EDHE AUDI do të ketë modelet e saj SUV-Coupé. Në 22 dhjetor, kompania nxori skicat e para të konceptit Q8, i cili debutoi në Sallonin e Detroit në gjysmën e parë të janarit. Pavarësisht se bëhet fjalë për një makinë “skene”, modeli Q8 largon çdo dyshim të mbetur, që më në fund numrat çift do të bëhen pjesë e familjes Q, duke treguar (përjashtuar Q2), versionet sportive të modeleve me goma të larta të kompanisë gjermane. I pari në listë është pikërisht modeli Q8, në krye të gamës, të cilën do të mund ta shohim të përfunduar në fillim të vitit 2018. Dy pamjet e shpërndara nga Audi, tregojnë qartë se si dizajni interpreton shpirtin e dyfishtë të makinës: nëse pjesa ballore, me maksi-grilën me tre dimensione pasqyron natyrën e saj sportive, pjesa anësore sjell ndër mend modelin e famshëm Ur4, e para coupé me traksion integral në historinë e Audi-t. Asgjë nuk bëhet e ditur për sa i përket anës mekanike, por shkrimi e-tron në pjesën e përparme, tregon se modeli është “i elektrifikuar”.
Pininfarina
LARGOHET FILIPPINI DHE VJEN BONZANIGO
Arsyet që e detyruan Fabio Filippini-n (foto me Sergio-n) të japë dorëheqjen nga kreu i dizajnit të Pininfarina-s, duke i lënë vendin Carlo Bonzanigo (foto e vogël), 50 vjeç, më parë numri një i dizajnit të avancuar tek Citroën, ishin tërësisht personale. Asnjë konflikt me kompaninë apo me aksionerin e ri indian, siguron ish-kreu i dizajnit: “Gjashtë vitet si krye-dizajner përbëjnë një cikël të mbyllur. Misioni im, kur erdha, ishte të nxisja kreativitetin, të ristrukturoja projektimin dhe të ripërcaktoja pozicionimin, duke ndihmuar Pininfarina-n të përballej me një moment delikat në historinë e saj. Besoj se ia kam arritur. Tani hapet një tjetër cikël, i cili do të zgjasë të paktën po aq sa i pari. Kjo është koha e duhur për ndryshim”. Kalimi në drejtimin e Bonzanigo-s, i cili e nisi karrierën e tij pikërisht tek Pininfarina në vitin 1995, do të jetë gradual. Ndonëse ai sapo ka marrë frenat e drejtimit, Filippini do të qëndrojë në kompani deri në fund të muajit mars, për të përfunduar projektet që ka në duar.