- Advertisement -
11.5 C
Tirana
Thursday, April 18, 2024

Renault Clio RS

Must read

ETEC 2022/ Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë

Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) që do të zhvillohet më 24-27 Shtator...

ETEC 2022/ Shqipëria në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore

Këtë fundjavë do të jemi në Zadar të Kroacisë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) për të promovuar #SigurinëRrugore te fëmijët. Shqipëria do të përfaqësohet...

ACA organizon për herë të parë “Digital Motorsport Cup”

Auto Club Albania do të organizojë për herë të parë Digital Motorsport Cup, një event që është risi në vendin tonë. Kompeticioni do të...

Cross Car në Shqipëri, ndiqni specialen në TV Klan

Në emisionin e radhës “Jo vetëm modë” në Tv Klan i është kushtuar një kronikë speciale pilotit kampion të Kampionatit Kombëtar të Kartingut 2020,...

Kthesa marramendëse

Është në trajektoret me kthesa që makina kompakte franceze shprehet më së miri, falë një aseti lehtësisht të prirur drejt mbikthimit, sidomos kur përzgjidhet modaliteti Race. Motori arrin thuajse 200 kf dhe shfaq një lloj ashpërsie në regjime të larta motorike, ndërsa kambio me dopio friksion lë të kalojë ndonjë moment ndërmjet impulsit të dhënë nga komandimi dhe kalimit efektiv në marshin e dëshiruar

Karroceria, e ofruar vetëm me pesë dyer, jep menjëherë një ide të qartë të karakterit të modelit të ri RS: sigurisht sportiv, por me disa lëshime në drejtim të komfortit, si dhe më praktike në krahasim me modelin e mëparshëm. Kjo edhe falë kambios me dopio friksion të ofruar në seri, që në modalitetin automatik e bën më të thjeshtë për të kontrolluar makinën. Ndërkohë motori 1.6 turbo garanton dozën e momentit përdredhës që mungonte në regjime të mesme tek motori “i vjetër” 2.0 litra i aspiruar: kjo gjë të detyronte të mbahej xhiromatësi përtej zonës së mesme të xhirove, për të arritur performancat e dëshiruara. Edhe pse është më pak i prirur ndaj mbikthimit gjatë lëshimit të pedalit të gazit, aseti mbetet si gjithmonë një nga pikat më të forta të një veture që ka si “defekt” të vetëm kambion me dopio friksion, i cili i merr disi me vonesë komandat, si dhe motori që shfaq një lloj ashpërsie me rritjen e regjimit të punës. Shumë efikase frenat, edhe pse në frenimet më të forta, pjesa e bishtit ka tendencën të humbasë peshë, duke bërë të nevojshëm ndonjë korrigjim në timon.

Nuk kalon pa u vënë re

Clio më e fuqishme e gamës nuk bën asgjë për të kaluar pa u vënë re, sidomos në pjesën e pasme, ku ekstraktori i madh i ajrit dhe marmita e dyfishtë, së bashku me spoilerin e gjerë të vendosur mbi xhamin e pasmë, i japin një look mjaft racing. Ndërsa në kabinë është përdorur receta tashmë e konsoliduar e modeleve RS: sedilje përfshirëse me formë sportive, materiale teknike për veshjen e sediljeve dhe tegela të kuq, ngjyrë e përdorur edhe për rripat e sigurimit, timon sportiv me tri rreze, pedale metalike dhe një risi absolute, levat e marsheve nën timon, që i shtohen levës klasike në tunelin qendror – për të manovruar me këtë të fundit, duhet tërhequr leva prapa për të ngjitur marshet dhe duhet shtyrë përpara për t’i ulur, njësoj si në makinat e garave. Një tjetër risi përfaqësohet nga butoni RS Drive, që mundëson përzgjedhjen ndërmjet tri programeve të ndryshme të drejtimit, si ai më ekstremi, i quajtur Race, që aktivizohet duke mbajtur shtypur butonin për disa momente, pikërisht për të evituar mundësinë që të aktivizohet në mënyrë të pavullnetshme, duke qenë se ky modalitet parashikon çaktivizimin e plotë të sistemit të kontrollit të qëndrueshmërisë. Ndryshon edhe grafika e kuadrit të instrumenteve në krahasim me një Clio normale, edhe pse nuk parashikohen indikatorë shtesë, megjithëse, duke porositur edhe monitorin e integruar R-Link, të dhënat e ofruara janë shumë të mëdha dhe përfshijnë momentin përdredhës dhe fuqinë e çliruar në çdo moment, temperaturën e ajrit gjatë aspirimit, presionin e turbos, këndin e hapjes së farfallës, temperaturën e vajit të kambios, rrëshqitjen e rrotave aktive dhe këndin e kthesës së timonit. Falë konfigurimit me pesë dyer, hyrja në pjesën e pasme është më e lehtë se në të shkuarën, por tavani i pjerrët drejt pjesës së pasme detyron për ndonjë sakrificë më shumë se tek një makinë klasike me dy vëllime, ndërsa bagazhi ofron një kapacitet ndër më të mirët e kategorisë: 300-1.146 litra, kundër 285-1.076 litrave të Peugeot 208 GTi. Siç vumë re edhe kur shqyrtuam versionin standard të Clio, cilësia e përgjithshme është e mirë edhe pse jo sipërore, sidomos për shkak të pjesëve plastike të ashpra të përdorura për kroskotin dhe panelet e dyerve, si dhe për montimin jo gjithmonë rigoroz të disa pjesëve, ndërkohë që pajimi në seri i RS është i plotë dhe përfshin edhe kambion me dopio friksion, një opsion që konkurrentët nuk e ofrojnë as si opsion shtesë, me përjashtim të Volkswagen Polo GTI, e cila ka një fuqi më të ulët me 20 kf.

Teknikë dhe siguri

Përveç motorit 1.6 turbo me injeksion direkt, modifikimet në krahasim me Clio-n standard kanë të bëjnë me asetin, më i ngurtë dhe i pajisur me amortizatorë më të mëdhenj, përveç se me një bosht kundër rrokullisjes në pjesën e pasme, i cili ka një ngurtësi të rritur me 10% në krahasim me modelin e shkuar Clio RS. Në rast se do të zgjidhni shasinë Cup, lartësia nga toka do të ulet edhe me 3 mm të tjerë, ngurtësia do të rritej edhe me 15% shtesë ndërsa timoni do bëhej edhe më i drejtpërdrejtë. Në krahasim me një Clio normale, impianti i frenimit është zmadhuar dhe parashikon disqe të para autoventiluese prej 320 mm dhe të pasme prej 260 mm, ndërsa zhurma e shkarkimit të gazeve bëhet edhe më përfshirëse nga prania e një membrane që, nëpërmjet një rrugëdalje të dedikuar, transmeton në kabinë zhurmën e aspirimit. Nuk mungon as kontrolli elektronik i qëndrueshmërisë, i pasuruar me funksionin RS Diff, për të simuluar veprimin e një diferenciali vetëbllokues, i cili ngadalëson nëpërmjet pincave të frenave rrotën që ka aderencë më të ulët.

Gjithnjë efikase

Pavarësisht një vonese të vogël nën 2.500 xhiro, motori i ri turbo ka agresivitetin që pritet nga një Renault të sigluar RS. Çlirimi i fuqisë është gjithmonë progresiv dhe zgjatja humbet disi karakter vetëm pasi kalohen 6.000 xhirot, pikërisht kur tapeti i provës regjistroi një fuqi efektive prej 197,3 kf. Edhe përshpejtimi (regjistruar 6,81 sekonda për 100 km/h) nuk është shumë larg nga koha prej 6,7 sekondash e deklaruar nga prodhuesi dhe nga 6,89 sekondat e një kundërshtareje direkte si Peugeot 208 GTi. Por pika e fortë e RS mbetet aseti, që mundëson hyrje tepër të shpejta në kthesa e sidomos një aderencë tepër të lartë gjatë përshkimit të saj, ku mjafton të heqësh këmbën nga pedali i gazit për të ngushtuar trajektoren e makinës, edhe pse reagimet janë shumë më pak të theksuara dhe më progresive se tek Clio RS e vjetër. Duke e futur me “dhunë” në kthesa, rrota e pasme që gjendet në anën e brendshme të kthesës ngrihet nga asfalti, ndërsa në modalitetin Race, atë që eliminon veprimin e Esp, është e mundur të provokohen mbikthime që bëhen të vështira për t’u kontrolluar vetëm në shpejtësi shumë të larta. Në këto situata bishti ka tendencën të humbasë peshë në mënyrë të ndjeshme gjatë frenimeve më të fuqishme, ku bëhen të domosdoshme korrektime të vogla të timonit, për të ruajtur trajektoren e dëshiruar. Nga ana tjetër, hapësirat e frenimit janë me të vërtetë të vogla, siç konfirmojnë 119,1 metrat e nevojshëm për t’u ndalur nga 180 km/h, një vlerë me shumë rëndësi, sidomos nëse krahasohet me 123 metrat e Peugeot GTi. Në aspektin e sportivitetit zhgënjen disi kambio: ndërrimet e marsheve janë të shpejta, por verifikohet një vonesë e bezdisshme nga momenti kur tërhiqet leva pas timonit, deri kur futet efektivisht në punë raporti, ashtu si gjatë zbritjeve të marsheve, ku ndonjëherë sistemi nuk e pranon raportin e kërkuar. Ndërkohë, modalitetin automatik komforti është i siguruar, edhe pse RS duhej të privilegjonte më shumë sportivitetin sesa cilësinë e jetesës në bord. Megjithatë, në kompleks komoditeti është i mirë, edhe pse suspensionet kanë një karakter më sportiv dhe mund të vihen në vështirësi në rrugët me asfalt shumë të dëmtuar.

Diçitura:

Ekstraktor ajri dhe dy marmita

Karakterizimi sportiv i RS është i dukshëm sidomos në pjesën e bishtit, ku spikatin ekstraktori i ajrit dhe dy marmitat në pjesën e poshtme të goditjepritësit, si dhe spoileri mbi derën e bagazhit

Frena të kuqe për paketën RS

Përveç konfigurimit më sportiv të suspensioneve dhe timonit më të drejtpërdrejtë, paketa RS përfshin edhe pinca të kuqe për frenat

Një buton, tre stile drejtimi

Butoni RS Drive mundëson përzgjedhjen ndërmjet 3 programeve të drejtimit. Ai më ekstremi, i quajtur Race, çaktivizon tërësisht sistemin e kontrollit të qëndrueshmërisë. Përveç se nëpërmjet levës, kambio mund të kontrollohet edhe nëpërmjet “paddles” të vendosura nën timon

Rripa të kuq

Rripat e sigurimit dhe tegelat e qepjeve të sediljeve me ngjyrë të kuqe karakterizojnë kabinën e Clio RS. Njësoj si një Clio normale, makina është e homologuar për 5 pasagjerë, edhe pse divani është i rehatshëm vetëm për dy persona

Sedilje sportive

Veçanti e RS janë sediljet shumë përfshirëse, tepër të vlefshme për një stil drejtimi sportiv. Përveç navigatorit, makina mund të pajiset edhe me RS Monitor, një lloj pajisje telemetrike që analizon shumë parametra të veturës, ndër të cilat nxitimin, këndin e kthesës, temperaturat, përfshi atë të vajit të kambios, si dhe të dhëna të tjera që mund të shkarkohen edhe në një Usb

Të dhëna teknike

Motori: Benzinë, i montuar përpara në mënyrë gjatësore – 4 cilindra në linjë – diametri i pistonit 79,7 mm / korsa 81,1 mm – cilindrata 1.618 cc – fuqia max. 147 kW (200 kf) në 6.000 rpm – momenti motorik max. 240 Nm në 1.750 – bllok cilindrash dhe testatë prej aliazhi të lehtë – 2 boshte me gunga në testatë, variator i dyfishtë faze, 16 valvula (zinxhir) – injeksion direkt, turbo dhe intercooler.

Transmisioni: traksion në rrotat e para – kuti shpejtësie automatike-sekuenciale me dopio friksion me 6 raporte

Goma (përmasa bazë): 205/45ZR17 88Y – Kit riparimi për gomat

Karroceria: Veturë me 2 vëllime, 5 dyer, 5 vende – aksi i parë me rrota të pavarura, krah i tërthortë me bosht teleskopik (skemë MacPherson), susta helikoidale, bosht stabilizues – aksi i dytë me rrota të ndërlidhura, susta helikoidale – amortizatorë hidraulik – frena me disk autoventilues, ABS dhe ESP – sistem drejtimi me kremaljerë dhe asistencë elektrike – serbatori 45 litra

Përmasat dhe pesha: hapi 259 cm – karrexhata e parë dhe e pasme 150 cm –gjatësia 409 cm – gjerësia 173 cm – lartësia 143 cm – pesha 1.204 kg, me ngarkesë të plotë 1.711 kg – bagazhi nga 300 në 1.146 litra

E prodhuar në: Dieppe (Francë)

/monitor.al

- Advertisement -

More articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisement -

Latest article

ETEC 2022/ Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë

Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) që do të zhvillohet më 24-27 Shtator...

ETEC 2022/ Shqipëria në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore

Këtë fundjavë do të jemi në Zadar të Kroacisë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) për të promovuar #SigurinëRrugore te fëmijët. Shqipëria do të përfaqësohet...

ACA organizon për herë të parë “Digital Motorsport Cup”

Auto Club Albania do të organizojë për herë të parë Digital Motorsport Cup, një event që është risi në vendin tonë. Kompeticioni do të...

Cross Car në Shqipëri, ndiqni specialen në TV Klan

Në emisionin e radhës “Jo vetëm modë” në Tv Klan i është kushtuar një kronikë speciale pilotit kampion të Kampionatit Kombëtar të Kartingut 2020,...

Auto Club Albania prezanton disiplinën më të re në motorsportin shqiptar, Cross Car

Jeni gati për adrenalinë, spektakël dhe risi?! Automobile Club Albania prezanton një disiplinë të re garash që i shtohet motorsportit në Shqipëri. Bëhet fjalë...