- Advertisement -
9.5 C
Tirana
Friday, March 29, 2024

Harley-Davidson Softail 2018

Must read

ETEC 2022/ Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë

Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) që do të zhvillohet më 24-27 Shtator...

ETEC 2022/ Shqipëria në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore

Këtë fundjavë do të jemi në Zadar të Kroacisë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) për të promovuar #SigurinëRrugore te fëmijët. Shqipëria do të përfaqësohet...

ACA organizon për herë të parë “Digital Motorsport Cup”

Auto Club Albania do të organizojë për herë të parë Digital Motorsport Cup, një event që është risi në vendin tonë. Kompeticioni do të...

Cross Car në Shqipëri, ndiqni specialen në TV Klan

Në emisionin e radhës “Jo vetëm modë” në Tv Klan i është kushtuar një kronikë speciale pilotit kampion të Kampionatit Kombëtar të Kartingut 2020,...
Katër modele të gamës 2018 ju nënshtruan provës: Street Bob, Breakout, Heritage Classic e Fat Bob

Harley-Davidson Softail 2018, një epokë e re!

Në botën e Harley-Davidson është duke u kryer një revolucion i vogël: në vitin 2018, viti i 115 vjetorit të markës, nuk do të gjendet më në listën e çmimeve modeli V-Rod, dhe as familja e modeleve Dyna, të cilët i lënë vendin tetë modeleve të rinj Softail, katër prej të cilëve i provuam. Duke marrë parasysh se Harley-Davidson flet për rreth njëqind modele, që pritet të debutojnë në dekadën e ardhshme, do të kemi shumë punë për të bërë dhe ky është vetëm fillimi!

Të gjithë modelet Softail janë krejtësisht të rinj, duke filluar nga telajo që nuk është më “e butë”, sepse dizajni i ri me tuba çeliku karboni, ka rritur ngurtësinë e saj me rreth 65%, krahasuar me shasitë e mëparshme, dhe ka ulur disa gradë shigjetën e peshores, duke arritur një pakësim peshe prej disa kilesh, madje plot 17 kg në disa modele, falë punës së bërë në gjithë trupin e motoçikletës.

Dizajni i shasisë siguron një “kompleksitet” më të vogël, d.m.th. një zvogëlim rreth 50% të numrit  të komponentëve përbërës, si dhe 22% të saldimeve. Në të gjejmë dy pirunj, një për gomat e pasme të ngushta dhe një tjetër për ato më të mëdha.

Shasia më e gjerë është më e lehtë 5.89 kg (15%), ndërsa ajo më e ngushtë peshon 8.16 kg (20%) më pak. Dizajni i rinovuar i strukturës së pirunit lejon futjen e një elementi tjetër të rëndësishëm të këtij zhvillimi revolucionar: nën shalë, nuk është më amortizatori i dyfishtë me susta të dukshme, por fshihet një mono Showa Cantilever, e rregullueshme thjeshtë duke manovruar një dorezë të vendosur në anën e djathtë të shalës: rregullimi kryhet lehtësisht, për të përshtatur suspensionin me peshën dhe për të plotësuar nevojat e motoristit.

Ndryshon gjithashtu edhe pjesa e përparme, ku një pirun i bukur Showa Dual Bending Valve, me hap 130 mm – i revizionuar dhe i realizuar posaçërisht për secilin model – kujdeset për zbutjen e terreneve të vështirë, duke e bërë motorin më të bindur dhe të lehtë për t’u ngarë. 2018-a sjell gjithashtu një rishikim tërësor të linjave: modelet Softail kanë “uniformë” të re, serbatorë të rinj, instrumente të ristiluara dhe fenerë moderne LED, të cilët i japin freski gjithë gamës, ndonëse  puristët nuk janë dhe aq të kënaqur.

Anash timonit, gjendet gjithashtu edhe një portë USB. Tek Harley? Po, por nuk ka vend për t’u shqetësuar: elektronika nuk ka arritur ende, kontrolli mbi traksionin dhe konfigurimet e motorit i qëndrojnë larg këtyre lloj motoçikletave, ndonëse “klasikë”.

ABS standart, padyshim e pranishme tek të gjithë modelet

Zemra e këtyre motoçikletave Harley është motori Milwaukee-Eight, në dy variantet e tij 107 dhe 114, të cilët korrespondojnë respektivisht me 1.745 dhe 1.870 cc. Varianti 107 është standardtek modelet e rinj Softail, ndërsa ai 114 është në dispozicion sipas kërkesës, për modelet Fat Bob, Fat Boy, Heritage Classic e Breakout.

Milwaukee-Eight (numri tetë tregon numrin e valvolave, katër për çdo cilindër) është i nënti bi-cilindërsh. i projektuar nga kompania amerikane; ai padyshim ruan vendosjen e cilindrave në formë V me 45 gradë, por jep një fuqi dhe moment përdredhës më të lartë me rreth 10%, krahasuar me ata të mëparshëm, dhe katër valvolat për çdo cilindër, garantojnë një përmirësim prej 50% të fluksit të emetimit të gazrave.

Falë një sistemi me kundër-kohë, Milwaukee-Eight, premton ulje të vibrimeve në një minimum prej 75%, dhe veç kësaj, në të është punuar edhe në lidhje me nxehtësinë nën shalë: gjatë drejtimit, ajo është praktikisht zero, ashtu si edhe vibracionet. Euro 4, sjell edhe një kthesë të pashmangshme lidhur me tingullin e motorit bi-cilindërsh, duke ia thyer pak tonet, ndonëse zhurma e tij mbetet e këndshme dhe unike. Nga ana tjetër, kambio, edhe pse më e butë dhe e saktë, ruan gjithsesi zhurmën e saj klasike dhe të njohur.

Siç e do tradita, Harley-Davidson, nuk i ka deklaruar të dhënat lidhur me fuqinë motorike, por mjafton t’i japësh gaz dhe e kupton se kuaj-fuqitë janë të tërë të pranishëm dhe japin më të mirën.

Modelet që patëm rastin të provojmë pak ditë më parë në Spanjë, ishin katër, krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetrit: Street Bob me motor 107, Breakout me motor 114, Heritage Classic dhe Fat Bob me motor po 114; të përbashkët ata kanë vetëm telajon Softail. Kemi të bëjmë me katër karaktere e stile të ndryshme, të cilët japin një ide të përgjithshme të asaj që do të jetë gama 2018. Le t’i shohim një nga një.

StreetBob 107, “i domosdoshmi”

Po fillojmë nga më i vogli i grupit, modeli Street Bob, me motor 107. Elegant në formë, ai peshon 7 kg më pak, falë shasisë së re, duke e ndalur peshoren në 286 kilogramë, peshë e rëndë, kjo, por që sidoqoftë, nuk ndjehet kur je mbi shalë. Shala është shumë e ulët, për shkak se është e pozicionuar vetëm 68 cm nga toka, kështu që për të arritur dorezat e timonit, nevojiten krahë të gjatë dhe dëshirë e madhe për të qëndruar “i varur si majmun”, siç e thotë edhe vetë emri i timonit.

Ndryshe nga sa pritet, pedalet nuk janë shumë të dala, ndaj pozicioni i qëndrimit nuk është fort natyral, por nuk mund të quhet i lodhshëm. Ai mbetet gjithsesi besnik i një modeli të projektuar jo për udhëtime të gjata, por për sorrollatje verore, pa pasagjer, sepse tek shala qëndron bukuria, dhe mbulimi i saj do të fshihte linjën e rrumbullakët të parafangos së pasme.

Nuk ka mbrojtje nga era natyrisht, dhe një gjë e tillë, e bën atë motoçikletë të përditshme, pse jo për të shkuar në punë “me stil”, duke qenë se kuotat e reja e bëjnë drejtimin shumë të lehtë, si të ishte biçikletë, edhe në trafik. Levat e friksionit dhe të frenave janë të buta dhe të mirë modeluara. Motori 107, është më se i mjaftueshëm për t’i dhënë gjallërinë që meriton, falë edhe momentit përdredhës 149 Nm në vetëm 3.000 xhiro, ndërkohë që disku i vetëm i përparmë, është i mjaftueshëm për të frenuar prerazi.

Puna e kryer tek suspensionet, si dhe tek komoditeti në përgjithësi, këtë gjë do ta përsërisim pa më të voglin dyshim, për të gjitha modelet e provuar, është me të vërtetë e realizuar mjaft mirë: motoçikleta nuk nxehet, madje as edhe kur ndalon me motor të ndezur në semafor, dridhjet në shalë, pedale dhe timon janë pothuajse inekzistente dhe suspensionet Showa të bëjnë të thuash se “as që duket se po nget një Harley!”.

E përcakton mjaft mirë Harley-Davidson, kur thotë “grushta me erën”, sepse është me të vërtetë luftë me erën, por është pikërisht kjo, që e bën modelin një Harley-Davidson të vërtetë, të fortë, të pastër dhe të shkëlqyer edhe si bazë personalizimesh, edhe pse 2018-a, tashmë mishëron disa detaje serie, si gomat e zeza me parafango të shkurtuara, instrumente të vegjël dixhitalë ballorë, si dhe fenerë LED.

Serbatori 13 ose pak më shumë litra, nuk lejon të udhëtosh fort larg pikave të karburantit, por ama përshtatet në mënyrë të përkryer me profilin e ulët të motorit, aq të ulët, sa nëpër kthesa pak më të forta, rrezja nga toka është e papërfillshme. Për të zbutur këtë problem, janë vendosur shkallëza të vogla nën pedale, të cilat nuk pësojnë gjë nga fërkimi.

Modeli Street Bob është në dispozicion në pesë ngjyra: Vivid Black, Olive Gold, Red Iron Denim, Wicked Red/Twisted Cherry e Industrial Gray Denim/Black Denim, me një çmim që fillon nga 15.000 euro dhe që shkon deri në 15.700 euro, për versionet me dy ngjyra.

Breakout 114, “muskulozi”

Softail i dytë i provuar është Breakout 114, muskuloz dhe “i egër”, i cili tek grupi Softail 2018  do të ketë një serbator të ri 13.2 litra, fener LED, disqe të zinj me shkëlqim, të veshura me pluhur alumini (21inç para dhe 18inç prapa, me goma 240), si dhe një pirun shumë të gjatë, plot 49 mm. Edhe këtu gjejmë të njëjtin instrument si tek Street Bob, shumë të vogël dhe të fiksuar përpara, tek timoni.

Ёshtë pikërisht modeli Breakout, që gëzon uljen më të rëndësishme të peshës: me 17 kilogramë më pak se modeli i vitit të kaluar, ai tani peshon “vetëm” 294 kilogramë.

Motoçikletë për rrugët amerikane, i realizuar për të përshkuar asfalte pa fund,u provua në një rrugë të ngushtë malore. Rezultati? Edhe këtu, Breakout, nxori në pah një temperament surprizues, në sajë të motorit 114 dhe shasisë, por në shpejtësi është i lodhshëm, duke qenë se duhet ngarë me trup, rrota 21inç, mjaft larg nga timoni, duhet manovruar me duar e këmbë, dhe levat e frenave dhe friksionit, kanë nevojë për forcë, që të manovrohen.

Edhe këtu, gjejmë vetëm një disk të përparmë, por fuqisë së motorit dhe peshës së rëndë,  do t’i duhej një disk i dytë për një frenim më të prerë. Rrezja nga toka? Më mirë se tek modeli i mëparshëm, ndonëse pak e ulët nëse shpejtësia rritet.

Shkurt, kemi të bëjmë me një motoçikletë për burra të fuqishëm, të cilët nuk i tremben barrës dhe lodhjes, dhe që duan të ndihen “tërheqës”, falë pozicionit agresiv mbi shalë dhe pamjes së Breakout, i cili nuk ka të sharë: në llojin e vet, ai mund të pëlqehet pak ose shumë, por mbetet gjithmonë një motor i bukur, ashtu siç është e bukur të shikosh gomën e pasme 240 mm, që thekson edhe më shumë frymën e tij agresive. Motori dycilindërsh 114, është thuajse një çudi, ai e shkarkontë gjithë fuqinë në mënyrë të vazhdueshme dhe lineare, duke e bërë drejtimin të këndshëm tek modelet për turizëm dhe argëtuese tek ata më agresivë, si Breakout dhe Fat Bob.

Ngjyrat e ofruara janë pesë: Vivid Black, Black Tempest, Twisted Cherry, Silver Fortune dhe Legend Blue Denim Anniversario, (kjo e fundit vetëm për versionin 114). Çmimet fillojnë nga 22.000 Euro dhe shkojnë deri në 25.400 euro, në varësi të versionit dhe ngjyrës.

Heritage Classic 114, “i dobishmi”

HeritageClassic, është motoçikleta e kësaj game, që na befasoi më shumë se të tjerët: pavarësisht pamjes së qetë dhe voluminoze, në rrugë drejtohet lehtësisht, është i manovrueshëm, i balancuar dhe i këndshëm. Me pamjen e vet retro, që të kujton motoçikletat Harley të viteve ‘50, me çantat e mëdha prej lëkure, xhamin dyngjyrësh dhe serbatorin e madh plot 19 litra, të jep idenë se është më i rëndi i familjes (i tillë rezulton dhe në letra, me 316 kilogramët e tij), por është edhe fakti tjetër, se me 17 kilogramë më pak, largohet përfundimisht nga modeli i mëparshëm dhe mbetet padyshim modeli që jep më të mirën në rrugë, duke mishëruar të gjitha cilësitë, të cilat i përmendëm në hyrje.

E shohim disi me mosbesim, ndërkohë që na pret, i qetë dhe topolak, por ai të mahnit sapo fut marshin, me një butësi të papritur dhe një zhdërvjelltësi mes kthesave, të hasur kurrë më parë në një model të këtij lloji.

Pas pak metrave, e gjen veten duke ngarë një motoçikletë me të vërtetë “të dobishme”. Shala e ulët –  680 mm – i bën të lehta manovrat në shpejtësi të ulët, ndërkohë që është e rehatshme si një kolltuk me sfungjer. Motori shtyn fuqishëm dhe timoni, edhe pse veçanërisht i lartë dhe në formë briri kau, nuk të lodh asnjëherë. Mjaft të rehatshme edhe pedalet e mëdha e të sheshta,  komod edhe pasagjeri, ndonëse vendi i shalës i rezervuar për të, nuk është veçanërisht i gjerë. Falë një shale të mirë, mund të udhëtohet për kilometra të tërë, dyshe, si të ishe mbi një Touring, por pa impenjimin dhe voluminozitetin e një Touring-u. Nuk mungon pajisja cruise control, rrotat 16 inç me goma të dedikuara Dunlop, feneri LED, si dhe një super moment përdredhës 161 Nm në 3.000 xhiro.

Në qoftë se dëshironi ta përdorni për xhiron e së dielës, falë një sistemi të shpejtë zbërthimi, pa qenë nevoja e përdorimit të ndonjë mjeti tjetër, xhami i përparmë mund të hiqet, e kështu mund të shijohet era në fytyrë. Edhe këtu, duke pasur parasysh përmirësimet në shasi, e cila të fton për qejf, si dhe motorin “e ekzagjeruar”, ndjehet mungesa e një sistemi më të mirë frenimi me dy disqe. Sidoqoftë, ky model, ndër motoçikletat që u provuan, është padyshim i preferuari. Të jetë vallë mosha që ecën e që kërkon komoditet e siguri?

Janë të shumta opsionet e ngjyrave në dispozicion: Vivid Black, Twisted Cherry, Silver Fortune, Olive Gold/Balck Tempest, Industrial Gray Denim/Black Denim, Red Iron Denim e Legend Blue/Vivid Black Anniversario(dy të fundit vetëm për versionin 114).

Çmimet fillojnë nga 23.000 Euro dhe shkojnë deri në 26.400 për versionin 114 me ngjyrat e veçanta.

Fat Bob 114, “agresivi”

I fundit por jo më pak i rëndësishmi, përkundrazi, mbase motoçikleta e familjes Softail 2018, e cila nxjerr më tepër në pah, dëshirën për rinovim, është “i egri” Fat Bob: mes të gjitha modeleve, është ai që pëlqen më tepër përkuljen në kthesë. Rrezja nga toka është më mirë se tek modelet e tjerë, në sajë të pozicionimit më të lartë të pedaleve, të cilat nuk do ishte keq po të ishin pak centimetra më poshtë, në mënyrë që qëndrimi mbi motoçikletë të bëhej më tepër agresiv e sportiv. Timoni është një dragbar si tek modeli Breakout dhe drejtimi është po aq sfidues, edhe pse më pak i lodhshëm, falë zhdërvjelltësisë më të madhe në ndryshimin e drejtimit dhe peshës, vërtetë jo të vogël (296 kilogramë, 15 kilogramë më pak se modeli i mëparshëm), por të ekuilibruar mjaft mirë. Edhe shala, disa centimetra më e lartë (71 nga toka), ndihmon jo pak gjatë drejtimit, duke e bërë edhe më sportiv.

Motori 114 është ai që i shkon për shtat, dhe më në fund këtu gjejmë edhe diskun e dyfishtë përpara, i gatshëm të ndalojë vrullin e modelit të ri Fat Bob, i cili nga podiumi lë të kuptohet e gjithë forca e tij: serbator i vogël, me grafikë moderne dhe ngjyra mat, fener mjaft i veçantë LED, pirun me maja poshtë prej 43 mm, marmitë me fund të dyfishtë, e ngritur pak lart. Rrotat 16 inç, janë të pajisura me gomat 150 mm përpara dhe 180 pas.

Si në të gjithë modelet e rinj Softail, edhe Fat Bob, befason me lehtësinë e manovrimit, mungesën e dridhjeve dhe komfortin e suspensioneve: asnjë goditje nuk ndihet në pjesën e pasme dhe një pirun që ndjek trajektoren dhe e ruan atë pa hezitim. Vetëm një vërejtje: nëpër kthesa, drejtimi është gjithë lezet, duke qenë se motoçikletës i pëlqen shtytja me duart mbi timon, por për ta futur në kthesë, është i këshillueshëm korrigjimi me frenat e pasme: të përparmit, disi më të fortë se tek modelet e tjerë, falë diskut të dyfishtë, kanë prirje ta drejtojnë motoçikletën e si rrjedhim, edhe kthesën.

 

Fat Bob ka shumë për të treguar, si në pamjen e jashtme, edhe gjatë drejtimit në rrugë.

Edhe për këtë model, ngjyrat janë pesë: klasikja Vivid Black, Black Denim, Red Iron Denim, Bonneville Salt Denim dhe Industrial Gray Denim, vetëm për versionin 114.

Çmimet? Fillojnë nga 18.000 euro për Vivid Black 107, deri sa arrijnë në 20.300 euro për 114 me ngjyra të veçanta.

 

ANË POZITIVE DHE ANË NEGATIVE

  • Shasia e re si dhe skeleti i ri, sjellin komfort dhe lirshmëri. Motorët 107 dhe 114 janë të fuqishëm dhe linear.
  • Në disa modele, ndihet mungesa e diskut të dyfishtë përpara.
- Advertisement -

More articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisement -

Latest article

ETEC 2022/ Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë

Uniforma Zyrtare e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) që do të zhvillohet më 24-27 Shtator...

ETEC 2022/ Shqipëria në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore

Këtë fundjavë do të jemi në Zadar të Kroacisë në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC) për të promovuar #SigurinëRrugore te fëmijët. Shqipëria do të përfaqësohet...

ACA organizon për herë të parë “Digital Motorsport Cup”

Auto Club Albania do të organizojë për herë të parë Digital Motorsport Cup, një event që është risi në vendin tonë. Kompeticioni do të...

Cross Car në Shqipëri, ndiqni specialen në TV Klan

Në emisionin e radhës “Jo vetëm modë” në Tv Klan i është kushtuar një kronikë speciale pilotit kampion të Kampionatit Kombëtar të Kartingut 2020,...

Auto Club Albania prezanton disiplinën më të re në motorsportin shqiptar, Cross Car

Jeni gati për adrenalinë, spektakël dhe risi?! Automobile Club Albania prezanton një disiplinë të re garash që i shtohet motorsportit në Shqipëri. Bëhet fjalë...