
Ëndrra fëmijësh, pasione të rinjsh dhe një karrierë që i është kushtuar garave dhe motor sportit. Revista “AutoClub” në bashkëpunim me “Illyrius Motorsport” në vazhdim të nismës së nisur në numrin e kaluar, sjell për lexuesit katër histori të personazheve që janë të dashuruar me garat e shpejtësisë. Një ëndërr që nuk përfundon asnjëherë, me pilotë që po ndërtojnë nga hiçi makina sportive duke bërë revolucion në fushën e motor sportit siç është rasti i Elton Shkurtës. Histori të pilotëve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës.
ERVIN KOSOVA
Që kur ishte adoleshent, Vini i përkushton shumicën e kohës makinave. I apasionuar pas grupit VAG (Volkswagen-Audi), ai nis të ndërtojë një makinë që njihte kushtet e garimit në disiplinën “Hill Climb”, ku mori pjesë për herë të parë në vitin 2007. Ka fituar mjaft trofe edhe në disiplina të tjera dhe Ervin Kosova sot është një nga pilotët elitar më të suksesshëm në Shqipëri. Gjithashtu, Kosova njihet edhe si një mekanik tepër profesionist, i cili ka dhënë një kontribut mjaft të madh në fushën e automobilizmit në vendin tonë. Njerëz si Vini, e mbajnë gjallë motor sportin në Shqipëri.
GAZMEND DEMOLLI
Është viti i tretë që Gazi garon në disiplinën malore dhe duket sikur garon prej dekadash në motor sport. Pasioni për automobilizmin e ka shoqëruar gjithë jetën e tij, me ëndrrën e madhe për t’u bërë një pilot profesionist. Që nga dita e parë që ëndrra e tij u realizua, ai nuk mungon në asnjë garë të kalendarit të Kosovës. Gazmend Demolli garon me një Opel Astra OPC me 286 kuaj fuqi në disiplinën “Hill Climb”, dhe me Opel Kadett me 480 kuaj fuqi në Drag. Gjithashtu, ai po punon mbi një tjetër Opel, i cili do të ketë 750 kuaj fuqi dhe do të jetë brenda rregullave për ta drejtuar në rrugë. Në vitin 2018, ai renditet i dyti në malore në klasin e tij, ku konkurrentët e tij kryesor garonin me Renault Megane RS dhe Mitsubishi EVO IX. Gjatë 2019-ës, Gazi synon rezultate edhe më të mira se ato të viteve të shkuara duke përmirësuar edhe makinën e tij. Gazmend Demolli arriti të realizojë ëndrrën e tij për të qenë dikush në motor sport, duke mos hequr dorë asnjëherë nga pasioni i tij më i madh.
ELTON SHKURTA
I apasionuar pas sporteve ekstreme, Shkurta shkel zyrtarisht për herë të parë në motor sport në vitin 2007. Si çdo garues i asaj kohe, ai debuton në garat Drag të mbajtura në Gjadër nga RCA. Jo pak i suksesshëm, Shkurta merr pjesë edhe në garat “Hill Climb” në Shqipëri dhe Kosovë ku fiton disa tituj me Honda CRX-in e tij. Një prej themeluesve të klubit sportiv DDA (Different Drive Albania). Gjithashtu, ai nuk lë pas edhe disiplinat e tjera si Go Kart, Off Road (nga e cila nisi gjithçka). Por, Elton Shkurta njihet edhe si një mekanik, i cili ka eksperimentuar përtej limiteve. Ai nisi në vitin 2015 ndërtimin e një makine gare nga hiçi, e cila quhet ZZX2. Tani është drejt përfundimit dhe jo vetëm për Eltonin, por për të gjithë automobilizmin shqiptar do të ishte një arritje e madhe. Eltoni meriton një vend të rëndësishëm si pjesëtar i elitës së garuesve shqiptarë. Ajo elitë, e cila e ka ngritur motor sportin këtu ku është sot. Duhet pranuar që jemi mbrapa, por nuk dorëzohemi kurrë drejt ëndrrës së madhe!
VISAR GJIKOLLI
I njohur nga miqtë si “Gjika”, Visari është një nga garuesit më të vjetër në Shqipëri dhe Kosovë. Nisi pjesëmarrjen e tij në “Hill Climb” dhe “Slalom” në vitin 2000 me VW Jetta ku zë vendin e 4-t në kampionatin e Kosovës. Në vitin 2002 renditet i 2-ti me Honda CRX. Në vitin 2005 zë vendin e 3-të me Opel Astra GSI Group N, duke u rikthyer në vitin 2010 në vendin e 2-të me VW Golf GTI. Në vitin 2011 merr pjesë në kampionatin e Malit të Zi në “Slalom” në Podgoricë dhe “Hill Climb” në Kotor. Në vitin 2013, Visari heq dorë nga sporti si garues nga pamundësitë financiare për të përballuar kostot e larta të disiplinës, por ai nuk largohet nga sporti. Prej asaj kohe, Visari është pjesë e zyrtarëve organizues në Federatën e Auto Sporteve të Kosovës(FASK).