AutoClub

MAKINAT E PËRDORURA NDOTËSIT KRYESORË TË AJRIT

Miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i projektligjit mbi importin e mbetjeve të riciklueshme, përgatitur nën kujdesin e dhembshur të qeverisë, është bërë tema e ditës në mediat, shoqërinë civile, shoqatat e mbrojtjes së mjedisit dhe në përgjithësi, në opinionin publik shqiptar.
Në këtë kuadër, nuk mund të mos tërheqim vëmendjen në një problem tjetër madhor, krejtësisht të anashkaluar nga strukturat shtetërore. Është fjala për ndotjen e mjedisit që vjen nga importimi i pakontrolluar i makinave të përdorura.
Përpara se të importojë me ligj mbetje të riciklueshme, ka mbi një dekadë e gjysmë, që me vendimin absurd të përjashtimit të automjeteve të përdorura nga barrierat e importeve, Shqipëria po fut përditë plehra në trajtën e makinave të përdorura që kapardisen në mes të diellit nëpër rrugët e saj. Ajo është bërë han me dy porta dhe rrezikon të kthehet në një varrezë të madhe makinash të vjetra. Gjithfarësoj karakatinash hyjnë e shiten jashtë çdo kontrolli shtetëror. Çdo vit importohen rreth 45.000 automjete të përdorura përkundrejt vetëm 1500 të reja.
Tabloja është e trishtuar. Gjashtëdhjetë për qind e parkut të automjeteve në vend përbëhet nga automjete të grup moshës 15-30 vjet, të cilat lëshojnë në ajër gazra e tymra me nivel ndotjeje 10-12 herë më të lartë se normat evropiane. Aktualisht, më pak se 5% e mjeteve të importuara respektojnë këto normativa.
Blerësi i ri i një makine të vjetër, i gëzuar se bleu një mjet të lirë, në të vërtetë humbi se do të paguajë 2-3 herë më shumë me shpenzimet për karburantin dhe mirëmbajtjen e karakatinës që mori. Ai dhe fëmijët e tij humbën, pra humbi edhe gjithë kombi sepse po dëmton shëndetin duke thithur përditë ajër të ndotur. Cili ekip specialistësh do të mund të saktësonte shifrën e kësaj humbje? Ku po shkojmë kështu? Apo është luks të pretendosh studime të tilla?
Kështu humbasim të gjithë sepse vihet në rrezik jeta e shtetasit shqiptar. Në shumicën e rasteve, makinat e përdorura që ofrohen për shitje kanë pësuar më parë një aksident dhe me kilometrazhin (e trukuar) i kanë bërë pajisjet tejet të amortizuara duke u bërë shkak për aksidente të tjera. Makinat e reja, të shitura sipas normave evropiane, kanë sisteme sigurie që i shmangin në maksimum gabimet njerëzore.
Ndërsa, thuajse në të gjitha fushat e tjera, të paktën formalisht, legjislacioni shqiptar është përafruar apo po përafrohet me legjislacionin evropian, si një shkallë e domosdoshme për t’u anëtarësuar në BE, në fushën e mbrojtjes së mjedisit mbetet ende shumë punë për të bërë. Sidomos, në drejtim të rregullimit të emetimit të gazeve nga automjetet, kemi mbetur shumë prapa. Për më tepër, si rezultat i vazhdimit të importimit të pakontrolluar të automjeteve të përdorura, hendeku që na ndan nga vendet e BE-së, por edhe nga vendet fqinjë që aspirojnë të hyjnë në BE, po thellohet çdo ditë.
Standardet e BE-së për emetimet e gazeve nga automjetet, përcaktojnë nivele gjithnjë e më të ulëta të emetimeve të oksideve të azotit (NOx), hidrokarbureve totale (THC), hidrokarbureve pa metan (NMHC), monoksidit të karbonit (CO) dhe grimcave të ngurta (PM) [Regulation (EC) No. 715/2007 of the European Parliament and of the Council, of 20 June 2007, on type approval of motor vehicles with respect to emissions from light passenger and commercial vehicles – Euro 5 and Euro 6].
Evropa pranon vetëm mjete që respektojnë normativat e mbrojtjes së mjedisit EURO 5 e EURO 6.
Për të shmangur rëndimin e mëtejshëm të ndotjes së mjedisit nga automjetet, disa masa që mund të ndërmerreshin, mund të ishin:
– Makinat e përdorura që importohen duhet të përmbushin kërkesat e standardit evropian Euro 4 të çlirimit të gazeve.
– Makinat e reja që shiten në vend, duhet të përmbushin kërkesat e standardit evropian Euro 5 të çlirimit të gazeve.
– Për makinat që nuk i përmbushin këto kërkesa duhet të zbatohet taksë mjedisi në trajtën e një barre fiskale logaritmike e cila të marrë parasysh vjetërsinë e mjetit, madhësinë e motorit dhe llojin e lëndës djegëse.

Nuk është hera e parë që i shtrojmë këto probleme dhe natyrisht as e fundit. Nuk do të reshtim së përsërituri nevojën e këtyre ndërhyrjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *