AutoClub

GJASHTË VJET “TROFEU SKËNDERBEJ 2019”, EDICION SPEKTAKOLAR

Rreth 40 pilotë marrin pjesë në garën Hill Climb. Fiton një 53-vjeçar me një makinë si e Formula 1. Canolli rikthehet sërish pas aksidentit, ndërsa Elton Shkurta krijon një automjet nga hiçi. Ja çfarë ndodhi në Malin e Krujës  

Rreth 1200 metra mbi nivelin e detit, zhurmat e makinave që përshkojnë të gjithë malin, shpejtësia në maksimum, rreziku që të shoqëron në çdo moment dhe një emocion që e përjeton rrallë. Klubi i Automobilit të Shqipërisë (ACA) dhe Federata Shqiptare e Sporteve të Automobilizmit (FASA) zhvilluan edicionin e 6-të të garës “Hill Climb Trofeu Skënderbej 2019”. Në këtë aktivitet, ACA kishte edhe mbështetjen e Federatës së Auto Sporteve të Kosovës (FASK). Rreth 40 pilotë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Hungaria “pushtuan” Malin e Krujës duke dhuruar spektakël dhe emocione të papërsëritshme, ndërsa i dhanë mundësi dhjetëra spektatorëve që e ndoqën këtë event nga afër, që të përjetonin një ndjesi që ndoshta mund ta provosh vetëm një herë në jetë.

Kompeticioni ishte konceptuar në dy ditë me pilotët të ndarë në dy kategori, Pro dhe Promo. Gara është e regjistruar në kalendarin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) dhe e vlefshme për Kampionatin Hill Climb të Zonës së Evropës Qendrore (CEZ-FIA), gjë që i bën pilotët nga vende të ndryshme që të mos mungojnë asnjëherë në këtë event.

PROVAT ZYRTARE

Gjithçka nis me kontrollin fizik të mjeteve të premten mbas dite, ndërsa të shtunën çdo gjë është gati për nisjen e provave zyrtare. Në kategorinë Pro regjistrohen 25 pilotë ku 22 janë nga Kosova, një nga Shqipëria, një nga Hungaria dhe një tjetër nga Mali i Zi. Laszlo Szasz që garon për klubin kroat të AK Dubrovnik Racing me Reynard Zeteck e ngjashme me makinat e Formula 1, tërheq menjëherë vëmendjen e të gjithëve. Dhjetëra spektatorë rrethojnë makinën e tij të bardhë duke mos humbur rastin për ta prekur, shkrepur foto dhe realizuar video. Është mundësia më e mirë për tu ndjerë për pak minuta si pilot i Formula 1. Vet garuesi hungarez është një personazh ndryshe nga të tjerët. 53 vjeç dhe me një karrierë të konsiderueshme duke qenë edhe pilot në Formula 3, së bashku me ekipin e tij i japin dorën e fundit përgatitjes së makinës. Konkurrenti i tij, Bardhyl Canolli i skuderisë Eurogoma RT, zotëron një Radicall SR8 LM. Dy vite më parë pësoi një aksident në këtë garë në Krujë ku theu këmbën. Por, nuk u tërhoq për asnjë moment duke u rikthyer sërish në timon për të ndjerë adrenalinën dhe mbajtur gjallë pasionin. Pilotët nisin provat e tyre zyrtare, ndërsa ankthi dhe emocionet rriten pas çdo sekonde. Hungarezi Szasz dhe Canolli janë dy pilotët më të shpejtë me të parin që regjistron kohën më të mirë, 2 minuta 20 sekonda e 980 të qindat në xhiron e dytë, ndërsa piloti nga Kosova dy sekonda më shumë. “Diferenca është shumë e vogël. Në garë jam i bindur që i rikuperoj. Do fitoj unë”, thotë Canolli pas provave zyrtare duke treguar se është gati të vendosë bast për suksesin e tij. Në kategorinë Promo regjistrohen 13 pilotë ku padyshim bie në sy Elton Shkurta. Një i apasionuar “i çmendur” që ia ka dalë të realizojë një makinë duke e ndërtuar gjithçka i vetëm nga fillimi. Shkurta vendos ta quajë ZZRX2 Prototype, ndërsa i janë dashur rreth tre vite për ta finalizuar projektin. Renditet në vendet e fundit, por për të ishte më shumë një provë për automjetin. Në fund të provave zyrtare në kategorinë Promo, Lulzim Loci renditet i pari me Audi A4 duke regjistruar kohën 2:57.070, i ndjekur nga Gentian Kulla me Honda Civik dhe Julian Sami me BMW e36.

GARA

Një diell i ngrohtë, dhjetëra spektatorë, shumë femra dhe fëmijë. Një e dielë ndryshe në Sarisalltik, ndërsa spektakli është i garantuar. Spektatorët vendosen në pozicionet e lejuara rreth 60 minuta përpara startit të garës, ndërsa shijojnë nga afër emocionet që të falin automjetet që zotërojnë pilotët. Të gjithë kanë mundësinë që të fiksojnë në aparatet e tyre momente që mund ti përjetojnë vetëm një herë në jetë. Dy pretendentët dihen tashmë, hungarezi Szasz dhe piloti nga Kosova, Canolli. 53-vjeçari që drejton Reynard Zeteck jep maksimumin që në xhiron e parë duke regjistruar kohën 2:12.009, ndërsa Canolli është 6 sekonda më i ngadaltë. Në xhiron e dytë, pilotët ndryshojnë vetëm në të qindat në kohët e tyre. Në përfundim është Szasz që fiton edicionin e 6-të të garës “Hill Climb Trofeu Skënderbej 2019”. Pas tij renditen Bardhyl Canolli dhe në vend të tretë malazezi Vasilije Jaksiç me Mitsubishi EVO 9. Gjatë garës së dytë, Belkim Fazliu me Renault Megane RS pëson aksident duke dalë nga rruga, por fatmirësisht pa asnjë dëmtim. Për sa i përket kategorisë Promo, Lulzim Loci me Audi A4 zë vendin e parë me kohën 2:57.394 i ndjekur nga Gentjan Shaqiri me Alfa Romeo me kohën 3:06.010, ndërsa në vend të tretë Jualin Sami me BMW e36 me kohën 3:06.404.

CEREMONIA

Në fund është radha e trofeve, kupave dhe shampanjës. Në podiumin e vendosur në majën më të lartë në Sarisalltik, spektatorët grumbullohen për të ndjekur nga afër ceremoninë. Presidenti i Klubit të Automobilit të Shqipërisë, z.Niko Leka së bashku edhe me drejtues të tjerë të klubit, nisin të dorëzojnë trofetë dhe çertifikatat për pilotët fitues. Shtrëngime duarsh, qindra foto dhe shumë Fair-Play mes garuesve, ndërsa spektatorët shijojnë ceremoninë. Një edicion spektakolar me shumë risi, emocione dhe adrenalinë për ata që e ndoqën nga afër apo mijëra të tjerë që patën mundësinë ta shijonin nëpërmjet kronikave speciale të realizuara nga rrjeti i RTSH-së, platforma Super Sport në Digitalb apo televizione dhe media të tjera që pasqyruan këtë kompeticion. Takohemi sërish vitin tjetër, me më shumë garues dhe spektatorë. Shpejtësia nuk njeh limite…

LASZLO SZASZ: GARË EMOCIONUESE, DO KTHEHEM SËRISH

Laszlo Szasz ishte padyshim piloti më i veçantë në garën për edicionin e 6-të të “Hill Climb Trofeu Skënderbej 2019”. Fituesi i këtij viti ishte garuesi më i vjetër, 53 vjeç, ndërsa tërhoqi vëmendjen e të gjithë të pranishmëve për shkak të makinës që drejtonte, një Reynard Zeteck e ngjashme me 1-vendëshet e Formula 1. Hungarezi që garonte për klubin kroat AK Dubrovnik Racing regjistroi kohën më të mirë 2 minuta 12 sekonda e 009 të qindat në xhiron e parë të garës. Në fund të eventit, Szasz deklaroi: “Asnjë garë nuk konsiderohet e lehtë. Të administrosh këtë automjet në moshën time 53-vjeçare nuk është e thjeshtë. Fitova dhe jam i lumtur, edhe pse mund të bëja një kohë edhe më të shpejtë. Gara ishte në ngjitje dhe për mua është krejtësisht një gjë e re. Nuk e njihja aspak itinerarin dhe jam i bindur se vitin tjetër do të bëj akoma më mirë. Kam ndërmend të rikthehem sërish, edhe pse nuk është asnjëherë e thjeshtë. Bëhet një punë e madhe në prapaskenë. Kam investuar 250% pasion në këtë sport”.

BARDHYL CANOLLI: PASIONI MË RINGRITI  

Dy vite më parë, më 11 Shtator të 2016-ës, piloti nga Kosova Bardhyl Canolli pësoi një aksident gjatë garës Hill Climb Trofeu Skënderbej duke thyer këmbën, ndërsa pësoi edhe disa dëmtime të tjera. Por, pasioni për këtë sport i dha forcë që të ringrihej. Në edicionin e këtij viti ishte një prej pretendentëve kryesorë për të zënë vendin e parë, por nuk ia arriti qëllimit. Megjithatë, Canolli është i kënaqur edhe me vendin e dytë në podium për sa i përket renditjes së përgjithshme. “Konkurrenti im hungarez Laszlo ia doli të fitonte pasi ka makinën më të shpejtë. Gjithashtu, kisha edhe një problem me amortizatorët në makinën time. Megjithatë, edhe me vendin e dytë jam i kënaqur. Më 11 Shtator të 2016-ës isha këtu në të njëjtin vend duke garuar kur pësova një aksident ku pësova thyerje të këmbës së majtë dhe disa dëmtime të tjera. Pasioni për këtë sport nuk më la që të dorëzohem dhe jam sërish këtu”.

ELTON SHKURTA: KRIJOVA NJË MAKINË NGA E PARA

Kategoria Promo ku mund të garojnë pilotët e apasionuar pas garave të shpejtësisë është një mundësi shumë e mirë për ta që të hyjnë në botën e motor sportit. Klubi i Automobilit të Shqipërisë dhe Federata Shqiptare e Sporteve të Automobilizmit u krijon mundësinë këtyre të aspasionuarve që të marrin pjesë në gara. Një prej pilotëve të veçantë në këtë kategori ishte edhe Elton Shkurta. Pjesëmarrës i rregullt në garat sportive e makina dhe i apasionuar pas motor sportit, rreth tre vite më parë nisi të zbatonte një ide “të çmendur”. Shkurta vendosi të ndërtonte vet një makinë garash. Me idetë e qarta në kokë dhe me shumë punë dhe përkushtim, piloti ia doli të krijonte një makinë që e quajti ZZRX2 Prototype. Dhe gara “Trofeu Skënderbej 2019” ishte një mundësi shumë e mirë për Shkurtën që të provonte makinën e tij që e krijoi vet. “Është një motor 1.4 që quhet ZX 14. Është i vitit 2008 dhe konsiderohet një prej më të fuqishmëve të motorëve të rrugës. Është afërsisht 2000 kuaj fuqi dhe një peshë shumë e lehtë. Ura para dhe mbrapa janë marrë nga një Honda Civic. Pastaj, çdo gjë tjetër është ideuar dhe ndërtuar nga mua personalisht”, tha Elton Shkurta për makinën e veçantë të garave që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve në kompeticionin e organizuar në Malin e Krujës.    

  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *