AutoClub

MERCEDES–BENZ EQC

Edhe prodhuesi gjerman ka dalë në arenën e makinave elektrike me një Suv ku janë harmonizuar më së miri rendimenti me komoditetin. Autonomi e përshtatshme dhe mbi të gjitha, zgjidhje ndryshe për të pakësuar ankthin për furnizimin e makinës

Të thuash se EQC është e qetë do të thotë ti biesh shkurt diçkaje që dihet. Është fakt se kjo është e para cilësi që perceptohet sapo fillon të udhëtosh në bordin e të parit model të familjes EQ, ndërkohë që prej këtij modeli e deri në 2022 do të jenë rreth 10 modele. Mercedesi me bateri, tip sportiv, në krahasim me vetura të tjera të ngjashme është efektivisht shumë i kuruar në aspektin e komoditetit në saj të punës me durim për kufizimin e zhurmave dhe vibracioneve, të cilat natyrshëm prodhohen edhe nga një konstruksion i thjeshtë mekanik. Ky është rrjedhim edhe i një pune të bërë tashmë për GLC me të cilën EQC ndan të njëjtën linjë prodhimi në fabrikën e Bremenit. Por, nuk është një arritje e thjeshtë: përkundrazi, 86% e komponentëve të EQC janë origjinalë. Dhe nuk flitet vetëm për ato aspekte që janë të fshehura dhe klienti nuk do t’i shikojë ndoshta kurrë. Është fjala për guaskën, veshjen e jashtme me pamje tërheqëse dhe me një kabinë që nxjerr në pah linja dhe materiale shumë të kërkuara. P.sh. elementet teknike që veshin panelin e komandimit janë me vlerë dhe shumë të lidhur ndërmjet tyre.

IDETË ANTISTRES

Dora-dorës që kilometrat ikin nën rrotat e Mercedesit EQC, zbulohet se aspekti të cilit i kanë kushtuar shumë kujdes e punë nuk është thjesht komforti i një niveli të lartë, përkundrazi, çështja rreth të cilës rrotullohet shqetësimi për makinën elektrike është autonomia gjatë lëvizjes. Ose më mirë, sa kohë dhe kilometra kam në dispozicion për të udhëtuar me energjinë që kanë bateritë? Mercedes EQC në fakt është një Suv i gjatë 4,76 m, me dy motorë elektrikë, që gjenerojnë 408 kf dhe me peshë 2.495 kg, nga të cilat 652 janë të baterisë me 80 kWh. Vetëkuptohet se përsa i përket autonomisë në lëvizje nuk mund të jetë në radhët e para. Kështu, 445 km të matura kur është karikuar në ciklin Nedc, (ose 374 km në atë që është më realist, Wltp), në realitet përkthehen në pak më pak se 300 km në kompjuterin e bordit.

Mercedesi, megjithatë, ka vënë në zbatim të gjitha zgjidhjet e mundshme për të reduktuar në minimum ankthin e ri furnizimit me energji. Kështu, fillohet me një sistem infotainmenti Mbux me një mori informacionesh të bazuara në cloud, të cilat asistojnë drejtuesin e makinës gjatë lëvizjes: n.q.se do të shkosh nga vendi A në B, do të jetë sistemi që do të sugjerojë se ku dhe kur do të ndalosh për të marrë energji në bazë të trafikut, tipit të rrugës si dhe disponibilitetit në kohë reale të stacioneve të rikarikimit. Gjithashtu, nëpërmjet shërbimit “Mercedes Me Charge” e instaluar në makinë ose nëpërmjet smartphonit, mund të lidhesh me çdo distributor evropian duke paguar në një llogari të vetme. Është një gjë komode se nuk detyrohesh të bësh dhjetra pagesa. Dhe nuk është e gjitha. Ke në dispozicion 5 modalitete të drejtimit, përfshirë edhe “Max Range” që bazuar në sinjalistikën rrugore nuk të lejon të ecësh më shpejt se duhet (përveç rasteve të emergjencës ku mjafton të kalosh në kick-down): një mënyrë për të marrë stilin tënd të drejtimit sa më shpejt të jetë e mundur. Në praktikë është i njohur evolucioni i elementeve parashikues e sinjalizues gjatë drejtimit, që të sinjalizojnë se kur është më mirë të ngadalësosh sidomos psh kur je duke iu afruar ndonjë disheze apo vendqëndrimi. Pedali i djathtë është shkurt një “zot i fatit tënd” në udhëtimin drejt vendmbërritjes së synuar. Atë mund ta përdorësh edhe për të frenuar, sepse nëse i ke dhënë makinës fuqi maksimale, mjafton të heqësh këmbën nga pedali dhe mund të frenosh apo ngadalësosh.

Në fund disa konsiderata për çmimet. Çmimi i fillimit të Mercedes EQC është pak më i kënaqshëm në raport me rivalët Audi e-tron dhe Jaguar I-Pace: 76.839 euro për versionin Sport ndaj 82.460 të makinës angleze dhe 85.140 të asaj gjermane. Mercedesi EQC, i cili së shpejti do të dalë në treg (në vjeshtë, por tashmë i përfunduar), do të jetë mbi të gjitha një version special: Edition 1886, që kushton 87.221 euro “full optional” dhe një paketë 6-vjeçare ose 160.000 km shërbime mirëmbajtjeje.  

TEKNIKA

NDIHMON PËR NJË PËRDORIM TË MIRË TË ENERGJISË

Për realizimin e EQC, Mercedesi ka ndjekur hapa të matur dhe korrektë në aspektin e strategjisë industriale. Faktikisht, prodhuesi ka përdorur sa të ishte e mundur komponentët e GLC dhe e ka dizajnuar mekanikën duke shfrytëzuar të njëjtat pika montimi si “kushërira” me motorë konvencionalë, duke lehtësuar kështu prodhimin në të njëjtën linjë montimi të stabilimentit të Bremenit. Duke e parë më në detaje, dy motorët asinkronë kanë misione të ndryshme: ai në pjesën e përparme është i optimizuar për rendiment në shpejtësi të ulta dhe mesatare, ndërsa tjetri, në pjesën e prapme, futet në punë kur kërkohet rendiment maksimal. Të dy motorët janë montuar nëpërmjet takove plastike katrore mbi një strukturë tubolare, e cila vet është e lidhur me trupin e makinës me suporte anti-vibracion. Në këtë mënyrë reduktohen në minimum tronditjet në veturë duke garantuar komoditetin e duhur gjatë udhëtimit. 80 kilovatët e energjisë së baterisë (e cila peshon 652 kg) shfrytëzohen më së miri në saj të elektronikës, e cila në modalitetin Eco të drejtimit i sugjeron drejtuesit të makinës të lirojë përshpejtuesin duke bërë pedalin të vibrojë. Me gjithë këtë, autonomia e EQC nuk shkon më tepër se 374 me ciklin Wltp. Sa për një krahasim, mund të themi se Audi e–Tron, me bateri 95 kWh mund të bëjë në të njëjtën situatë 417 km, ndërsa Jaguar I-Pace me akumulator  90 kWh mund të përshkojë 470 km.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *