Që prej vitit 2007, Klubi i Automobilit të Shqipërisë vazhdon t’u ofrojë anëtarëve të tij, shërbime të ndryshme në aspektin e sigurisë rrugore në tërësi. Nëse do ta mendojmë ndryshe, arsyeja e ekzistencës së kësaj organizate, i shërben plotësisht përmirësimit së jetës automobilistike në Shqipëri. Lëvizshmëria në vend është një nga sfidat më të mëdha të drejtuesve të automjeteve, grupeve të ndryshme të interesit në këtë fushë dhe qeverive. Planet e zhvillimit në këtë aspekt, janë të dobëta, jo shumë transparente. Mjafton një bisedë e thjeshtë me një nga anëtarët e klubit, mbi faktin nëse infrastruktura rrugore në vend, ia bën jetën më të thjeshtë ose jo, dhe përgjigjja është e qartë.
Duke pasur parasysh këto sfida, Klubi i Automobilit të Shqipërisë, prej 12 vitesh, nëpërmjet projekteve, fushatave sensibilizuese, sporteve dhe shërbimeve të tjera në fushën e asistencës rrugore, angazhohet dita-ditës, për t’ia bërë jetën më të thjeshtë dhe më së shumti, për t’i afruar të gjithë anëtarët e tij, me praktikat dhe qasjen perëndimore aktuale, për sa i përket drejtimit të automjetit, sigurisë në rrugë dhe lëvizshmërisë në përgjithësi.
Mund të tingëllojë si kompliment i zmadhuar, sërish mendojmë se po rezervohemi pak në përcaktimin e rolit të kësaj organizate, në jetën automobilistike shqiptare.
Sfida e jashtëzakonshme e ndërtimit të një organizate me këto përmasa dhe realizimi i objektivave tona, si anëtarë të FIA, i ka kaluar tërësisht pritshmëritë e të gjithë atyre që, ndër vite, kanë ndihmuar dhe mbështetur krijimin e saj.
Po të vlerësojmë me kujdes arritjet e ACA-s ndër vite, do të vëmë re se impakti i arritur nga kjo organizatë, brenda gjithë sferës së aktiviteteve të organizuara, është i jashtëzakonshëm.
Që nga momenti i anëtarësimit të plotë të ACA në Këshillin Botëror të Automobilizmit pranë FIA (Fédération Internationale de l’Automobile), fushatat sensibilizuese më të rëndësishme në botë, me objekt kryesor “Sigurinë rrugore”, janë rritur radikalisht.
Mjafton të përmendim këtu disa prej fushatave më me ndikim në Europë, të cilat janë realizuar dhe administruar nga Klubi i Automobilit të Shqipërisë në vend: “Don’t drink and drive”, “#3500Lives”, “Park your phone”, “Stay bright”, “Project EDWARD – European Day Without Any Road Deaths” dhe së fundmi, programi edukativ më i rëndësishëm dhe me shtrirjen më të madhe në republikë – “Të Sigurt Mbi Dy Rrota”.
Që prej fillimit të një prej programeve edukative më serioze në Republikën e Shqipërisë, – “Të Sigurt Mbi Dy Rrota”, një konkurs me biçikleta, i fokusuar në edukimin e fëmijëve të moshave 8-12 vjeç, mbi sjelljen korrekte dhe të sigurt në rrugë, numri i fëmijëve të përfshirë është rritur nga 20 në vitin 2011 (edicioni i parë i këtij konkursi) në rreth 1200 fëmijë. Me vetëm pesë shkolla dhe një qytet të përfshirë në vitin 2011, tanimë numri i shkollave pjesëmarrëse shkon në 118 dhe numri i qyteteve në 11.
Në këtë kuptim, nuk janë rritur vetëm pjesëmarrësit, por edhe dëshira për të marrë pjesë në këtë aktivitet, është rritur ndjeshëm nga të gjithë aktorët e përfshirë.
Natyrisht, që pa ta, asnjë nga arritjet e sipërpërmendura, nuk do të qe e mundur.
Në këtë fillim të bukur marsi, përgatitemi sërish për konkursin e radhës: “Të Sigurt Mbi Dy Rrota – 2019”.