Vetëm dy vendësh dhe me shpejtësinë në gjak: rikthehet miti spider me akrepin mbi kofano. Provuam edhe versionin e garave (Rally)
124 Spider
MOTORI – L4 turbobenzinë 1.368 cm3
FUQIA MAKSIMALE – 125 kW (170 kf)
MOMENTI PËRDREDHËS – 250 Nm në 2.500 xhiro/min
TRAKSIONI – në rrotat prapa
KAMBIO – manuale me 6 marshe
0-100 km/h – 6,8 s
KONSUMI MESATAR – 15,6 km/l
PËRMASAT – gjat. 405 – gjer. 174 – lart. 123 cm
PESHA – 1.060 kg
ÇMIMI – 40.000 €
Makinë me karakter, dhe kjo jo vetëm për faktin e zhurmës që del fuqishëm nga marmitat. Ajo vërtetë ndihmon, por fakti është se makina Abarth 124 ngjall emocione të menjëhershme edhe kur është e ndaluar. E pashmangshme lidhja me të kaluarën, për ata që e kanë parë të eci nëpër rrugë dhe në gara, por edhe për të rinjtë, që kanë dëgjuar të flitet për të. Linja është një shembull i pastër i dizajnit modern: bukuria e një të kaluare të lavdishme, pa asnjë teprim stilistik. Me pak fjalë, një makinë e bukur, e këndshme, tërheqëse, që nuk kalon pa u vënë re. Për këtë ndikojnë padyshim edhe përmasat e përsosura, të cilat pasqyrohen në ekuilibrin e shkëlqyer të trupit mbi akse, pasi, me dy persona në kabinë, në shpërndarjen e peshës ndihet një epërsi e lehtë në pjesën e pasme. Kabina është e vogël, e mbledhur, gjë që rrallë e hasim në makina të tjera. Në të ka intimitet dhe ndarje pothuajse totale të hapësirës. Sediljet janë të ulëta, vetëm disa centimetra nga toka, ndaj dhe këmbët shtrihen përgjysmë. Pavarësisht mungesës së rregullimit të aksit të timonit, rehatia arrihet lehtë. Brenda kroskotit të vogël e të mirë formuar, gjendet takimetri, i madh, me numra me ngjyrë të bardhë në sfond të kuq. Disa centimetra më tej në të djathtë, është leva e shkurtër e marshit, e cila vepron direkt tek mekanizmat, e bukur në thjeshtësinë e saj (mund të imagjinohet lehtë ndërsa përzgjedh ingranazhet). Sediljet janë të strukturuara mjaft mirë dhe pedalet me metal të zhveshur duket se nuk presin gjë tjetër veçse të manovrohen (shtypja me majën e thembrës këtu ka ende kuptim). Nuk mbetet gjë tjetër: le të ndezim motorin.
MOMENTI PЁRDREDHЁS DHE FUQIA
Motori katër cilindra shtyn fort që në fillim. Gatishmëria në përgjigje (turbo-lag pothuajse nuk ekziston), është cilësia që befason edhe më shumë se vetë motori. Nuk ka nevojë të tërhiqet për të arritur shpejtësi. Mes 2.000 dhe 5.000 xhiro/min ka gjithçka që është e nevojshme. Mund të provohet edhe në 6.000 xhiro, por një gjë e tillë nuk ka shumë kuptim, duke qenë se tejkalimi i shpejtësisë maksimale, bën që kurba e energjisë të ulet shumë shpejt. Prandaj është më mirë të luhet me marshet, që janë një nga pikat më të forta të kësaj makinë, dhe të shfrytëzohet fuqia e momentit përdredhës të motorit, e cila është e madhe dhe gjithmonë e pranishme. Performanca, megjithatë, është interesante: sipas kompanisë prodhuese, shpejtësia maksimale arrin në 240 km/h dhe 0-100 km arrihen në 6.8 sekonda. Aspak keq për një spider të vogël si ky.
SUSPENSIONET “SI ME POROSI”
Shasia është më pak e ngurtë se sa mund të imagjinohet. Amortizatorët e veçantë Bilstein, me taraturë të ndryshueshme për frekuencat e ulëta dhe të larta, janë shumë efikas jo vetëm në frenimin gjatë ndryshimit të korsisë në shpejtësi, por edhe të aftë të zbusin goditjet gjatë terreneve jo të mirë. Shasia, pra, është e ndërtuar për ecje më shumë në rrugë se sa në pistë, gjëja e duhur për një makinë të këtij lloji. Në modalitetin Sport, përgjigja e motorit është edhe më e gatshme dhe e saktë, sistemi i drejtimit fiton qëndrueshmëri dhe Esp lejon shpejtësi edhe më të madhe. Kjo është mënyra më e mirë për të shijuar modelin 124. Në sajë të balancimit të mirë të peshës dhe inercisë së reduktuar, hyrja në kthesë është e shpejtë dhe e saktë. Nga kjo pikë e më tej, mund t’i rijepet gaz sipas dëshirës, falë tërheqjes së shkëlqyer e cila garantohet nga diferenciali me vetë-bllokim. Çdo gradë timoni, ndiqet nga lëvizja e pjesës së prapme, e cila tenton të zgjerojë kënd, duke e shoqëruar butësisht makinën deri në daljen nga kthesa. Një kënaqësi e vërtetë, që dyfishohet nga zhurma e katër cilindrave, që siç e thamë, shpaloset pa ndrojtje, madje kur e lëshon, “dhuron” edhe zhurmë më të fortë. Duke shtypur butonin e posaçëm në pjesën e poshtme të kroskotit (i fshehur), Esp mund të çaktivizohet. Një gjë e tillë, është padyshim e këshillueshme të bëhet në pistë: vetëm kështu mund të vlerësohet si duhet shpirti i vërtetë sportiv i kësaj makine. I shtyrë në limit, dhe i lirë nga kontrollet, modeli 124 ecën në ekuilibër të vazhdueshëm, aq sa drejtohet më shumë me gaz se sa me timon. Ai përgjigjet në mënyrë progresive dhe të parashikueshme, por mbikthimi bëhet i prekshëm e real, ndaj duhet të mbahet nën kontroll. Në këtë mënyrë shtohen xhirot dhe kambio me frenat përdoren me më shumë saktësi, duke bërë që drejtimi të duket si një lojë.
E LINDUR PЁR SHPEJTЁSI
MODELI 124 RALLY shënon kthimin e kompanisë në botën e garave në rrugë. I ndërtuar mbi bazën e modelit të serisë, fsheh brenda kofanos, motorin më të fuqishëm me katër cilindra, 1.8 me injeksion të drejtpërdrejtë, me origjinë nga Alfa Romeo (Giulietta dhe modeli 4C), i përpunuar që të arrijë 300 kf në 6.500 xhiro/min. Shumë i fuqishëm momenti përdredhës, i cili në varësi të modalitetit të zgjedhur – katër të tillë – arrin 500 Nm. Motori është i pajisur me sistemin Antilag, i cili praktikisht redukton në zero kohën e përgjigjes së turbos. Kambio është sekuenciale, me gjashtë marshe, me komandat në timon, ndërsa diferenciali vetë-bllokues është mekanik. Ka edhe një pajisje të rafinuar “traction control”, e cila rregullohet në pesë pozicione të ndryshme (Wet, Low Grip, Medium, High e Off). Disa xhiro në pistën e testimit në Balocco, ndihmojnë të njohim aftësitë e mrekullueshme të modelit 124 Rally. I fuqishëm dhe i lehtë (pesha e homologuar është rreth 1.000 kg), ai të bën për vete me aftësinë për të shkarkuar pa asnjë problem fuqinë e motorit katër cilindërsh. I homologuar në kategorinë FIA GT-R, do të mund të marrë pjesë në të gjitha garat e rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare dhe do t’i japë jetë gjithashtu edhe një kampionati të markës (shtatë gara të përfshira në Kampionatin Italian Rally).
DIÇITURA:
Kabina, e vogël dhe e mbledhur, ka sedilje sportive të rehatshme me mbështetëse të rregullueshme për këmbët. Pjesa e sipërme komandohet manualisht: mund të hapet edhe me një dorë të vetme
Katër marmitat prodhojnë një zhurmë në kor, jo të vogël: linja e dytë e shkarkimit, në fakt, hapet automatikisht në varësi të fuqisë së kërkuar. Në rrugë, aftësitë janë mbresëlënëse
Vendi i drejtuesit tek versioni rrugë. Këtu më sipër, vendi në versionin garë: dallohen dy doreza të mëdha të kambios sekuenciale si dhe leva e frenit të dorës. Në timon, dy dorezat, shërbejnë për rregullimin e sistemit “traction control” si dhe për modalitetet e motorit