AutoClub

SIGURIA RRUGORE, NJË ÇËSHTJE QË KËRKON VËMENDJE TË VAZHDUESHME

Siguria rrugore është problem kompleks dhe njëkohësisht mjaft i gjerë që përfshin: rrugë të sigurta, mjete rrugore të sigurta, drejtues mjetesh të aftë, edukim, ndërgjegjësim dhe informim të përdoruesve të rrugës dhe publikut, si dhe ndëshkim të shkelësve të ligjit. Nisur nga aktorët në lojë është një problem që nuk i përket vetëm strukturave shtetërore, por të gjithë shoqërisë, ai na takon të gjithëve. Të gjithë ne jemi përdorues të rrugës, në rolin e drejtuesit të automjetit, të pasagjerit, këmbësorit apo çiklistit.
14 në çdo 100.000 qytetarë të këtij vendi humbasin jetën çdo vit si pasojë e aksidenteve në rrugë. Shifrat rriten edhe më shumë për të lënduarit apo aksidentuarit, por edhe për të afërmit respektivë që vuajnë edhe ata pasojat e traumës së shkaktuar nga një ngjarje e tillë.
Në pesëvjeçarin e fundit, ritmi i rritjes së numrit të automjeteve në qarkullim në vend ka qenë në nivelet e 10% në vit, shifër që shpreh një rritje të konsiderueshme të lëvizshmërisë. Me këtë ritëm rritjeje, pavarësisht faktit që infrastruktura rrugore në Shqipëri do të vazhdojë të zgjerohet dhe të përmirësohet, mbetet real rreziku i përkeqësimit të sigurisë rrugore, pra edhe nevoja e vazhdueshme për të luftuar këtë prirje.
E dimë që nuk mund të trajtojmë në pak radhë të një editoriali gamën shumë të gjerë të problematikës së sigurisë rrugore, por do të tentojmë të vëmë në dukje dy elemente që mund të kenë ndikim në tentativat për të ulur fatalitetin në rrugët tona.

1 – Edukimi i fëmijëve me rregullat e sigurisë në rrugë.
Si rezultat i ndalimit të makinave private për një periudhë thuajse 50-vjeçare, te ne është krijuar një traditë e mbrapshtë: qytetarë të të gjitha moshave, sidomos më të moshuarit, futen instinktivisht e masivisht në rrugë, “për t’u hedhur matanë”, duke shkelur rregullat e sigurisë rrugore, duke vënë jetën e tyre në rrezik e duke edukuar keq më të rinjtë. Është iminent edukimi i organizuar i fëmijëve të moshës parashkollore dhe të shkollës fillore dhe më pas vazhdimi i tij në të gjitha hallkat e sistemit arsimor, për t’i ikur ndikimit negativ të kësaj tradite në moshat e reja e mbase, edhe për të ndikuar indirekt mbi brezin e vjetër, viktimë e kësaj dukurie. Ka gjithmonë vend për të përmirësuar kurrikulat, por sidomos edhe për të rritur nivelin e kualifikimit të mësuesve në këtë fushë. Veçanërisht i rëndësishëm është edukimi i fëmijëve në arsimin parashkollor. Kur në trurin e ngarkuar me pak informacione të fëmijëve të vegjël nguliten rregullat e para të respektimit të sinjalistikës rrugore p.sh., dhe këto të bëra me mjeshtëri pedagogjike, ato mbeten në kujtesën e fëmijës dhe nuk i fshihen atij për gjithë jetën.
Këtë rrugë kanë ndjekur me kohë kombet e zhvilluara dhe ne nuk kemi pse vrasim mendjen për të gjetur rrugë të pashkelura.
Është kjo arsyeja që Klubi i Automobilit të Shqipërisë do të vijojë me ritransmetimet e serialit edukativ për fëmijë “Drita e Gjelbër” në kanalet me programacion për fëmijë të Digitalb.
Po në këtë kuadër, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit e Sporteve do të vijohet me përfshirjen në kurrikulën e arsimit fillor të sekuencave të këtij seriali, i cili nëse kombinohet edhe me një shpjegim nga instruktorë të Policisë Rrugore do të ishte mjaft efikas në ngulitjen e elementeve të sigurisë rrugore te fëmijët që, nga ana e tyre, sikurse është provuar, indirekt ndikojnë edhe sjelljen e prindërve.
2 – Nxitja dhe stimulimi i blerjes së makinave të reja, të homologuara për tregun europian.
Shteti e posaçërisht Qeveria duhet të vendosë përparësi në përgatitjen e një legjislacioni që të favorizojë e stimulojë futjen në territor të makinave të reja. Automjetet e prodhuara sot, jo vetëm që respektojnë normat europiane të mjedisit EURO 5 dhe EURO 6, por kanë arritur norma shumë më të larta të sigurisë rrugore me përdorimin e elementeve tashmë të domosdoshme për sigurinë të quajtur aktive si ESC (Kontrolli Elektronik i Qëndrueshmërisë) apo ABS (Sistem Frenimi Antibllokim), apo elemente të tjera që i tejkalojnë mundësitë njerëzore të manovrimit në shmangien e aksidenteve. Është e panevojshme që të theksojmë se shkalla e këtij standardi të sigurisë është në evolucion të vazhdueshëm, drejt përmirësimit të treguesve.
Në Shqipëri, kostot e shkaktuara nga aksidentet rrugore përbëjnë afro 1.5% të PBB-së, natyrisht pa përfshirë këtu ndikimin social dhe humanitar që shkaktohet nga humbja e jetës së njeriut të dashur dhe plagosjet e invaliditeti që shoqëron gjatë gjithë jetës viktimat e prekura më lehtë.
Parë edhe në këtë këndvështrim ekonomik, është emergjente mbështetja e nismave në të dy drejtimet e përmendura më lart në përpjekjen e të gjithë shoqërisë për të ulur numrin e aksidenteve në rrugë dhe sidomos të fataliteteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *