AutoClub

Porsche Exclusive, unike për mbi tridhjetë vite

Porsche Esclusive është reparti që vë në jetë ëndrrat “e ndaluara” të entuziastëve, prej vitit 1985. Ja disa prej tyre.

Nëse Porsche është marka prestigjoze që njohim, kjo vjen edhe nga mënyra se si e kuptonte punën Ferry Porsche, i cili ndiqte parimin: “Për ne është më e rëndësishme të ndërtojmë makina cilësore sesa të prodhojmë sa më shumë makina”. Kjo filozofi u ndoq pikë për pikë edhe nga ata që erdhën pas tij e madje edhe nga ata që shqetësohen sot pikërisht se si t`i bëjnë edhe më speciale ato makina që kanë pak gjëra të përbashkëta me të tjerat. Këta janë profesionistët e repartit Exclusive Manufaktur të cilët, që nga viti 1985, merren vetëm me një punë, si e si të bëjnë realitet dëshirat e klientëve; ata u japin formë disqeve prej aliazhi të lehtë, krahëve, tegelave të posaçëm, për t`iu dhënë krahë ëndrrave të atyre që blejnë një Porsche, duke u dhënë të gjithave ca ngjyra që klientët mbase s`i kanë parë ndonjëherë.. Doni të dini se cilin quajnë mjetin më të rëndësishëm në këtë repart? Dora, shkathtësia e çdo artizani. Po, sepse për t`i dhënë jetë diçkaje të posaçme përdoren materialet më të mira si alkantara dhe lëkura, karboni dhe alumini. Por vetëm mjeshtëria e artizanit mund ta shndërrojë materialin më të mirë në diçka unike.

Nga luksi tek high-tech më i skajshëm

Nëse ajo që është shkruar deri më sot iu duket e tepruar, atëherë lexoni këtë: tek Porsche Exclusive bënë çmos derisa më në fund tek 911 Turbo S Exclusive ia dolën të ulin me 20% peshën e rrotave e njëherësh të rrisin me 20% qëndrueshmërinë e tyre. Si u arrit kjo? Në saje të fibrave të karbonit, të thurura me mjeshtëri – proces ky i vështirë që sipas Porsche përdoren për herë të parë për prodhimin e rrotave të automjeteve. Meqë fjala është për parimet më themelore të dinamikës së automjetit, ky zvogëlim peshe nuk është i papërfillshëm; në fakt një rrotë më e lehtë pakëson ngarkesën mbi suspensionin, përmirëson manovrueshmërinë, qëndrueshmërinë, drejtimin e mjetit, rehatinë dhe përshpejtimin e tij. Rrotat e reja janë prodhuar me CFRP – polimer i përforcuar me fibra karboni; ato janë punuar në mënyrë të ndryshme në zona të ndryshme: punimi në zonën qendrore dallon nga punimi në zonën periferike ku ndodhet kanali ku vendoset goma. Kuptohet që edhe kosto është shumë Exclusive: seti me 4 rrota (9 J x 20 për aksin e parë e 11.5 J x 20 për atë prapa) kushton 15.232 euro, në Gjermani. Jua mban xhepi?

Pak histori

Varianti që sapo përshkruam është krenaria e modelit më të fundit 911 Turbo S. Para saj u prodhuan modele të tjera shumë speciale. Mes tyre janë zgjedhur disa që janë shumë domethënës. Dua ta bëj të qartë qysh në fillim se kjo listë nuk është as shteruese e as përfundimtare: si gjithmonë listat janë personale; natyrisht ato që nuk mbështeten në shifra. Në listën time p.sh. është 997 Speedster, që u prodhua në 356 ekzemplarë (numër ky që nuk është rastësor, dhe ata që e njohin Porsche e kuptojnë se i referohet një modeli ku gjithçka është krejtësisht origjinale). Prodhuar në vitin 2010 për të festuar 25 vjetorin e krijimit të repartit, 997 mund të kategorizohet edhe Sport Classic, që po ashtu u prodhua në vitin 2010. Te ky model bien në sy disqet Fuchs, krahu i pasëm në formën e sqepit të patës si dhe dy gungat “erotike” në tavan. Është edhe një rast tjetër interesant: e kam fjalën për 993 Turbo Cabrio, modelin që “s`u njoh” kurrë zyrtarisht nga Porsche, por nga i cili u prodhuan 14 njësi Exclusive, duke përdorur motorin e modelit 964.

Speedster, çfarë pasioni

Modeli Speedster 997 i përmendur më lart nuk është  i vetmi. Ka dhe shumë të tjerë, si p.sh modeli 993 ku janë përdorur elementë të mekanikës së Turbo S. Mund të shkruaja shumë gjëra për të, por po mjaftohemi me një: vlera e tij është më shumë se 200.000 euro. Historikisht, modeli i parë Turbo S i  911 është 964: një model Turbo S, për ekzistencën e të cilit duhet të falenderojmë pikërisht Exclusive Manufaktur. Modeli 964 jo vetëm që është më i fuqishëm, por edhe ka peshë 180 kg më të vogël dhe kjo bën që të ketë cilësi shpërthyese. Exclusive është edhe eksperimentim, siç e tregon 964 Turbo S Flatnose, me hundë të shtypur: Porsche kishte parë diçka të ngjashme qysh në fillim të viteve 80-të; në të dy rastet kjo ndërhyrje nuk u vlerësua nga publiku. Kjo bëri jo vetëm që “filli” Flatnose të këputej këtu, por edhe që të prodhoheshin vetëm 76 copë nga modeli 964 Turbo S. Nga modeli 964 Speedster Turbo-Look janë vetëm 15 copë, d.m.th. mbi bazën e 964 C2 Speedster, por me karroceri të zgjeruar si Turbo. Para modelit të fundit 991 Turbo S, i vetmi model 991 në listën Exclusive ishte  Club Coupé: diçka vërtet e rrallë, meqë u prodhuan vetëm 13 ekzemplarë, por e pashoqe për nga eleganca me Brewster Green-in e saj. Dhe po e mbyll këtë koment me njëshin absolut të Porsche Exclusive, d.m.th. me 935 Street. U prodhua vetëm një copë prej këtij modeli, që mbështetej mbi 930-ën apostafat për Mansur Oijehun, themeluesin e grupit Tag e aksionerin kryesor të McLaren, për vite me radhë: një njohës …

Pritje krahëhapur Po të kemi parasysh shifrat e ekzemplarëve të modeleve të ndryshme, duke e ditur se edhe shifrat e fillimit të një modeli Porsche “normal” nuk i njohin të gjithë, pritja që i bëhet një klienti të Exclusive nuk mund të jetë veçse shumë “e përzemërt”. Në fakt, të gjithë ata që dëshirojnë t`i njohin këto shifra, mund të shkojnë drejt e në Zufenhauzen ku do ta shoqërojnë në një udhëtim fantastik ngjyrash e materialesh në kërkim të modelit që i pëlqen më shumë, duke ditur se gjithçka mund të prodhohet sipas përmasave e kampionit që dëshiron. Kur  hap qesen, hapen edhe portat e parajsës. Pothuaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *