AutoClub

Pse ndërhyrja në politikën e importit të automjeteve është domosdoshmëri?

Rritja e urbanizimit vitet e fundit sjell disa efekte negative në ndotjen e ajrit, si pasojë e përqendrimit të mjeteve motorike, rritjes së trafikut rrugor etj. Transporti rrugor është bërë faktor ndotës mbizotërues, duke tejkaluar nivelet e ndotjes, të sjella nga ndërtimi dhe industria. Ndotja e ajrit, krahas efekteve në fenomene si ngrohja globale, ndryshimet klimatike etj., mbetet problem shqetësues për shëndetin e popullatës. Edhe në Shqipëri, ndotja e ajrit dëmton dhe rrezikon shëndetin e mirëqenien e qytetarëve. Në dallim nga vendet e Bashkimit Europian dhe rajonit, në Shqipëri nuk ekzistojnë kritere kufizuese që të ndalojnë importimin e mjeteve që nuk respektojnë standardet e ndotjes së ajrit. Importimi i përvitshëm masiv e pa kriter i mjeteve të përdorura të transportit, duke sjellë kontingjente automjetesh të vjetra, praktikisht është shndërruar në burimin kryesor që shkakton ndotjen e ajrit dhe mjedisit në vend.

Le t’u referohemi shifrave. Deri në vitin 2016, në vend ishin të regjistruara 435.613 autovetura. Numri total i automjeteve (duke përfshirë edhe kamionët, autobusët, motorët, rimorkiot, makinat bujqësore, etj.) ishte 562.658. Sipas DPSHTRR-së, ka edhe rreth 200.000 autovetura që formalisht nuk janë në qarkullim, pra nuk kanë bërë riregjistrimin në momentin e kontrollit teknik. Vitet e fundit, struktura e regjistrimit për herë të parë të autoveturave është: 5% mjete të reja (kilometrazh 0) dhe 95% mjete të përdorura e shumë të përdorura.

Duhet theksuar se mosha mesatare e mjeteve në qarkullim në Shqipëri është mbi 20 vjet. Edhe këtë vit, mosha mesatare e makinave që importohen vazhdon të jetë mbi 13 vjet, duke u mbetur kështu edhe 5 vite për t’u përdorur.

Sot, të gjitha automjetet që prodhohen në Europë duhet të respektojnë elementet bazë të sigurisë aktive dhe pasive në rrugë. Me përparimin e teknologjisë, sistemet e sigurisë të instaluara te makinat e reja kanë arritur në atë pikë sa e kapërcejnë edhe aftësinë njerëzore për të parandaluar aksidentet, siç është p.sh. sistemi ESC (Kontrolli Elektronik i Qëndrueshmërisë). Shumica e mjeteve të përdorura të importuara në rrugët tona nuk janë të pajisura me teknologji të tillë apo të ngjashme, e domosdoshme në parandalimin e aksidenteve dhe minimizimin e pasojave nëse aksidenti ndodh (sidomos shmangien e të personave që humbin jetën – multi airbag system).

Sikur të mos mjaftonin faktet e mësipërme, sipas vëzhgimeve të Klubit të Automobilit të Shqipërisë, një pjesë e mirë e mjeteve të përdorura të importuara kanë qenë të përfshira në aksidente serioze në vendet e tyre të blerjes dhe në shumë raste, kjo nuk i njoftohet blerësit, duke i bërë këto mjete potencialisht të pasigurta në rrugë, si pasojë e mungesës së shërbimeve.

Nisur nga ky fakt, ndryshimi i menjëhershëm i gjendjes aktuale i mjeteve motorike, duhet të jetë një domosdoshmëri. Në Shqipëri duhen vendosur kufizime ligjore dhe rregullative në këtë drejtim, duke përfshirë respektimin e normativës EURO 6, ndalimin e importit të makinave më të vjetra se viti 2010, vendosjen e një taksimi të diferencuar në import, sipas vjetërsisë EURO5 dhe EURO6, si dhe kilometrazhin e mjetit.

Në vijim të respektimit të këtyre normativave, do të ishte domosdoshmëri edhe lehtësimi fiskal për blerjen e automjeteve nga individët, në formën e uljes së TVSH-së në nivelin 10% për mjetet e reja të shitura në vend, me cilindratë motorike nën 1.600 cm3. Duke pasur një lehtësi të tillë fiskale, do të mund të arrihej që mjetet EURO 0, EURO 1 e EURO 2, që aktualisht janë të regjistruara, të konvertohen në mjete EURO 3 brenda një viti. Ndërsa duke filluar nga 2019 në qendrat e kontrollit të mos kalojnë automjete që nuk e përmbushin këtë kriter. Këto masa rregullative do të sillnin përmirësim të dukshëm, hapat e të cilit duhet të nisin që tani…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three × two =