AutoClub

MERCEDES-BENZ GLE

Një nivel rehatie i pakrahasueshëm. Një sistem Adas i përsosur. Dhe një dinamikë e pazakontë lëvizëse për një makinë me goma të larta. Suv-i i ri nga Shtutgart ka shumë përparësi

Nëse një video e gjatë një minutë e nëntë sekonda arrin 118 mijë klikime në profilin Facebook të Quattroruote, pra katër herë sa niveli mesatar, atëherë kjo do të thotë se ajo zotëron diçka të veçantë. Deri tani, ishim mësuar me makinat super, luksoze, të shpejta, pony, kei apo muscle car, por mungonte një makinë dancing (vallëzimi). Tashmë ajo ka mbërritur. Është Mercedes-Benz GLE i ri. Një automjet sportiv që vallëzon në sajë të komandës opsionale E-Active, me suspensione ajri të lidhura me një sistem 48 Volt. Kështu, edhe në qoftë se ju komandoni në mënyrë manuale ekranin e madh me prekje dhe lëvizni kursorët si në një barazpeshues, amortizatorët rriten dhe ulen deri në gjashtë centimetra në të dyja drejtimet dhe në çdo rrotë.

Rezultati? Trashëgimtarja e modelit M-Class nis të lëvizë sikur po kërcen breakdance, manovër kjo që nuk është vetëm një krijim i thjeshtë për rritjen e marketingut: por shërben edhe për t’u përballuar me probleme në situata kritike ose të paparashikuara, për shembull, kur makina zhytet në baltë apo ngec jashtë rrugës. Nga ana tjetër, në rrugë, sistemi është në gjendje t’i rezistojë rrotullimit dhe ngritjes, duke arritur një performancë dinamike shumë të rrallë për makinat me goma të larta.

TAMAM SI NJË QENDËR RELAKSI

Kur ulemi në timonin e GLE 450 4Matic (gjashtë cilindra në linjë, motor turbo benzinë tre litra, me teknologji hibride 48 V, 367 kf dhe 500 Nm, plus 22 kf dhe 250 Nm nga EQ Boost), ndihet një rehati maksimale. Tamam sikur ndodhesh në një suitë ku çdo gjë është në vendin e duhur dhe drejtuesi mund të relaksohet me programet Wellness, si: masazhet, rregullimi i ndriçimit të brendshëm dhe zgjedhja e muzikës nëpërmjet aftësisë së vetë-mësimit. Timoni manovrohet shumë mirë dhe të përcjell një ndjesi të shkëlqyer, ndryshimi i kambios bëhet edhe në shpejtësi të ulëta dhe frenimi është shumë i saktë. Një tjetër risi e makinës është sistemi mjaft i kërkuar Torque: ai lejon zhvendosjen variabël të momentit përdredhës midis boshteve, nga zero në 100%, në sajë të një shpërndarësi disqesh të rregulluar në mënyrë elektronike.

Asistenca e shoferit dhe sistemet e sigurisë aktive dhe pasive janë gjithashtu të kompletuara dhe mundësojnë njohjen e hershme të trafikut, menaxhimin automatik të stop&go deri në 60 km / h dhe treguesin e rrugëve më pak të zëna. Ekrani i dyanshëm me përmasa 12,3 inç, krijon një efekt kinematik, por mjaft funksional, falë komandës opsionale MBux (huazuar nga “Hej Mercedes”), e pasuruar me imazhe më realiste dhe inteligjencë artificiale. Këto arrihen falë efekteve speciale, si pamja High-Definition, animacionet dhe grafika e sistemit të navigimit. Për shembull, a doni të dini se cili është numri i shtëpisë që ju intereson? Pa problem! Jua tregon ekrani në bord, me një pamje të plotë dhe imazhe të cilësisë së lartë të rrugës. Kompania nga Shtutgart thekson se në sistemin MBux janë zbatuar 40 funksione të reja, duke përfshirë disa komanda gjestesh dhe aftësi parashikuese të mundësuara nga inteligjenca artificiale. Hapësira për shtrirjen e hapit në bord është rritur me 8 cm, për të akomoduar edhe më mirë personat e ulur në sediljet e pasme, dhe ekziston opsioni për një radhë të tretë sediljesh. Kapaciteti i deklaruar i bagazhit është 825 litra, me një hapësirë ​​të brendshme të dobishme që shkon deri në 2,055 litra, duke ulur rreshtin e dytë të sediljeve. Pjesa fundore e makinës mund të ulet deri në 4 centimetra.

PO, ËSHTË HIBRIDE, POR ME NAFTË

Mercedes GLE do të mbërrijë në Itali në shkurt, në dy versione që tashmë mund të porositen: 450 4Matic dhe 300 d me 245 kuaj fuqi. Çmimet fillojnë nga 69,000 euro për këtë të fundit dhe rreth 77,700 euro për versionin me benzinë. Tashmë është e mundur të porosisni edhe versionin e ri me benzinë me gjashtë cilindra 400 d (330 kf, tashmë e miratuar, faza e dytë 6d, e detyrueshme nga 2020), që do të shitet në prill. Më vonë parashikohet edhe një variant hibrid plug-in me naftë.

450 4MATIC EQ BOOST

Të dhëna teknike

Motori

  • L6 turbobenzinë
  • Cilindrata 2.999 cm3
  • Fuqia maksimale 270 kW (367 kf) në 6.100 xhiro/min
  • Momenti përdredhës maksimal 500 Nm nga 1.600 në 4.500 xhiro/min
  • Motor elektrik 48 volt
  • Fuqia 16 kW (22 kf)
  • Momenti përdredhës 250 Nm

Transmisioni

  • Traksion integral
  • Kambio automatike me 9 marshe

Performanca

  • Shpejtësia maksimale 250 km/h
  • 0-100 km/h 5,7 s
  • Përshkueshmëria mesatare 12,0 km/l

Përmasat dhe pesha

  • Hapi 299 cm
  • Gjatësia 492 cm

Gjerësia 194 cm

Lartësia 177 cm

  • Pesha 2.220 kg

Çmimi

  • 77.700 €

 

B-CLASS

RËNDËSIA E REHATISË

Çfarë duhej përmirësuar tek B-Class, sipas projektuesve të saj? Dinamizmi. Kjo është përgjigjja e pyetjes së ngritur nga Mercedes për të mbledhur informacione të dobishme për zhvillimin e serisë së tretë të modelit, që deri më tani ka shitur një milion e gjysmë kopje. Kështu, duke u bazuar në modelin e ri A-Class, projektuesit e Shtutgart dizenjuan një trup makine më të hollë dhe elegant, dhe me një vijë më agresive. Në bordin e shoferit, krejtësisht të rinovuar, gjejmë ngjashmëritë e para me motrën e saj më të vogël, pikërisht tek paneli i aparaturave i mbizotëruar nga instrumentet dixhitale në formë tabletash dhe pesë gypat rrethorë që shërbejnë për ventilim. Megjithatë këtu, paneli ka një qëndrim më vertikal. Hapësira e brendshme është rritur paksa (në sediljet e përparme gjerësia është rritur me tre cm, në lartësinë e bërrylave) dhe hapësira për bagazhin është ulur me 33 litra, kur shpinat janë të ngritura (por rritet me 35 kur ato ulen), si rezultat, niveli i rehatisë në bord është rritur shumë, të paktën në modelin e makinës që ngava unë. Nga brenda ajo ishte e kompletuar nga të gjitha anët, veshja prej lëkure shtrihej përgjatë panelit të aparaturave dhe paneleve të dyerve, disa detaje ishin të veshura me metal satin dhe ndriçimi ishte i mirë dhe i njëtrajtshëm. Për ndërfaqjen Mbux të sistemit multimedial kemi folur disa herë, ndërsa motori OM654 me dy litra naftë, që debutoi në vitin 2016 në E-Class, tashmë në versionin B, është i vendosur anash, për të lëvizur rrotat e përparme nëpërmjet një ingranazhi të ri me friksion të dyfishtë dhe tetë marshe. Kur është vënë në provë, ky motor ka dëshmuar se është njëkohësisht i pazhurmshëm dhe i fuqishëm. Për më tepër, falë transmetimit të mirë automatik, performanca është e shkëlqyer. Nga ana tjetër, gjatë ngarjes, makina i kushton një rëndësi të veçantë rehatisë, në sajë të timonit të saktë dhe progresiv. Është tamam një makinë familjare.

B 220 D SPORT

Të dhëna teknike

Motori

  • L4 turbodiesel
  • Cilindrata 1.950 cm3
  • Fuqia maksimale 140 kW (190 kf) në 3.800 xhiro/min
  • Momenti përdredhës maksimal 400 Nm nga 1.600 në 2.600 xhiro/min

Transmisioni

  • Traksion në rrotat e para
  • Kambio automatike me dopjo friksion me 8 marshe

Performanca

  • Shpejtësia maksimale 234 km/h
  • 0-100 km/h 7,2 s
  • Përshkueshmëria mesatare 22,7 km/l

Përmasat dhe pesha

  • Hapi 273 cm
  • Gjatësia 442 cm

Gjerësia 180 cm

Lartësia 157 cm

  • Pesha 1.545 kg

Çmimi

  • 39.420 €

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *