisje e pastër dhe mundësia e konfigurimit është maksimale. Mund të modifikohet vendosja e treguesve ose të vendoset direkt para syve e gjithë harta e navigatorit, thjesht për shembull. Por duhet theksuar se sistemi nuk është shumë i këndshëm për drejtuesin për realizimin e këtyre modifikimeve: kalimi nga një pamje në tjetrën nuk ka shpejtësinë dhe intuitën e sistemeve konkurrente, p.sh. të Audi Virtual cockpit, ku me shumë pak lëvizje arrihet të merret gjithmonë ajo që dëshirohet. Tek Velar, të krijohet gjithnjë ndjesia sikur ke të bësh me diçka që duhet vendosur dhe jo me funksione të cilat duhet thjesht të ripërdoren. Kjo vjen më tepër në sajë të logjikës së menuve, sepse komandat në lidhjet e timonit, në vetvete, do të ishin të rafinuara: sipas kontekstit, ndryshojnë edhe simbolet te vetë tastet dhe janë të tipit kapacitativ. Kjo nënkupton se, për disa funksione të caktuara, nuk ka nevojë as të klikohet: për shembull, për volumin mjafton të preket lehtë përqark butoni i rrumbullakët në lidhësen e majtë. Megjithatë, ndonjëherë, për shkak të pozicionit dhe ndjeshmërisë, ndodh të lëvizet në mënyrë të pavullnetshme volumi.

RITËM ARISTOKRAT

Në këtë lloj rishikimi të kodit gjenetik të kompanisë, modeli Velar paraqitet me diçka të re edhe për sa i përket sjelljes në rrugë. Asnjë mungesë në cilësitë off-road (për të cilat do të diskutohet në faqet në vijim), por me një aftësi sjellje në asfalt që e bëjnë modelin Range (ose në një spektër më të përgjithshëm, modelin Land Rover) më dinamikun e të gjithë kohërave. Sigurisht, nuk arrin të konkurrojë një Porsche Macan apo një Alfa Romeo Stelvio, sepse ato i përkasin një bote tjetër. Megjithatë, nëpër kthesa, arrin të shprehet mjaftueshëm për të mahnitur ata që lexojnë shkrimin Range Rover te pasqyra. Si të thuash, është më tepër modeli Velar sesa modeli Sport që e meriton emërtimin që është simbolizim i dinamicitetit. Në vija të përgjithshme, është shumë pranë me një Jaguar F-Pace: ndër të tjera, themelet e projektimit janë të njëjta, pavarësisht se në këtë model gjenden të pranishëm, më tepër, suspensionet pneumatike. Tek ekzemplari i provës ato janë të pranishme dhe kontribuojnë më së miri në nivelet e komoditetit, por edhe më përgjithësisht, për të plotësuar atë mënyrën aristokrate të lëvizjes, e cila është pjesë integrale e të qenët një Range Rover.

Motori dy litra me katër cilindra është perfekt për sa kohë përdoret pa dalë jashtë zonës së tij të qetë, gjë e cila ndodh në shumicën e rasteve. Midis 1.300/1.500 xhiro/min dhe 3.000 xhiro/min përgjigjet mirë dhe pa dhënë ndjesinë e ndonjë sforcimi të tepërt, ndjesi e theksuar nga izolimi i mirë akustik dhe përgjithësisht që motori duket sikur është gjithmonë “atje në fund”. Kur kalohet në regjime më të larta, performanca nuk rritet në mënyrë proporcionale: pesha prej mbi dy tonë fillon të ndihet dhe tërheqja e marrë nuk është pikërisht ajo që mund të mendohej për 240 kf. Pesha përbën një ndër elementet që limitojnë dinamicitetin e modelit Velar: gatishmëria e sistemit të drejtimit (i cili nuk është aq shumë i zhdërvjellët) duke u munduar të rrisë ritmin, që gjithsesi duhet të përballet me rrokullisjen dhe një sistem elektronik, në disa raste (për shembull, në asfalt të lagur) shprehet disi shumë i përmbajtur. Megjithëse, si përfundim rezultati i përgjithshëm është një kënaqësi në drejtim mbi mesataren, në disa raste edhe intrigues. Megjithatë, më e mira del në pah në udhëtimet e gjata: shasia e butë dhe motori silencioz janë një bazë e mirë nisjeje dhe duke e zhvendosur pak vlerësimin, nuk mjafton vetëm pak rrokullisje e gomave në shpejtësi të ndërmjetme apo ndonjë decibel më tepër aerodinamik në regjimet e larta. Ajo që mungon për plotësimin e komfortit, ndoshta është aftësia për ruajtjen në mënyrë automatike të trajektores: Velar ndërhyn në sistemin e drejtimit për të mos dalë nga korsia, por nuk parashikon hapin e ardhshëm të asistencës reale gjatë drejtimit, ose më saktë kapacitetin për të ndihmuar në mënyrë reale dhe për të ndjekur trajektoren e rrugës. Pra, ajo asistencë në drejtim (gjithmonë më tepër e përhapur në automjete të kësaj kategorie) e cila vlerësohet në një profil të dyfishtë, si për sigurinë rrugore ashtu edhe për komfortin. Një mungesë thuajse e pakuptimtë për një model që synon shumë për gjithçka që është një kryqëzim midis hi-tech dhe sigurisë. Mjafton të përmendesh se janë të pranishëm fenerët e largësisë lazer: dy elemente shtesë që shoqërojnë llambat e zakonshme pa i zëvendësuar ato. Fuqia e tyre është e tillë saqë ndezja realizohet tërësisht në mënyrë elektronike, duke i aktivizuar vetëm në disa kushte të veçanta (trafiku, ndriçimi dhe shpejtësia) dhe ndryshimi është menjëherë i dukshëm. Nga limiti prej 250 metra të fenerëve të zakonshëm kalohet menjëherë në nivelet 500-600 metra.

ANALIZA E NDËRLIDHJES

INFORMACIONE NË TRE EKRANE

IMPIANTI I RI Touch pro duo, nga pikëpamja e logjikës bazë, parashikon një përmirësim të asaj që propozojnë sistemet e mirënjohura InControl të grupit Jaguar Land Rover. Pavarësisht disa funksioneve të ripropozuara edhe në ekranin e poshtëm (dhe është pikërisht ky duplicitet që i jep emrin impiantit), qendër e sistemit vazhdon të jetë ekrani i sipërm. Tek “Home” janë të paraqitura tre seksionet kryesore të sistemit (foto lart në të djathtë): navigimi, multimedia dhe telefoni. Logjika e funksionimit është e realizuar mirë dhe nevojitet vetëm pak kohë për t’u ambientuar me to, pavarësisht se ndonjëherë, zonat pak më të fshehura të menuve kërkojnë pak më tepër impenjim. Shumë elemente, duke filluar nga harta e navigatorit, mund të transferohen tek instrumentet (realizuar me një panel Lcd prej 12.3 inç): një vendosje e cila, në thelb, të sjell ndër mend nga afër atë të modelit Audi, por që praktikisht nuk ia del të arrijë atë lehtësi përdorimi që është një ndër karakteristikat më dalluese të sistemit të kompanisë gjermane. Duke pasur parasysh spektrin e gjerë të impiantit (në rastin e provës të integruar nga një hi-fi po aq mbresëlënës, opsionalin Meridian) habit disi mungesa si e Apple CarPlay po ashtu edhe e Android Auto, të cilat nuk janë të disponueshme as si opsionale: mund të zëvendësohen nga një aplikacion i propozuar nga kompania (të disponueshëm si për iOS ashtu edhe Android), të emërtuar Land Rover InControl apps. Ripërshkon vendosjen e softeve si të themi origjinale, duke vënë në dispozicion vetëm funksionet (dhe aplikacionet) të përshtatshme me drejtimin.

ANALIZA TEKNIKE

TË DHËNA TEKNIKE

Motori

  • Montuar përpara gjatësor, diesel
  • 4 cilindra në linjë
  • Diametri i pistonit 83,0 mm
  • Korsa 92,4mm
  • Cilindrata 1.999 cm3
  • Fuqia maks. 177 kW (240 kf) në 4.000 xhiro/min
  • Momenti përdredhës maks. 500 Nm në 1.500 xhiro/min
  • Bllok cilindrash gize dhe testata prej aliazhi të lehtë
  • 2 boshte ekuilibrues
  • 2 boshte me gunga në testatë, 4 valvula për cilindër (zinxhir)
  • Injeksion direkt commonrail, dy turbo dhe intercooler
  • Katalizator Scr për oksidet e azotit

Transmisioni

  • Traksion integral
  • Kambio automatike me 8 marshe

Gomat (përmasat bazë)

  • 265/45R21104W
  • Kit riparimi

Karroceria

  • Crossover, 5 dyer, 5 vende
  • Aksi i parë me dy katërkëndësha
  • Aksi i pasmë me katër leva e gjysmë
  • Susta helikoidale
  • Boshte stabilizues
  • Amortizatorë hidraulikë me kontroll elektronik
  • Frenat me disk, para autoventiluese, Abs dhe Esp
  • Sistem drejtimi me kremaljerë dhe asistencë elektrike
  • Serbatori 60 litra

Përmasat dhe pesha

  • Hapi 287 cm
  • Karrexhata para 164 cm, prapa 166 cm
  • Gjatësia 480 cm – Gjerësia 193 cm – Lartësia 167 cm
  • Pesha 1.836 kg, me ngarkesë të plotë 2.510 kg, e rimorkiueshme 2.500 kg
  • Bagazhi nga 673 deri 1.731 litra

Prodhuar në

  • Solihull (Britani e Madhe)

NISET NGA NJË BAZË E MIRË

JAGUAR I SHUMTË, i pranishëm nën lëkurën e modelit Velar. Teknikët britanikë kanë përdorur tek ky model, platformën e realizuar në mbi 80% të shasisë (ashtu si dhe modeli i ri Range) prej alumini, që i përket modelit F-Pace, të shoqëruar nga suspensionet e sofistikuara, të cilat janë edhe ato prej aliazhi të lehtë: për më tepër, tek ky model, janë të disponueshme me porosi edhe sustat pneumatike (si pajim në seri në versionet me gjashtë cilindra), që mundësojnë ndryshimin sipas dëshirës së lartësisë nga toka të veturës. Traksioni integral është realizuar përmes një grupi shpërndarës të vendosur mbi kambion, tek i cili përfshihet një friksion multi-disk me kontroll elektronik. Shpërndarja e momentit motorik përdredhës midis dy akseve menaxhohet çast pas çasti përmes informacioneve të marra nga sensorët e ndryshëm që llogarisin si dinamikën e veturës ashtu edhe kushtet e aderencës së gomave. Gjithashtu integrohet me transferimin e momentit përdredhës midis rrotave të të njëjtit aks, i cili realizohet duke i frenuar lehtësisht. Sisteme të ndryshme rregullimesh elektronike kontribuojnë në lehtësimin e drejtimit jashtë asfaltit, midis të cilave Atcp (All terra in progress control), një lloj cruise control për shpejtësi të ulëta, i cili funksionon midis 3.6 dhe 30 km/h, gjithashtu Low traction launch, i cili e bën shumë progresive përgjigjen e pedalit të gazit në terrenet relativisht të rrëshqitshme. Motori dy litra diesel Ingenium, i gjithi prej aliazhi të lehtë ka kohë variabël të boshtit me gunga të shkarkimit dhe boshte ekuilibrues për eliminimin e vibrimeve; ky version prej 240 kf është i pajisur me turbo me dy kohë. Eliminimi i oksideve të azotit realizohet me një Egr të dyfishtë dhe një katalizator; serbatori i rezervuar për AdBlue të së cilës ka kapacitet 17 litra.

MASKARINË PADISKUTIM RANGE. NDËRKOHË, FORMA E KANALEVE TË AJRIT NË PJESËN E POSHTME ËSHTË NJË VEÇORI TËRËSISHT E R-DYNAMIC

Sustat me ajër (me porosi në modelet me katër cilindra, në seri tek variantet V6) mundësojnë rregullimin e lartësisë nga toka, duke e rritur me 46 mm në modalitetin Off-road, duke arritur deri 251 mm. Ndërsa, mbi 105 km/h, vetura ulet me 10 mm për të reduktuar rezistencën aerodinamike dhe për rrjedhojë konsumin. Gjithashtu përmes komandave në bagazh mund të lëvizet shasia deri 50 mm, për të lehtësuar ngarkimin.

EDHE LARG ASFALTIT NDIHET MIRË

SKENARI është i njëjti edhe larg nga asfalti: më shumë se një Evoque, më pak se një Sport. Suspensionet e rregullueshme, apo më në përgjithësi skema mekanike, i dhurojnë modelit Velar cilësi jashtë asfaltit më të larta se ato të modelit më kompakt Range, por kjo nuk e përjashton faktin se protagonistja e kësaj prove duhet të lirojë rrugën për modelin Sport. Një ndeshje që fillon të luhet deri në letër, duke qenë se e dyta është e pajisur me detaje si marshet e reduktuara apo mundësia për të hequr boshtet kundër rrokullisjes (që e bën zhvendosjen e secilës nga rrotat më të gjatë dhe tërësisht të pavarur nga tjetra e të njëjtit aks), por pavarësisht kësaj Velar ka një kapacitet të përballjes së situatave të vështira që është në lartësinë e markës. Tek versionet katër cilindra nuk është e mundur të bllokohen diferencialet dhe një pjesë e madhe e punës realizohet nga elektronika, e cila mundëson thuajse një lloj drejtimi të asistuar” me All terra in progress control, vendoset shpejtësia dhe drejtuesit i mbetet vetëm të zgjedhë trajektoren, me automjetin që menaxhon në autonomi të plotë traksionin, frenat dhe aderencën. Sigurisht, drejtori i gjithë kësaj simfonie pajimesh është pashmangshmërisht Terrain response, i cili është i pranishëm prej shumë vitesh tek të gjithë modelet Land Rover: zgjidhet lloji i kushteve (borë, baltë, shkëmb, etj.) dhe pajisje të shumta mekanike dhe elektronike konfigurohen si është më mirë, si në përgjithësi ashtu edhe në ndërveprimin midis tyre. Cilësitë e mira të përgjithshme të Velar mund të përmblidhen me lehtësi: limitet, kur arrijnë, janë të përbëra kryesisht nga tipologjia e gomave dhe nga lartësia nga toka.

MIDIS FIZIKUT DHE VIRTUALITETIT

EDHE E FIKUR, me paraqitjen elegante të zezë me shkëlqim, kjo makinë tërheq vëmendjen. Ndërkohë, pasi ndizet, ekrani i cili rakordon kroskotin dhe panelin qendror shndërrohet në një ndër elementet kryesore të ndërveprimit njeri/automjet. Në njëfarë mënyre, përfaqëson një rrugë të tretë midis mënyrës si të themi antike për t’i kushtuar një komandë fizike secilit funksion dhe modernizimit i cili gjithmonë e më tepër virtualizon në ekranin e infotainment funksione që nuk kanë të bëjnë me argëtimin. Në fakt, ky ekran është i dedikuar për klimatizimin, ngrohjen/freskimin e sediljeve dhe në një pjesë të vogël për komandimin e radios dhe më në përgjithësi, burimeve zanore. Mbi të gjitha, përfaqëson një version 2.0 të Terrain response, ekuivalentja off-road e dorezës së modeleve Ferrari: rrotulla klasike, e cila prej shumë vitesh gjendet në të gjitha modelet e kompanisë, këtu është transformuar në një sërë butonash për klikim. Risia, përveç vetë idesë së një ekrani të dedikuar për këto funksione pa i komprimuar të gjitha tek infotainment, është tek prania e disa komandave fizike, që pjesërisht zbusin limitet tipike të ekraneve me prekje në kuadrin e vëmendjes së nevojshme: përveç një rrotulle të vogël qendrore të dedikuar vetëm për volumin, janë të pranishëm dy të tjerë më të mëdhenj dhe multifunksional. Në thelb shërbejnë për rregullimin e temperaturës së klimatizatorit ose të sediljeve, por realisht marrin funksione të veçanta çdo herë që ndryshon paraqitja në ekran. Ana e vetme negative: kanë ndjeshmëri më të lartë se duhet. Si përfundim, përsëri është e nevojshme të largohet shpesh shikimi nga rruga (për shkak edhe të pozicionit disi të ulët në kroskot), por me siguri përbën një hap përpara për sa i përket virtualizimit të komandave.

ANALIZA STATIKE

CILËSIA

MODELET Range Rover, janë makina luksi dhe niveli i tyre cilësor detyrimisht është shumë i lartë. Velar nuk përbën një përjashtim: si në pjesën e jashtme ashtu edhe brenda në kabinë, ndërtimi ka një përkujdesje të lartë, me vetëm disa parregullsi të lehta. Për shembull, boja është e një niveli të lartë, por mungon shtresa transparente tek kofano (që tashmë është bërë normale edhe për këtë kategori), por edhe në pjesën e brendshme pak të fshehur të dyerve, në raport me menteshat. Pikat e ndryshme të saldimit tek dyert, gjithashtu, kanë parregullsi të lehta, ndërsa xhepat e qepur në panelet e dyerve kanë në brendësi damarë shumë të këndshëm në prekje. Habit, gjithashtu, fakti që guarnicioni rrethor në bashkimin e dyerve nuk i ka cepat e bashkuar midis tyre (një detaj tashmë i pranishëm edhe tek modelet Suv) dhe mungojnë tek dyert ndriçimi ose elementet fosforeshente që i bëjnë të dallueshme kur janë të hapura në errësirë. Me përjashtim të kësaj, pjesa tjetër është e përkryer: karroceria është e montuar me shumë përkujdesje, me xhoko minimale dhe uniforme (e përsosur edhe mbyllja e portës së pasme), guarnicionet e dyerve janë të plota (por në bllokun e motorit mungon pjesa ballore) dhe kabina është e këndshme, me kroskot i gjithi i veshur me lëkurë, komanda me prekje dhe sedilje perfekte (por edhe kapaku që mbulon shinat e rrëshqitjes, për të shmangur prishjen e këpucëve të personave prapa, është disi i mprehtë). Cilësi e lartë edhe për bagazhin, i gjithi i veshur me moket të butë dhe i pajisur me katër vrima dhe po aq ganxha për të fiksuar sendet që mund të ngarkohen.

ANË POZITIVE

Kënaqësia në drejtim. Modeli Velar i zhvendos gjykimet tipike drejt një dimensioni më dinamik, pa humbur asgjë në pikëpamjen e komfortit.

Stili dhe cilësia e brendshme. Shuma e këtyre dy detajeve është një ambient jashtëzakonisht i këndshëm, si për drejtuesin ashtu edhe për pasagjerët.

ANË NEGATIVE

Ndërhyrjet e Esp në asfalt të lagur. Gjatë manovrave emergjente sistemi elektronik ndërhyn në mënyrë të papërshtatshme, duke e reduktuar pjesërisht mundësinë e manovrimit.

Pajimi elektronik. Për sa i përket asistencës në drejtim, mungon kapaciteti i menaxhimit të trajektores. Ndërkohë tek infotainment: mungojnë si Apple Car Play ashtu edhe Android Auto.

 

VLERËSIMI

POZICIONI I DREJTIMIT

Pozicion drejtimi i lartë në raport me rrugën, por gjithsesi afër dyshemesë. Timoni, pedalet dhe sediljet janë të pozicionuara mjaft mirë krahasuar me njëra-tjetrën.

KOMANDA DHE INSTRUMENTE

Impakti viziv është i një niveli të lartë, pavarësisht se në përdorimin e përditshëm, panelet touch kërkojnë më tepër vëmendje krahasuar me komandat klasike.

AUDIO DHE NAVIGATORI

Sistemi Touch pro duo paraqet një version të përditësuar të logjikës së zakonshme të kompanisë, edhe pse disa detaje kanë vend për përmirësim. Nivel mjaft i lartë për impiantin audio Meridian.

KLIMATIZATORI

Versioni katër zona, i cili mund të merret me porosi, garanton rehati klimatike të përkryer. Mjaft mirë i realizuar edhe sistemi i freskimit të sediljeve të para.

SHIKUESHMËRIA

Kolonat e përparme janë të mëdha dhe në pjesën e poshtme bëhen njësh me pasqyrën. Sensorët dhe kamerat janë pjesë e pandashme gjatë manovrave.

CILËSIA E MONTIMIT

Cilësia e ndërthurur e materialeve dhe realizimi janë të një standardi të lartë. Për të përfunduar tablonë e plotë është stili, i thjeshtë dhe i ndërlikuar në të njëjtën kohë.

AKSESORËT

Gjithçka që ju nevojitet dhe madje edhe më shumë. Nga ana tjetër, modeli Velar i provuar nuk është keq: konfigurim i nivelit të lartë dhe mbi 20.000 euro aksesorë opsionalë.

PAJISJET E SIGURISË

Repertori klasik është thelbësor për makina të tilla, edhe pse me ndonjë gjë të vogël: për shembull, kamera për shikueshmërinë gjatë natës.

ASISTENCA NË DREJTIM

Rregullimi i shpejtësisë aktive dhe ruajtja e korsisë. Mungon aftësia për menaxhimin e trajektores, tashmë e përhapur në modelet e kësaj kategorie.

HAPËSIRA

Hapësirë e mjaftueshme në të gjitha drejtimet, si para dhe prapa. Në rreshtin e dytë, do të preferoheshin disa centimetra më shumë për këmbët.

BAGAZHI

Krahasuar me konkurrentët, hapësira në dispozicion është e një mesatareje të lartë. Prakticiteti dhe lehtësia e ngarkimit e bëjnë më të plotë tablonë e përgjithshme.

KOMFORTI

Qëndrim i këndshëm ndaj vertebrave, motor i butë, pa dridhje. Në shpejtësi, disi e ndjeshme është zhurma aerodinamike.

MOTORI

240 kf kanë tre avantazhe kryesore: disponueshmërinë, homogjenitetin dhe shpërndarjen e mirë gjatë gjithë takimetrit.

PËRSHPEJTIMI

Velar lëviz gjithnjë me lehtësi. Shifrat pasqyrojnë një raport peshë/fuqi ku çdo kf duhet të lëvizë pak më shumë se nëntë kilogramë.

RIMARRJA E SHPEJTËSISË

Gatishmëria e motorit dhe prania e kambios automatike përballojnë mbi dy tonë në raport dinamik. Kjo konfirmohet edhe nga kohët e regjistruara.

KAMBIO

Versioni tetë marshe ZF është bërë pothuajse një standard. Është i njëjtë me atë të modelit Jaguar, por këtu bashkëveprimi me motorin është në një nivel shumë më të lartë.

TIMONI

Komandë e rehatshme, në përgjithësi. Vlen të përmendet, mbi të gjitha për gatishmërinë e saj, një cilësi që nuk ndihmon progresivitetin.

FRENAT

Hapësira ndalimi të përshtatshme për një peshë të tillë të konsiderueshme. Bilanci i përgjithshëm shumë i mirë dhe gjithashtu rezistencë e mirë ndaj lodhjes e impiantit.

NË RRUGË

Më dinamik se çdo model tjetër i kompanisë Angleze. Shumë mirë edhe në situata emergjente, pavarësisht pranisë së një sistemi elektronik, që ndërhyn më tepër se duhet në asfalt të lagur.

KONSUMI

I përshtatshëm për përmasat dhe peshën. Mesatarja e përgjithshme do të ishte edhe më e mirë, nëse nuk do të ishin shifrat e dobëta të shënuara në përdorimin urban.

GARANCIA

Si në gjithë modelet Land Rover, edhe tek Velar mbulohen tre vite. Sipas kërkesës, mund të përftohen zgjatjet e zakonshme me pagesë.

 

PËRMBLEDHJE

PASI MBËRRIHET DERI NË KËTË PIKË, mbetet vetëm diçka për t’u vendosur. Cilët janë konkurrentët realë të modelit Velar? Pavarësisht se oferta e modeleve Suv është e larmishme, përgjigjja është po aq e thjeshtë: asnjë. Përbërësi i katërt i familjes Range Rover pozicionohet mbi Evoque dhe poshtë Sport pa qenë as versioni i zmadhuar i njërës dhe as versioni në miniaturë i tjetrës. Dhe mbi të gjitha, nuk ka praktikisht asnjë konkurrent. Për sa i përket çmimit dhe markës, do të vendosej pranë objekteve të kalibrit të një Audi Q7 apo të një Volvo XC90, por të cilat janë shumë larg në stil dhe konfigurim. Nëse merren më tepër parasysh përmasat, përballja do të kalonte më tepër me një Q5 ose një XC60. Ndërsa, për dëshirën për origjinalitet, do të ishte më mirë të krahasohej me një BMW X4 ose një Mercedes GLC Coupé (apo një X6 dhe një GLE Coupé?). Pavarësisht superioritetit në performanca, as Alfa Romeo Stelvio, Porsche Macan apo Jaguar F-Pace nuk kanë të njëjtin impakt si ky model Range Rover, i cili dëshiron të propozohet si modeli më rrugor që ka dalë nga zinxhirët e montimit të kompanisë angleze. Si përfundim, duhet të bindemi se alternativa reale nuk ka, aq më tepër nëse zgjidhet modeli Velar prej sensualitetit të formave, element i cili objektivisht është vështirë t’i rezistohet: një pastërti që e bën të ngjajë me një koncept të sapo zbritur nga pedana e ndonjë salloni automjetesh e cila e dallon më tepër nga çfarëdo Suv, pavarësisht dimensioneve, çmimit dhe çdo vlerësim tjetër racional. Për t’i sfiduar edhe më shumë gjermanet, mjafton të përmirësohet sjellja dinamike. Pikërisht për këtë arsye pritet të mbërrijnë versione të tjera të deklaruara me performanca të larta.

Previous articleJEEP COMPASS
Next articleAudi A8
- Advertisement -

More articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisement -

Latest article

ETEC 2022/ Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë

Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) që do të zhvillohet më 24-27 Shtator...

ETEC 2022/ Shqipëria në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore

Këtë fundjavë do të jemi në Zadar të Kroacisë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) për të promovuar #SigurinëRrugore te fëmijët. Shqipëria do të përfaqësohet...

ACA organizon për herë të parë “Digital Motorsport Cup”

Auto Club Albania do të organizojë për herë të parë Digital Motorsport Cup, një event që është risi në vendin tonë. Kompeticioni do të...

Cross Car në Shqipëri, ndiqni specialen në TV Klan

Në emisionin e radhës “Jo vetëm modë” në Tv Klan i është kushtuar një kronikë speciale pilotit kampion të Kampionatit Kombëtar të Kartingut 2020,...

Auto Club Albania prezanton disiplinën më të re në motorsportin shqiptar, Cross Car

Jeni gati për adrenalinë, spektakël dhe risi?! Automobile Club Albania prezanton një disiplinë të re garash që i shtohet motorsportit në Shqipëri. Bëhet fjalë...