AutoClub

Fiat Uno Turbo i.e. dhe 30-vjeçaret e tjera të trazuara

Kishin pak kuaj fuqi, po t`i krahasojmë makinat e sotme, por ishin të lehta si pupla dhe të forta, shumë të forta. Madje edhe më shumë seç duhej…

Detyra në radhë të parë. Çështja që do të trajtohet në këto rreshta mund të jetë e dhimbshme për dikë, që mbase për shkak të ndonjërës prej këtyre makinave ka humbur një mik, një djalë apo një të afërm. Është e kotë ta mohosh: me makinat e vogla sportive të viteve ‘80 e të gjysmës së parë të viteve ‘90, mund ta vije kokën në rrezik, madje t’i laje duart nga kjo botë. Siç ndodh shpesh në raste të tilla, problemi nuk është “arma” në vetvete, por mënyra se si e përdor armën: Autobianchi Y10 Turbo, Fiat Uno Turbo, Ford Fiesta RS Turbo, Mini Turbo De Tomaso, Renault Supercinque GT Turbo, Volkswagen Polo G40, për të përmendur vetëm më të përhapurat, ishin makina të ëndërruara për 20/30 vjeçarët e atyre viteve.

Por kishte edhe ndonjë që tundohej të jepte shfaqje të pabesueshme; ky binte lehtë në grackë dhe gënjehej prej ndonjërës nga ato “kutitë e vogla”, siç i quanin disa, ose nga “arkivolët me rrota”, siç thuhej më shpesh në ato vite. Kështu quheshin këto makina në Itali, por edhe në Francë, Britani të Madhe, Spanjë, Gjermani, etj… Sigurisht, lista e makinave të përmendura më sipër nuk është e plotë: mungon mitikja Peugeot 205 GTi, sa për të sjellë një shembull, por historia që do po tregojmë (shkurtimisht) është ajo e veturave të vogla të mbiushqyera. Le të fillojmë me Autobianchi Y10 dhe Fiat Uno Turbo.

Autobianchi Y10 Turbo

Marrja e vendimit se me cilën makinë të fillonim dhe çfarë radhe të ndiqnim për të rrëfyer për këto makina nuk ishte e lehtë; Si përfundim, e pranojmë që fitoi zgjidhja “pilateske”, ajo e rendit alfabetik. Dihet se, për çfarëdolloj çështje, kur vendos për një zgjedhje të caktuar, rrezikon të ofendosh dikë.

Makina e parë pra, është ndër më pak të famshmet midis atyre që përmendëm, por për shkak të kësaj, jo më pak “e panjohur”: Autobianchi Y10 Turbo. Motori i saj është një version një litër me katër cilindra që mbiushqehet nëpërmjet një turbinë IHI të pajisur me ftohës të ndërmejtëm, ndërsa valvulat e shkarkimit janë trajtuar me natrium, për t`u bërë ballë tensioneve. Por ana më e mirë e kësaj makine nuk janë edhe aq karakteristikat e motorit, që siç e pamë ishin interesante, sesa disa elemente të përgjithshëm të karakteristikave të saj teknike: Patjetër që po, sepse nëse 85 kf dhe 122 Nm ju duken pak, mos harroni se peshën e ka vetëm 840 kg, ndërsa hapi (largësia midis qendrave të rrotave) është 2 metra e 15 cm dhe karroceria 3 metra e 39 për së gjati, 1 e gjysmë për së gjeri. Me pak fjalë: ka fuqi të bollshme për të vënë në krizë një citycar, ka shpejtësi maksimale prej 178 km/h dhe mund të kapë shpejtësinë nga 0 deri në 100 km/h brenda 9,5 sekondave. Duke lënë mënjanë rendimentin, a arrini ta kuptoni se sa të ekzaltonin profili i kuq mbi parakolpet, disqet e zmadhuara, timoni sportiv e gjithë ato yçkla të tjera dhe sidomos shkrimi “Turbo” në pjesën anësore të makinës? Ishte diçka shumë e veçantë të ndiheshe pilot i kësaj makine. Këtë ndjesi e fitoje sa hap e mbyll sytë.

Fiat Uno Turbo i.e.

Kjo është “motra e madhe” e modelit Y10, e cila përveçse ka injeksion në vend të karburatorit, është edhe dy vjet më e vjetër (viti 1985 kundrejt 1987) dhe është më e madhe dhe më e fuqishme. Ka plot nëntë vjet që është prodhuar dhe ka pasur një restyling të rëndësishëm. Por t’ia nisim nga fillimi dhe nga një numër: 845 kg, vetëm 5 më tepër se Y10-a krahasuar me një fuqi prej 105 kf dhe me një moment përdredhës të barabartë me 147 Nm. Nëse Y10-a është e mirë, Fiat Uno është shumë e mirë: ka një shpejtësi maksimale prej 200 km/h dhe është e aftë të arrijë nga 0 deri në 100 km/h brenda 8,3 sekondave. Duke ia kaluar Peugeot 205 GTi 1.6 (196 km/h dhe 9,1 sekonda), duke ia kaluar edhe VW Golf GTI 1.8-s (188 km/h dhe 9,6 sekonda); vetëm Renault 5 GT Turbo ia kalon, me një fuqi prej 115 kf, që është e aftë të kapë një shpejtësi maksimale prej 201 km/h dhe të arrijë nga 0 deri në 100 km/h brenda 8 sekondave. Motori i këtij modeli Fiat Uno është 1.300 cm3 katër cilindërsh i prejardhur nga 128-a, në të cilën inxhinierët shtuan turbinën, injeksionin dhe ndezjen elektronike dhe e bashkuan me kambion manuale me 5 marshe të Ritmo 105TC-s. Disqet janë “mallëngjyes” (me mbulesën Abarth), me nga 13 inç secili, që veshin gomat 175/60: sot, goma të tilla, praktikisht i bëjnë vetëm për makina historike. Brenda mbizotërojnë ngjyra e kuqe dhe e zezë, ndërkohë që jashtë ka një mori mbishkrimesh Turbo i.e.: me pllaka të vogla përpara, te pjesët anësore dhe prapa.

Por është drejtimi i makinës ajo që e bën të denjë për famën për të cilën folëm pak më lart: Fiat Uno Turbo i.e. duhet t’i japë drejtim një fuqie të madhe dhe një momenti përdredhës të konsiderueshëm, në varësi të kapacitetit të shasisë që ka. Ja se pse, kur i jep gaz me shumë vrull, Fiat Uno nuk del nga trajektorja, por bën një vijë të drejtë në asfalt. Dhe nëse e ngre këmbën më shumë seç duhet, ai e shtyn menjëherë peshën përpara derisa të përpiqet të rikthehet me rrotat e pasme… Drejtimi i Fiat Uno Turbo i.e. kërkon respekt ndaj mjetit dhe aftësi në drejtimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *