- Advertisement -
18.5 C
Tirana
Thursday, March 28, 2024

ALFA ROMEO STELVIO QUADRIFOGLIO

Must read

ETEC 2022/ Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë

Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) që do të zhvillohet më 24-27 Shtator...

ETEC 2022/ Shqipëria në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore

Këtë fundjavë do të jemi në Zadar të Kroacisë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) për të promovuar #SigurinëRrugore te fëmijët. Shqipëria do të përfaqësohet...

ACA organizon për herë të parë “Digital Motorsport Cup”

Auto Club Albania do të organizojë për herë të parë Digital Motorsport Cup, një event që është risi në vendin tonë. Kompeticioni do të...

Cross Car në Shqipëri, ndiqni specialen në TV Klan

Në emisionin e radhës “Jo vetëm modë” në Tv Klan i është kushtuar një kronikë speciale pilotit kampion të Kampionatit Kombëtar të Kartingut 2020,...
Fuqi e lartë, madje shumë e lartë. Shoqëruar nga një manovrueshmëri e jashtëzakonshme, e cila e transformon çdo kilometër në një eksperiencë tejet të këndshme. Një automjet karizmatik, në njëfarë mënyre unik. Modeli perfekt për ta rikthyer kompaninë italiane në lavdinë e dikurshme.

ÇMIMI – 95.000 €

MOTORI – V6 bi-turbo benzinë 2.891 cm3

FUQIA MAKS. – 375 kW (510 kf)

KONSUMI – I homologuar 11,1 km/l

– Real 8,4 km/l

EMETIME CO2 – I homologuar 210 g/km

– Real 285 g/km

Suv-i sportiv në vetvete përbën një kontradiktë termash. Baza e tyre projektuese lind pashmangshmërisht nga një kompromis teknik të dy kategorive në pamje të parë të papërputhshme, ose më saktë fuqi dhe cilindrata të larta dhe funksionaliteti karakteristik i një konfigurimi që ka si prioritet kombinimin hapësirë-komfort. Në fakt, tentativat e shumta të realizuara deri tani për kombinimin e këtyre dy kategorive kontradiktuese kanë rezultuar disi zhgënjyese, edhe për marka të një niveli të lartë inxhinierik: fuqi e tepërt, e nevojshme për të vënë në lëvizje këto modele të mëdha në përshpejtimet gjatësore (ndjekur pashmangshmërisht, nga konsume të frikshme), gjithashtu, po aq vështirësi për të përcjellë tek drejtuesi një ndjesi, duke mos thënë shkathtësie, por të paktën të një ekuilibri dinamik. Në këto modele, zakonisht puna më e vështirë realizohet nga inxhinierët elektronik, të cilët janë të detyruar të studiojnë sisteme ekselente kontrolli, ndërhyrja konstante e të cilëve është e përpiktë, por, me zbulojnë pashmangshmërisht limitet e karrocerisë. Kohët e fundit, diçka duket se ka ndryshuar. Dhe kjo gjë mban emrin e Porsche Macan, e cila në versionin e majës – atë Turbo (jo se versionet e tjera mbeten) – ka sjellë një dimension tjetër tek një specialitet në dukje të destinuar për një mbijetesë të vështirë në disa tregje të pakta, specifike. Duke filluar nga sot, modeli gjerman ka një konkurrente. Mban emblemën krenare të Alfa Romeo dhe quhet Stelvio Quadrifoglio. Dhe është një rivale – si e thënë me një entuziazëm të pastër nga autokritikat – me shumë brumë. Pra, shumë e rrezikshme për kryesueset gjermane.

AMBIENT I RAFINUAR

Një shikim i shpejtë brenda në kabinë. Është po ajo e modelit Stelvio, me disa detaje për të theksuar shpirtin agresiv të versionit. Kroskot i pastër, elegant, me të njëjtat cilësi të shumta dhe të njëjtat defekte të rralla të cilat janë përmendur për modele më të vegjël: pozicion drejtimi optimal (thuajse po aq perfekt sa tek modeli Porsche), cilësi montimi që lë mënjanë paragjykimet e hershme kundrejt standarteve italiane, ndonjë pakënaqësi për ekranin jo shumë të madh të impiantit multimedial (i pamjaftueshëm sidomos kur përdoret navigatori) dhe mundësia e përmirësimit të sektorit të ndërlidhjes (mungon lidhja me internetin, element tashmë e afirmuar në këtë kategori). Megjithatë, duhet pranuar se atmosfera është e studiuar mirë, funksionaliteti ekselent i komandave dhe komoditeti i kabinës në koherencë me ambiciet e një automjeti që kërkon të zërë vend në një nga sektorët më konkurrues të tregut. Vlerësim pozitiv edhe për aftësinë absorbuese të suspensioneve, pavarësisht gomave të ulëta PZero. Gjithsesi, Quadrifoglio merr kuptim kur shtypet butoni Start mbi timon – kujtim i dukshëm për një simbol të lindur për modelet Ferrari – dhe në cepin tjetër të cirkuiteve merr jetë motori biturbo i modelit Giulia Quadrifoglio.

510 KF MBRESËLËNËS

Me të drejtë punonjësit e Alfa Romeo nuk kanë vënë dorë mbi të. Nuk ishte nevoja. Ekzemplari 2.9 është një njësi ekselence inxhinierike, e aftë të punojë me vetëm një bankatë (anën e djathtë, për të qenë më ekzakt) nëse nevojitet të kursehet benzinë dhe limitohet CO2 (për më tepër, tek Alfa motorët modularë prodhohen prej viteve 80’, me CEM të montuar në rreth njëmijë ekzemplarë) dhe të shpërthejë furishëm kur vendoset të shfrytëzohet i gjithë potenciali, i cili është i jashtëzakonshëm. Përshpejtimi 0-100 km/h thotë shumë, mbi dëshirën e modelit Stelvio për t’u shkëputur nga rivalet (ose që pretendojnë të jenë të tilla): 3,8 sekonda është një rezultat i shkëlqyer, më tepër në fushën e supermakinave se për versione me motor të mbidimensionuar të modeleve normale. Ndërkohë, këtu motori V6 duhet të tërheqë afërsisht mbi tonelata, pra mbi 200 kg më tepër se modeli veturë; pastaj, sepse inercitë e një transmisioni në të katër rrotat rrjedhimisht, do të gjenerojnë humbje krahasuar me një traksion të zakonshëm në rrotat e pasme: së fundmi, ky version shoqërohet nga humbjet e homologimit të pranishme në versionet e fundit (fuqia maksimale mbetet e njëjtë, por kurba e ciklit të punës është lehtësisht e ndryshme). Ashtu si tek Giulia, i gjithë ky potencial menaxhohet nga një njësi automatike ZF me tetë marshe (versioni manual nuk është i pranishëm, që është diçka e mirë, duke parë sa i rëndë është mekanizmi i përdorur tek Giulia): ekipi i drejtuar nga Roberto Fedeli vazhdon të ketë besim të palëkundur tek zgjidhja klasike, duke i rezistuar i bindur thirrjes së versioneve me friksionit të dyfishtë. Duhet të pranohet se vetë zgjedhja – në dukje shumë konservatore – të kutisë së shpejtësisë është perfekte për modelin Stelvio: të paktën një herë dorezat në timon nuk janë një detaj thjeshtë i këndshëm për t’u parë (dhe në këtë rast, në prekje, duke marrë parasysh cilësinë e sipërfaqes), por si diçka në funksion të eksperiencës në rrugë. Mund të përdoret në automatike; por vetëm pasi zhvendoset leva në modalitetin manual dalin në pah në perfeksion cilësitë e njësisë motorike, i aftë të prodhojë 6.500 xhiro/min, pa evidentimin më të vogël të turbo lag, aq i shpejtë gjatë rritjes së regjimit sa e bën të domosdoshëm një shikim të shpejtë tek treguesi viziv i ndërrimit të marshit. Pasi kemi konfirmuar se performanca është e jashtëzakonshme, pyetja e vërtetë është përsëri ajo e fillimit: a është dinamika e lëvizjes në lartësinë e fuqisë së pranishme? Përgjigja është unanime dhe e menjëhershme: sigurisht që është! Rezultati i testeve të zakonshme në pistë bëjnë të kuptohet sa e mprehtë është Quadrifoglio në të gjitha situatat e përdorimit.

TRAKSION INTELIGJENT

Sistemi Q4, gjatë përdorimit normal, e kalon të gjithë momentin përdredhës tek rrotat e pasme, me mundësinë e shpërndarjes në mënyrë të barabartë të traksionit midis dy akseve kur aderenca bie. Në asfalt të thatë, e gjitha kjo nënkupton në një sjellje mbresëlënëse, në disa drejtime duke asimiluar (me përjashtim të konfigurimit të ndryshëm teknik) ndjesinë e ofruar nga modeli Giulia me të njëjtin motor. Në këtë model, siç dihet, gjejmë një shasi ku evidentohet më shpesh nënkthimi, i cili vetëm në limite transformohet në një spostim të pjesës së pasme; nëse ndodh, timoni me një ndjeshmëri dhe precizion perfekt, mundëson korrigjime milimetrike dhe është vërtetë një spektakël të shohësh tek mbi 2.000 kg mund të induktohen mbikthime fuqie pa kurrfarë vështirësie. Për ta realizuar këtë duhet përzgjedhur pozicioni Race i selektorit Dna, i cili – krahas çaktivizimit të Esp – modifikon logjikën e menaxhimit të punës së motorit, sistemit të drejtimit, shkarkimit dhe amortizatorëve duke u orientuar drejt një agresiviteti të jashtëzakonshëm. Siç përmendëm, punë e përkryer e realizuar edhe tek puna e suspensioneve, të cilat bëhen tejet në ngurta në modalitetin Race. E pëlqyeshme edhe mundësia e ndarjes së kalibrimit të amortizatorëve nga pozicioni më i skajshëm i dorezës. Zgjidhje kjo e ardhur nga Maranello (ku jo rastësisht punonte më parë Fedeli…). Ndër të tjera, kjo sugjeron edhe një lloj provokimi kundrejt rivaleve. Pas drejtimit të Quadrifoglio, lind e drejta të mendohet se një karroceri e tillë mund të përballojë me lehtësi fuqi akoma më të larta; nëse kjo do të ndodhte, do të kishte vërtetë sens të realizohet edhe Suv-i Ferrari për të cilën përflitet aq shumë!

HAPËSIRA DHE SHIKUESHMËRIA

Përmasat nuk janë të ndryshme nga ato të modeleve të tjera Stelvio. Hapësirë e shumtë para dhe prapa, ku, sipas dëshirës, mund të akomodohet me lehtësi një pasagjer i tretë. Aksesi shumë i mirë: sediljet kanë lartësinë e duhur dhe harku i derës është i tillë sa nuk pengon gjatë hipjes dhe zbritjes.

BAGAZHI

Kapaciteti është më se i mjaftueshëm për nevojat e katër personave. Vendosja nuk është shumë e rregullt, por dyshemeja është e mirë niveluar dhe bordura ka një lartësi të pranueshme. Me porosi, janë të disponueshme drejtuesit me ganxha për të organizuar mirë ngarkesën.

TEKNIKA

SHPIRT SPORTIV (DHE EFIÇENT)

Motori V6 bi-turbo prej 2.891 cm3 me 510 kf dhe 600 Nm është zemra e Quadrifoglio. Skema me V prej 90° tradhton prejardhjen nga një V8 (i cili është ai Ferrari i modelit 488) dhe veçantia e këtij motori është mundësia e çaktivizimit të  njërës prej dy bankatave të cilindrave në ngarkesa dhe regjime të ulëta për të rritur rendimentin. Kjo përfitohet duke mbajtur të mbyllura valvulat e cilindrave në fjalë përmes një mekanizmi ngritjeje të ndryshueshme. Edhe pjesa tjetër e mekanikës është marrë nga modeli Giulia Quadrifoglio, por në dallim nga kjo e fundit, e cila paraqitet me aks të pasmë me rrota aktive dhe është e disponueshme edhe me kambio manuale, Stelvio parashikon traksion integral Q4 dhe transmisionin automatik ZF me tetë raporte. Në kushte normale momenti përdredhës dërgohet vetëm në aksin e pasmë, por nëse afrohet në limitet e aderencës, një friksion me disqe e kontrolluar elektronikisht në varësi të sinjaleve të sensorëve të përshpejtimit anësor dhe gjatësor, të këndit të kthimit dhe shpejtësisë së kthimit (rrotullimi i automjetit sipas aksit vertikal) duke transferuar deri 50 % të momentit përdredhës tek rrotat e para. Për të optimizuar dinamikën e drejtimit, është i disponueshëm në seri diferenciali i pasëm Alfa Torque vectoring, i cili, nëpërmjet dy fraksioneve, mundëson të modifikohet momenti i përdredhës i dërguar në rrotën e brendshme apo të jashtme gjatë kthesës: në këtë mënyrë, elektronika menaxhon në mënyrë aktive nën ose mbikthimin, pa penalizuar performancën, detaj ky tipik i Esp.

TË DHËNA TEKNIKE

(për modelin e provës)

Motori

  • Montuar përpara gjatësor, benzinë
  • 6 cilindra V (90°)
  • Diametri i pistonit 86,5 mm
  • Korsa 82,0 mm
  • Cilindrata 2.891 cm3
  • Fuqia maks. 375 kW (510 kf) në 6.500 xhiro/min
  • Momenti përdredhës maks. 600 Nm në 2.500 xhiro/min
  • Bllok cilindrash dhe testata prej aliazhi të lehtë
  • Bosht ekulibrimi
  • 2 boshte me gunga në testatë për bankatë, variator faze i dyfishtë, ngritje e ndryshueshme e valvulave të thithjes, 4 valvula për cilindër (zinxhir)
  • Injeksion elektronik, çaktivizim i një bankate cilindrash, dy turbo dhe intercooler

Transmisioni

  • Traksion integral me aktivizim automatik
  • Kambio automatike me 8 marshe
  • Diferencial prapa me transferim aktiv të momentit përdredhës

Gomat

  • Pirelli Pzero

Para 255/45R20 101Y

Prapa 285/40R20 104Y

  • Kit riparimi

Karroceria

  • Shasi çeliku me pjesë alumini, 5 dyer, 5 vende
  • Aksi i parë me dy katërkëndësha, sustë helikoidale, bosht stabilizues
  • Aksi i pasmë multilink me katër leva e gjysmë, sustë helikoidale, bosht stabilizues
  • Amortizatorë hidraulikë me kontroll elektronik
  • Frenat me komandë elektrohidraulike me disk autoventiluese, Abs dhe Esp
  • Sistem drejtimi me kremaljerë dhe asistencë elektrike
  • Serbatori 64 litra

Përmasat dhe pesha

  • Hapi 282 cm
  • Karrexhata para 162 cm, prapa 168 cm
  • Gjatësia 470 cm – Gjerësia 196 cm – Lartësia 168 cm
  • Pesha 1.905 kg, me ngarkesë të plotë 2.200 kg, e rimorkiueshme 2.300 kg
  • Bagazhi nga 525 litra

Prodhuar në

  • Cassino (FR)

 

PËRDITËSUAR ME NDËRFAQE TË REJA

Impianti është ai më i kompletuar, tashmë i mirënjohur edhe në versionet e mëparshme Stelvio, megjithatë i përditësuar me ndërfaqet Apple CarPlay dhe Android Auto. Nuk mjafton për ta përcaktuar si të lidhur me rrjetin, por mundësia për të përdorur komanda zanore të evoluara si Siri dhe Google Now është një hap përpara. Sistemi përdor një ekran prej 8,7 inç (reale) mjaftueshëm të gjerë për të mundësuar funksionin komod splitscreen, i cili mundëson paraqitjen e hartës së navigatorit në pjesën më të gjerë dhe informacione të tjera, si p.sh. radion në pjesën më të vogël. Ekrani nuk është touch: komandohet me shumë lehtësi përmes rrotullës së madhe dhe dy butonave mbi panelin qendror, sipas një logjike shumë lehtësisht të interpretueshme, e cila nuk kërkon të hiqet shumë vëmendja nga drejtimi. Por mund të përdoren edhe komandat zanore, të cilat shprehin një funksionalitet mbresëlënës. Nivel i lartë cilësor edhe për impiantin Harman Kardon me 14 altoparlante dhe subwoofer prej 900 Watt. Në seri radio Dab.

VAIRANORING

MË E SHPEJTA NGA TË GJITHA

Ka thyer çdo rekord: është Suv-i më i shpejtë i testuar në cirkuitin handling të Vairanos. Koha e shënuar tregon shumë mbi cilësitë rrugore të këtij modeli Alfa, i cili, kur bëhet fjalë për drejtim të vërtetë, duket sikur i harron gati 20 centimetra më tepër lartësi (dhe 200 kg më tepër peshë) të cilat e ndajnë nga modeli Giulia. Stelvio ishte shumë e këndshme në sektorët e shpejtë, ku transmeton një siguri të lartë, por mahniti edhe në sektorët e ngadaltë dhe të vështirë, ku tregoi se është e aftë të lëvizë më një shkathtësi të papritur. I jashtëzakonshëm balancimi midis shasisë, motorit, kambios dhe traksionit integral. Transferimi i momentit përdredhës midis një aksi dhe tjetrit menaxhohet në mënyrë të shkëlqyer. Kështu, përfundon në dalje nga kthesat e ngushta shumë shpejt, me pjesën e pasme që rrëshqet progresivisht drejt anës së jashtme, duke kontrolluar një mbikthim fuqie, sa të vogël, po aq edhe efikas.

 

ANË POZITIVE

Drejtim entuziazmues. Është një kënaqësi të drejtosh modelin Stelvio. Diçka që i tejkalon performancat, ndër të tjera të shkëlqyera dhe unike në këtë kontekst.

Motori dhe kambio. Një motor V6 me garat në Adn, i mbështetur në mënyrë të shkëlqyer nga kambio me tetë marshe ZF.

ANË NEGATIVE

Asistenca në drejtim. Mungojnë sistemet më të rafinuara. P.sh. kontrolli aktiv i trajektores, tepër komod për udhëtimet e gjata.

Konsumi. Mesataret nuk bindin, por nuk kishte si të ishte ndryshe, nëse merret parasysh fuqia për të cilën bëhet fjalë.

 

VLERËSIMI

POZICIONI I DREJTIMIT

Mbështetje e mirë për trupin në sediljen sportive dhe të mirë strukturuar. Rregullimet elektrike janë precize dhe mundësojnë për këdo që të gjejë pozicionin më të përshtatshëm. Timoni është i vogël, por me një kënd pjerrësie disi të lartë.

KOMANDA DHE INSTRUMENTE

Dorezat e mëdha të kambios, të lidhura mirë më bllokun e timonit, janë të këndshme në shikim dhe efikase në përdorim. Instrumente klasike, me tregues analogë të ndara nga ekrani i zakonshëm alfanumerik.

INFOTAINMENT

Një sistem i thjeshtë dhe funksional, me të cilin ambientohesh menjëherë. Komandohet lehtësisht me rrotullën e madhe në panelin qendror dhe dy butonat anash. Tashmë e përshtatshme me Apple CarPlay dhe Android Auto.

KLIMATIZATORI

Një impiant i mirë automatik me dy zona dhe shfryrës ajri edhe për vendet e pasme dhe riqarkullim automatik. Pasi vendoset, e ruan më së miri temperaturën, pa qenë nevoja për rregullime të mëtejshme.

SHIKUESHMËRIA

Kolona anësore dhe pasqyra krijojnë një kënd të errët disi të madh në anën e majtë. Gjatë manovrave drejtuesi ndihmohet nga sensorët dhe kamera, e cila gjeneron një pamje të vogël dhe të një cilësie jo shumë të lartë.

CILËSIA E MONTIMIT

Kabina është e realizuar me shumë kujdes dhe vëmendje. Pëlqehen në veçanti sediljet me qepje të dyfishtë me kontrast dhe timoni prej lëkure dhe fibre karboni. Megjithatë, disa detaje kanë vend për përmirësime.

AKSESORËT

Disponibiliteti i tyre në seri është vërtetë i lartë. Në listën e opsionaleve spikasin ato pajime ekskluzive që mundësojnë futjen e modelit Quadrifoglio në klasën e lartë. Duke filluar nga sediljet me fibër karboni dhe frenat karbo-qeramike.

PAJISJET E SIGURISË

Krahas ofertës së zakonshme të airbag, tek Quadrifoglio janë të pranishme frenimi automatik emergjent me njohje të këmbësorëve dhe monitorimi i qarkullimit gjatë lëvizjes prapa.

ASISTENCA NË DREJTIM

Cruise control aktiv është i disponueshëm me porosi (1.200 euro). Në seri vjen kontrolli i këndeve të errët gjatë parakalimit dhe sinjalizimi i daljes nga korsia e lëvizjes. Për momentin, nuk parashikohet Traffic jam assist.

HAPËSIRA

Kabina është e mirë organizuar për të mirëpritur katër persona, megjithatë edhe për tre persona nuk është aspak keq. Edhe aksesi është mbresëlënës: tek Stelvio nuk ngjitesh apo zbret, thjeshtë ulesh.

BAGAZHI

Në total janë në dispozicion 421 litra, përfshirë edhe 29 litrat e një xhepi të vogël të përfituar poshtë dyshemesë. Nëse nevojitet më tepër hapësirë duhet të shtrihen pjesërisht ose plotësisht mbështetëset e pasme (të fraksionuara 40/60).

KOMFORTI

Super vitaminizimi i mekanikës nuk ka ndikuar shumë tek komforti. Megjithatë, me kusht që të lihet konfigurimi në pozicionin Normal. Në konfigurimet Dynamic ose Race, shasia dhe zhurma e motorit V6 marrin pamje tjetër.

MOTORI

Mbi 500 kf dhe 600 Nm moment përdredhës. Ajo që tërheq më tepër është gatishmëria me të cilën përgjigjet: turbolag është thuajse inekzistent dhe përshpejton deri mbi 7.000 xhiro/min. Pastaj janë vlerësimet e shkarkimit, prej supermakine të vërtetë.

PËRSHPEJTIMI

Traksioni integral jep një ndihmë të madhe për të shkarkuar në tokë tërë fuqinë e disponueshme. Kështu Quadrifoglio shpalos një rezultat spektakolar prej 3,8 sekonda tek 0-100 km/h, e barabartë me një përshpejtim 0,8 g.

RIMARRJA E SHPEJTËSISË

Mjafton të shkelet pedali i gazit deri në fund që të shihet si rrëshqet përpara ky model Alfa. Motori dhe kambio bashkëpunojnë në mënyrë perfektë. Kështu, për të kaluar nga 70 në 120 km/h mjaftojnë vetëm 4 sekonda.

KAMBIO

Varianti ZF me tetë marshe është një siguri dhe kompania e ka pasqyruar në mënyrë optimale tek karakteristikat e motorit V6. E butë në Drive, bëhet mbresëlënëse gjatë përdorimit manual në konfigurimin Race. Kalimi nga III-IV i këndshëm në dëgjim.

TIMONI

Ruan cilësitë e veçanta të modelit Giulia dhe në veçanti, të variantit Quadrifoglio: gatishmëri e lartë, progresion ekselent dhe një preçizion i lartë. Si përfundim, mjeti ideal për të transformuar trajektoret në diçka artistike.

FRENAT

Edhe në mungesë të frenave karbo-qeramike, të disponueshme vetëm me porosi, performanca është  e shkëlqyer. Kjo makinë Suv ka hapësira ndalimi të ulëta. Së fundmi, një pedal perfekt: homogjen, me korsë të shkurtër, si në një sportive të vërtetë.

SJELLJA DINAMIKE

Ajo që habit më tepër është ekuilibri i arritur midis komponentëve të ndryshëm, aq sa e shndërron drejtimin e modelit Quadrifoglio instiktiv dhe shumë të kënaqshëm. E shpejtë, po aq sa edhe e sigurt.

KONSUMI

Pavarësisht efiçencës së motorit V6, konsumi është disi i lartë. Pastaj, nëse lejohet humbje në fuqinë prej mbi 500 kf, arrihet në një situatë ku 64 litrat e serbatorit nuk ndihen aspak.

- Advertisement -

More articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisement -

Latest article

ETEC 2022/ Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë

Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) që do të zhvillohet më 24-27 Shtator...

ETEC 2022/ Shqipëria në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore

Këtë fundjavë do të jemi në Zadar të Kroacisë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) për të promovuar #SigurinëRrugore te fëmijët. Shqipëria do të përfaqësohet...

ACA organizon për herë të parë “Digital Motorsport Cup”

Auto Club Albania do të organizojë për herë të parë Digital Motorsport Cup, një event që është risi në vendin tonë. Kompeticioni do të...

Cross Car në Shqipëri, ndiqni specialen në TV Klan

Në emisionin e radhës “Jo vetëm modë” në Tv Klan i është kushtuar një kronikë speciale pilotit kampion të Kampionatit Kombëtar të Kartingut 2020,...

Auto Club Albania prezanton disiplinën më të re në motorsportin shqiptar, Cross Car

Jeni gati për adrenalinë, spektakël dhe risi?! Automobile Club Albania prezanton një disiplinë të re garash që i shtohet motorsportit në Shqipëri. Bëhet fjalë...