AutoClub

LAMBORGHINI URUS

DEBUTIMI I FSHEHUR

Modeli Urus u provua kur ishte ende i mbuluar. U provua në pistë, për të hyrë “drejt e në temë” e për të verifikuar nëse apo sa nga trashëgimia gjenetike e kompanisë së Sant’Agata-s, ishte e pranishme në të…

Ndodhi pak javë përpara prezantimit zyrtar, dhe kjo shpjegon praninë e kamuflazheve. Justifikon gjithashtu edhe vendin, pistën Enzo dhe Dino Ferrari. Imola, për të gjithë. Në fakt, nevojitej fshehtësia e një vendi larg syve kuriozë, edhe pse ideja e një makine Suv që lufton me bordurat anësore nuk është edhe aq ngazëllyese në parim. Por në këtë rast kemi të bëjmë me një Super Suv, sipas përkufizimit të Kompanisë.

E mbështetur tek vija e nisjes në bokse, me detaje linje të mistershme, ndjesia e kësaj makine është shumë e qartë. Në të vërtetë, që pa u ndezur, modeli Urus evokon egërsinë kafshërore, të cilën Ferruccio Lamborghini e konsideronte kriterin bazë të markës. Nuk është e vogël e madje nuk duket edhe aq e lezetshme, por prezencën skenike e ka të gjithën: si të thuash se këtë herë, vërehet jo thjesht brutaliteti i forcës që çdo model Lamborghini mbart me vete. Kemi të bëjmë në fakt me mbi pesë metra metal. Jo pak, madje tepër, për të shpresuar që modeli Urus të mund të lidhë miqësi me bordurat apo terrenet e thyer.

VENDOSMËRI E LARTË

Në pistë, për më shumë se një arsye, ndjesitë nuk janë fort reale. Duhet bërë kujdes për ta mbajtur nën fre, sepse duket se asgjë nuk mjafton. Kështu, pavarësisht se motori V8 shtyn dëshpërimisht, ndihet nevoja për të provuar diçka më energjike, diçka më shumë nga i  jashtëzakonshmi Lambo. Megjithatë, duke e parë me vëmendje, ka diçka që ka të bëjë më shumë me antropologjinë sesa me mekanikën: është pangopësia e shpirtit njerëzor, sepse në fakt, një Suv të tillë nuk e kishim ngarë kurrë. Problemi është se, ndërkohë që sistemohesh në sedilje dhe timon, mendon se Urus-i mund të ishte e madhësisë Huracan king, por vetëm një i çmendur në fakt, mund të mendojë diçka të tillë. Më mirë të rihysh në botën e normalitetit (një normalitet ku 0-100 km/h realizohet në 3,6 sekonda …) dhe të fillosh të mendosh brenda termave që kanë të bëjnë me një makinë që peshon 2.200 kg, që ka motor përpara dhe qendër rëndese të vendosur më lart, sesa inxhinieria apo logjika, mund të konsideronte të pranueshme.

Në këtë pikë, mund të kesh drejtuar një Maserati Levante, të kesh pasur tre Porsche Cayenne, por duhet t’i dorëzohesh faktit se, këtu, gjithçka që ndodh, është e një niveli shumë më të lartë. Urus ecën fort, me një përzierje të pandashme sigurie, argëtimi dhe kënaqësie, në proporcion të ndryshueshëm, sipas modalitetit të drejtimit të përzgjedhur. Një rezultat ky, në të cilin mekanika dhe elektronika zbatohen me vetëdije. Frenat, për shembull: janë karbo-qeramiket më të mëdha që janë parë ndonjëherë dhe, në fakt, kanë aftësinë të japin ngadalësim shpejtësie, që kurrë nuk e pret nga një Suv i kësaj madhësie. Më pas pajisjet elektronike: jo dhe aq ato që janë përgjegjëse për sigurinë e njeriut, të cilat në këtë rast janë të çliruara, duke qenë se kam përzgjedhur mënyrën e drejtimit Corsa, sesa bollëku i zgjidhjeve që e bëjnë trajtimin e kësaj makine me hap plot tre metra, të lehtë dhe intrigues. I referohemi katër rrotave aktive, para së gjithash, por edhe torque vectoring, një ndihmë që shërben për zbatimin e trajektoreve dhe për të lehtësuar punën e pjesës së përparme, edhe në kthesat më të ngushta.

E SHPEJTË, POR E QETË

Modeli Urus është i gjithi në dispozicionin tonë, edhe pista gjithashtu. Pa nxitim. Kemi gjithë kohën që nevojitet, dhe ashtu, xhiro pas xhiro, zbulojmë diçka: vonon shkëputjet dhe përfundon duke hyrë në kthesë pa shumë probleme, sepse ajo mbetet e shkathët dhe e qëndrueshme në të njëjtën kohë. Dy karakteristika këto disi kontradiktore, por që në këtë rast bashkëjetojnë mjaft mirë. Këtë herë, komandat e kambios janë tek lidhëset e timonit dhe jo të lidhura me bllokun e timonit: është hera e parë, në një Lamborghini, por sidoqoftë është në rregull edhe kështu. I njëjti gjykimi vlen edhe për vetë kambion. Nëse mendoni se do të ndjeni mungesën e friksionit të dyfishtë për shpejtësinë dhe vendosmërinë me të cilën ndërrohen marshet, mund të rrini të qetë, se një gjë e tillë nuk ndodh në këtë model. Marshet janë  gjithmonë të shpejtë dhe hyjnë në kohën e duhur, edhe zbritjes së marsheve. Çfarë do të duhej, nëse, është ndonjë decibel më shumë nga motori V8. Të paktën në konfigurimin e përzgjedhur të drejtimit, atë Corsa, do të ishte mirë që  motori të lëshonte më shumë “zë”. Për këtë janë të bindur edhe vetë teknikët e Lamborghini-t, të cilët, me thënë të vërtetën, thonë se nuk kanë pasur asnjë mundësi për të ndërhyrë, për shkak të normativave të reja, që lidhen me zhurmat, të cilat për fat të keq, nuk e marrin parasysh faktin se në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me … zhurmë. Për herë të parë, në një Lambo, duhen thënë dy fjalë edhe për komfortin. Do të flasim për të një herë tjetër, megjithatë: absorbimin në bordura nuk mund ta konsiderojmë edhe aq bindës.

MEKANIKA DHE ELEKTRONIKA TЁ BЁJNЁ TЁ HARROSH SE KE TЁ BЁSH ME NJË MAKINЁ MË SHUMЁ SE DY TON

 

LAMBORGHINI URUS

Të dhëna të deklaruara

Motori

  • V8 turbobenzinë
  • Cilindrata 3.996 cm3
  • Fuqia maksimale 478 kW (650 kf) në 6.000 xhiro/min
  • Fuqia maksimale 850 Nm nga 2.250 në 4.500 xhiro/min

Transmisioni

  • Traksion integral
  • Kambio automatike me 8 marshe

Performanca

  • 0-100 km/h 3,6 s
  • Konsumo mesatar – i papërcaktuar

Përmasat dhe pesha

  • Hapi 300 cm
  • Gjatësia 511 cm
  • Gjerësia 202 cm
  • Lartësia 164 cm
  • Pesha 2.200 kg

Çmimi

  • 206.000 €

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *