Njihuni me historitë e shkurtra të tre pilotëve që kanë sfiduar vështirësitë për të shijuar emocionet që të fal shpejtësia. Emiljano Sakuli, Erjus Tufa dhe Besmir Kolasi, frymëzim për të apasionuarit e kësaj fushe
Revista “AutoClub” e dedikuar plotësisht fushës së automobilizmit dhe motorsportit, e cila është e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, vazhdon traditën e promovimit dhe pasqyrimit të historive të shkurtra të pilotëve shqiptarë. Në bashkëpunim me grupimin “Illyrius Motorsport”, revista sjell përshkrimet e tre pilotëve të apasionuar pas garave dhe makinave.
Emiljano Sakuli
Si çdokush, pasioni për makinat lindi pas filmit të parë “Fast&Furious”. Në vitin 2006 ai blen makinën e tij të parë sportive, një Honda Accord me të cilën merr pjesë në disa gara në Gjadër si Drag dhe Circuit. 2011-ta ishte viti i tij, kur ai blen makinën e ëndrrave, një Mitsubishi Evolution X. Pasioni nuk ndalet dhe ai nis modifikimet duke arritur deri në 400 kuaj fuqi. Fatkeqësisht, në vitin 2012 pëson një aksident në punë dhe si pasojë nuk lëviz dot më këmbët. Çdo ditë mendonte si mund t’i jepte makinës sepse nuk donte të ndalej aty. Në pamundësi për të vazhduar më tej me manualen, vendos ta shesë dhe të marrë një automatike. Dhe kur e gjeti një të tillë, Emiljanos iu rikthye sërish buzëqeshja. Tashmë ai vazhdon me modifikimet, duke arritur 450 kuaj fuqi. Edhe pse duke komanduar makinën vetëm me duar, ai merr pjesë çdo vit në Drag Race Prishtina duke mos dalë pa çmim. Gjithashtu, djali i tij Enea ndjek rrugën e babait dhe në 2018-ës u shpall fitues në Kampionatin Kombëtar të Kartingut në kategorinë Junior që organizohet nga Auto Club Albania. Ndërsa, në 2019-ën u rendit në vend të tretë po në kategorinë Junior. Emiljano Sakuli është shembulli konkret i përkushtimit ndaj pasionit pa u dorëzuar kurrë, pavarësisht pengesave.
Erjus Tufa
Tashmë, do të kalojmë në kampionatin “Supermoto” për të folur për një nga pilotët më të dalluar të tij. Një kampion i cili pasionin e ka pasur që në fëmijëri. Ai nis të garojë në vitin 2008 në “Rally Albania” dhe më pas në vitin 2009 nis të garojë me motor. Sot Erjus Tufa është kampion në Drag dhe dy vitet e fundit kampion në Motard. Në vitin 2017 dhe 2018 ai ka fituar të shtatë garat e “Supermoto”. Gjithashtu, ka fituar edhe një garë në “Rally Albania”. Një kampion, i cili nuk di të ndalet së fituari, ndërsa merr pjesë rregullisht në Kampionatin Kombëtar të Kartingut. Erjus Tufa mbetet një shembull i të gjithë garuesve të çdo disipline të mundshme. Në rrugën e tij janë edhe dy nipat, Rejan dhe Erni Tufa. Rejan Tufa u shpall kampion i Kampionatit Kombëtar të Kartingut në kategorinë Junior në 2019-ën.
Besmir Kolasi
I apasionuar pas Mercedes Benz W124, ai koleksionon dy të tillë; 500E të vitit 1992, si dhe një 300E Turbo të cilën e ka ndërtuar për gara Hill Climb dhe Drift. Pasioni për automobilizmin e trashëgon nga babai i tij, Përparimi, i cili gjithë jetën e tij i ka trajtuar mjetet si të kishin shpirt. Kolasi merr pjesë në garën e parë në vitin 2008 në Gjadër dhe që prej atëherë nuk ka munguar në asnjë event automobilistik në Shqipëri. Në vitin 2009 zë vendin e dytë në Morava Hill Climb (Rally Albania). Gjithashtu në vitin 2010 renditet i treti në Drift. Në vitin 2012 Kolasi zë vendin e parë (kategoria 2.0) në Petrelë si dhe në Kosovë në disa gara të ndryshme Hill Climb dhe Drift. Gjithashtu ai ka pasur sukses dhe në Go-Kart ku ka arritur finalen e Red Bull Kart Fight. Jo vetëm garues, Kolasi njihet dhe si restaurues automjetesh të vjetra ku punon bashkë me të atin e tij duke nxjerrë në dritë shumë kryevepra.