Duke prodhuar markën e re Alfasud, Kompania e Bishiones shënoi hyrjen e saj mes makinave të klasit. Me të dalin në pah intuita e lartë teknike e kompanisë, por dhe problemet e shumta me punonjësit e rinj
Alfasudi ishte një ëndërr e kahershme e Alfa Romeos dhe kur më në fund ajo u bë realitet, drejtuesve të kompanisë së re iu desh të përballeshin me mungesën e disiplinës së punonjësve. Grevat dhe mungesat në punë shkaktuan shumë dëme që rrezikonin t’i errësonin stërhollimet mekanike të markës së re që mbase mund të bëhej edhe mbretëresha e veturave kompakte, po të mos kishin dalë këto pengesa.
Alfa dhe Napoli
Kur ishte degë e kompanisë franceze Darrak, kompania e Portelos kishte një uzinë në Pomiliano d’Arko, në rrethinat e kryqendrës së Kampanjas. Asokohe kjo uzinë napolitane përdorej për të prodhuar motorë avionësh e për këtë qëllim ishte ndërtuar dhe një pistë për ngritjen e uljen e avionëve.
Në vitet 1950, Alfa synonte që të mos mbetej vetëm me markën Giulietta, por të zgjeronte gamën e prodhimeve të veta. Për këtë u bënë shumë projekte që përfshinin dhe përdorimin e rrotave të parme si rrota aktive, çka për alfistët (gli Alfisti DOC) ishte një sakrilegj i vërtetë. Më e mira që u arrit për t’i marrë ca klientë Fiat-it ishte sigurimi i licencës për prodhimin e veturës Renault Dauphine në Pomiliano.
Pas shumë përçapjesh, në fund të viteve 1960, erdhi koha që Alfa të prodhonte një veturë të re të sajën. Xhuzepe Luragi, drejtori i kompanisë, ia doli të siguronte një mbështetje të fuqishme financiare nga ana e shtetit, i cili tashmë ishte bërë dhe pronar i kompanisë. Në këmbim të kësaj mbështetjeje, Alfa Romeo duhej të prodhonte veturën e re në Italinë e Jugut, për të hapur vende të reja pune në një krahinë që historikisht ishte më e prapambetur se pjesa tjetër e vendit dhe vuante nga papunësia.
Një ekip i madh
Në projekt u përfshinë emra të njohur si Xhorxheto Xhugaro, drejtori i Autodelta-s, filialit të Bishiones që prodhonte makina garash, i cili deri vonë s’e ndërpreu bashkëpunimin, si dhe Rudolf Hurska, një bashkëpuntor i vjetër i Ferdinand Porshit. Alfa e re duhej të ishte e rehatshme, plot hapësirë, ekonomike dhe, sipas traditës së Alfas, e këndshme për t’u ngarë. Vetura e re dhe kompania prodhuese e morën emrin nga marka e kompanisë mëmë dhe nga krahina ku do të bëhej prodhimi i saj, krahinë të cilës duhej t’i sillnin begatinë. Pra Alfasud.
Uzina napolitane u zmadhua dhe u modernizua me makinat më të përparuara të kohës, për të bërë të mundur prodhimin e veturës së re Alfa Romeo Alfasud. Vetura iu nënshtrua provave nga më të rreptat, që nga akujt e përjetshëm të Polit të Veriut, deri te nxehtësia përvëluese e shkretëtirës marokene.
Rezultati ishte një makinë dyvëllimëshe e vogël, e drejtuar nga një motor i vogël, por i pangopur, me katër cilindra, me një bagazh shumë të madh, falë edhe çernierave të vendosura në pjesën e jashtme. Performanca e lartë, që vinte dhe nga një shpërndarje e mençur e peshave, bëri që drejtuesit të ishin optimistë.
Fillimi i madh
Alfasud u prezantua në salonin e Torinos në vitin 1971. Ajo ishte shumë më e pajisur dhe më me hapësirë se makinat e tjera kompakte të kohës. Pra ishte e përshtatshme për të çarë në treg. Treguesit e saj tërheqin publikun, madje nervozojnë Fiat-in, këtë konkurrent të pakëndshëm, mirëpo disa të meta të pafalshme e bjerrin, madje e gërryejnë entuziazmin.
Në Pomiliano d’Arko, punëtorët ndërpresin shumë herë prodhimin, duke vënë në pikëpyetje montimin dhe qëndrueshërinë ndaj korrozionit të ekzemplarëve të parë të makinës së re. Shqetësime që dëmtojnë imazhin e markës së Bishiones e që s’do t’i ndahen asaj edhe shumë vite më pas. Alfa ndërhyn urgjentisht duke shpenzuar shumë dhe kjo e komprometon rëndë qëndrueshmërinë e saj financiare.
Mbi të gjitha sportivitet
Motori i tipit bokser fillimisht e ka cilindratën vetëm 1,2 dhe çliron 68 kf në versionin Ti, duke u lidhur me një kambio me katër marshe. Më vonë me rritjen e cilindratës dhe me kalimin në pesë marshe, fuqia rritet në 95 kf me Ti 1.5. Me ristilimin e viteve 1980, krijohet 1.5 Quadrifoglio Verde me 105 kf, e cila arrin shpejtësinë maksimale 177 km/orë dhe kalon nga 0-100 km/orë për 9,5 sekonda. Një spec i vogël që pa i shitur mend qëndrueshmërisë gjermane di të garojë si i barabartë me Volkswagen Golf GTI.