AutoClub

NJË SUV ËNDRRASH

Në verën e nxehtë të Vairanos, kupton se ëndrrat materializohen dhe bëhen realitet. Kjo është ajo që ndodhi me Tonale, premtimi i fundit i kompanisë italiane. Makina vendosi për herë të parë gomat në pistë dhe pëshpëriti si një profet mekanik i fragmentuar për të ardhmen

Ne kishim një ëndërr. Që Alfa Romeo Tonale të mos ishte vetëm një kopje e stilit, por një makinë e vërtetë, në gjendje që të transferojë dinamizmin e linjave të saj nga ekspozimi në një sallon automjetesh, në asfaltin e botës reale. Një ëndërr e përbashkët, ndoshta e ndikuar kimikisht si në filmin “Fillimi” të Christopher Nolan. Dhe si në filmin e 2010-ës, edhe në ëndrrën tonë kemi tentuar të vjedhim sekrete, si ato që shqetësojnë versionin e SUV-it mesatar që po prodhon kompania italiane që mesa duket do të jetë gati në mesin e vitit 2021. Kjo është arsyeja që kemi tërhequr brenda ëndrrës personazhe të tjerë, përkatësisht tre dizajnues të qendrës së stilit të Fiat Chrysler Automobiles dhe disa “spiunë” që nuk mund t’ia zbulojmë identitetin. Me ata u takuam në hijen e një garazhi nëntokësor, ashtu si në një tjetër film të famshëm, “Të gjithë njerëzit e presidentit” (1976), të regjisorit Alan Pakula.

Por, këtu po flasim për makina dhe jo për kinema. Më në fund, me gomat në pistën tonë të Vairanos, kjo po lëviz për herë të parë (kujdes, nuk është një përshtypje për sa i përket drejtimit, konceptet lëvizin ngadalë). Por, është një makinë me “gërmë” të madhe që sjell në rrugë të gjithë peshën e pasur të traditës, të bashkuar me një delikatesë të linjave që vetëm automjete të tilla arrijnë ta shfaqin. Dhe ne që shohim shumë automjete, ju sigurojmë që si kjo lindin 1 në 100. Thuhet se për të krijuar një ide sexy, duhet të jenë të gjitha të mira. Duket se në qendrën e stilimit në Torino, ia kanë dalë që të ruajnë një identitet thelbësor mes makinës së shfaqur në Sallonin e Gjenevës dhe versionit në seri, ashtu siç shpjegon Enrico Gobetto, protagonisti ynë i parë në ëndërr. Enrico është i kualifikuar si kreu i operacioneve duke pasur mbikëqyrjen e Përgjegjësit të Dizajnit të Jashtëm, Alessandro Maccolini, koordinimin e Drejtorit të Stilit, Scott Kruger dhe Drejtorit të Dizajnit të Grupit, Klaus Busse. “Pak gjëra do të ndryshojnë në versionin përfundimtar. Tavani pak më i lartë, fenerët pak më të hollë për shkak të kërkesave të homologimit, ndërsa ka pasqyra në vend të kamerave të pasme. Fenerët qëndrojnë me tre pjesë, një përzgjedhje e SZ/RZ dhe 159/Brera/Spider”, thotë Gobetto.

NGA GREQIA ME PASION

Në fakt, modeli Tonale tërhiqet shumë nga tradita e Alfa-s, por pa rrëshqitur në retro. Është e mbushur plot me citime, por arrin të jetë e freskët dhe moderne. Kjo është meritë e frymëzimit të ftuarit tonë të dytë, Alexandros Liokis, një i ri grek i dashuruar me kompaninë e “Biscione” që ka firmosur skicat e para të veturës nën mbikëqyrjen e Maccolini, i cili gjithmonë ka punuar për njohjen e markës, dhe jo për nostalgjinë.

Kur mbërrin Alex, gjëja e parë që bie në sy është bluza e tij me një stemë gjigande të V6 Busso. Të pagabueshëm tubat e aspirimit të kromuar, të cilat çdo alfist i thekuar si ai, i ka ëndërruar. Gjëja e dytë që bie në sy është tatuazhi në muskulin e krahut të djathtë, një stemë e Ciroën DS. “Ishte makina ime e parë e cilësisë së mirë”, thotë Liokis me një buzëqeshje të butë dhe zë të qetë.

Liokis ka të gjitha shenjat e një të sëmuri pas motorëve. Një obsesion i transformuar në profesion. Por, historia e tij është edhe më e veçantë. Më parë, ky djalë lyente makina. Dhe së bashku me vëllain e tij, udhëtonin nëpër Greqi duke kërkuar skrap për të mbijetuar. Kështu lindi gjithçka. Më pas vjen instinkti për të dizajnuar dhe ideja për t’u transferuar në Itali duke tentuar të nisë karrierën si stilist në Ied në Torino. Pika e kthesës vjen në 2013-ën me projektin e tij Alfa Romeo Gloria i zgjedhur nga institucioni për t’u ekspozuar në Sallonin e Gjenevës. Aty ku e pikasi Lorenzo Ramaciotti që në atë kohë ishte Drejtori i Stilit në Grupin FCA dhe e dëshironte Liokis me vete.

Në format e modelit Tonale dallojnë reminishencat e karrocerisë larg atyre SUV, nga GT te SZ, duke kaluar nëpër referenca të tjera ilustruese si Giulietta SS, nga e cila vjen edhe projeksioni i fortë përpara në majën e kofanos, duke dalë përpara nga pjesa e poshtme. Dhe pastaj ka një tjetër pjesë klasike, dritarja mbrapa që mbyllet në formë “V”, e cila është përdorur te 8C 2900B në 1937-ën dhe është rikthyer te Brera.

Paraqitjet e së shkuarës të filtruara edhe nga eksperienca e së tashmes, vazhdojnë edhe në brendësi, ku mbi të gjitha duket puna e Daniele Zanrei që mbyll treshen. Këtu rikthehet konfigurimi binokular i orkestrimit që kaq shumë alfistë kanë pasur para syve të tyre gjatë dekadave. Në kabinë ka karakteristika që nuk ndryshojnë siç janë ekranet në tubat e ajrit që tregojnë temperaturën, ose hapësira në timon që duket si një grup muskulor dhe që në dritën e pasme pulsuese, të kujton funksionimin e zemrës. Por, pavarësisht sugjerimeve të Sallonit, janë elementë të ndryshëm që do të jenë në modelin Tonale në seri. Siç është monitori lëvizës në pjesën qendrore, që me konfigurimin e ri, parashikon një sistem të papërdorur deri tani, në krahasim me atë të Giulia dhe Stelvio. Do të ketë gjithashtu edhe opsionin me prekje, por që do të qëndrojë ngjitur edhe me një çelës të tipit iDrive, i preferuar kur drejtoni makinën. Një tjetër risi është çelësi Dna ose e-Dna, duke pasur parasysh që do të ketë një mënyrë ekskluzive elektrike, e hequr nga hapësira përpara dhe e spostuar afër timonit, duke qenë brenda hapësirës së nevojshme gjatë drejtimit të makinës.

Janë sërish disa pyetje të hapura gjatë takimit tonë për të gjetur kufirin mes ëndrrën dhe realitetit. Si ajo për sa i përket përmasave. “Ia kemi dalë ti qëndrojmë besnikë edhe në modelin e prodhimit”, pohon me një kënaqësi të fshehur Enrico Gobetto.

PO ÇFARË KA POSHTË SAJ?

Argumenti zhvendoset në një aspekt delikat, ai në lidhje me platformën ku është realizuar modeli Tonale. Kjo është ajo që po kërkojnë fansat. Por, në këtë nivel ëndrrash, nuk jemi në gjendje që të gjejmë një përgjigje. Si në filmin “Fillimi”, është e nevojshme të shkosh më thellë, të flesh, të ëndërrosh dhe më pas të zgjohesh në një garazh nëntokësor. Burimet tona të mirinformuara jashtë grupit, në mënyrë të përmbledhur deklarojnë se do të presim atë çfarë të gjithë kanë parë te filmi “Të gjithë njerëzit e presidentit”: “ndiq paratë”. Dhe paratë na dërgojnë në një arkitekturë të ndërlikuar si faqja Mirafiori. Është një labirint. Përfundojmë në korridoret e markës Alfa. Këtu, ndonjëherë diskurset shpëtojnë, por thelbi është se me modelin Tonale, ata janë të vendosur për të realizuar një Alfa të vërtetë, e denjë si Giulia dhe Stelvio. Ose kështu, ose asgjë.

Po paratë pse hyjnë këtu? Eh, ato hyjnë gjithmonë kur ndërtohet një “çështje biznesi”, pasi bëjnë së bashku kostot e realizimit të një veture, fashën hipotetike të çmimit dhe vëllimin e prodhimit të dëshiruar. Një ekuilibër që është në gjendje të ndikojë zgjedhjet teknike. Në fund, çdo automjet që drejtojmë është fryt i një kompromisi të pranueshëm mes këtyre tre elementeve dhe dëshirave të përgjegjësve të projektit ose të markës, e cila si ne, i pëlqen të ëndërrojë. Gjithashtu, janë edhe kufizimet e shpenzimeve të imponuara nga financat, të cilat nuk ëndërrojnë asnjëherë, por qëndrojnë me këmbë në tokë të përbërë nga numra të ftohtë. Prandaj, duke mos qenë në gjendje që të përfshijmë në nivelin më të thellë të ëndrrës ata që mbajnë lidhëset e çantës, të padepërtueshëm nga joshjet e subkoshiencës, mbetet e hapur dilema se cilës skemë do ti përshtatet modeli Tonale. Zgjidhjes më të kushtueshme të platformës Giorgio, asaj të Giulia dhe Stelvio, ose një krijimi me motor transversal, që ndër të tjera e përdorin edhe konkurrentet e mësuara zakonisht me gomat aktive mbrapa siç janë BMW dhe Mercedes, me modelet e tyre X1/X2 dhe GLA. Ndoshta është më mirë që të përqendrohemi diku tjetër, për shembull te aspekti motorik ku nuk mungojnë surprizat.

LAMTUMIRË NAFTËS DHE…

Fillimisht, mungon plotësisht nafta. Ju do thoni që është një zgjedhje kurajoze. Sigurisht, duke parë të dhënat e tregut që ky element ka në Itali. Por, është e nevojshme të kemi parasysh që në shtetet e tjera të Evropës, rënia është më e shpejtë. Heqja dorë nga nafta mund të mos jetë aq absurde duke pasur parasysh rënien e kërkesës dhe faktin e përmbushjes së objektivave të reja evropianë të CO2 në 2021-in, me kostot që do të vijnë me homologimin e motorëve me naftë. Kështu, do të kishte elementë të mjaftueshëm për ta bërë Tonale-n një nga Alfa-t më të guximshme të të gjitha kohërave. Por, nuk është gjithçka këtu, pasi disa zëra në ëndrrën tonë kanë inskenuar diçka tjetër. Dhe ai fërkim i gjarprit në dritën e tretë anësore që ndriçon kur prototipi është në karikim, nuk sinjalizon vetëm që Tonale do të jetë edhe plug-in, por mund të aludohet mundësia se të gjithë serisë do ti përshtatet ekskluzivisht kjo zgjidhje. Dhe kjo do të denonconte dëshirën e natyrës teknike për të mos pasur variante të dy rrotave aktive që është veçanërisht prioritet nëse këto të dyja janë përpara. Për të mos përmendur që i vetmi hibrid i disponueshëm së shpejti është ai me një motor transversal që do të debutojë në Jeep Renegade dhe Compass, me njësinë elektrike që menaxhon boshtin e pasëm. Phev me shtytje gjatësore e destinuar për Giulia, Stelvio dhe Maserati nuk do të jetë gati para dy vitesh. Detaje interesante, mbi të cilat të gjithë mund të ndërtojnë argumentet e tyre.

Një gjë është e sigurtë: Tonale është pjesa e tretë e një seria Alfa të rilindur mbi baza të reja. Për të mos u gabuar, ky është një model tepër delikat. Mund të konfirmohet një imazh që po rindërtohet ngadalë. Në disa mënyrë jemi të sigurt dhe e themi këtë me zemër, por edhe me kokë, që versioni në seri do të mbajë premtimet dinamike që trupi i tij parashikon. Jemi në ëndërr apo jemi zgjuar? Për ta mësuar, është e nevojshme për të rrotulluar majën e drurit siç bënte Leonardo DiCaprio në filmin e Nolan. Rreziku është se ajo do të ndalojë së rrotulluari vetëm në 2021-in kur të prezantohet modeli Tonale. Tani, të gjithë zgjuar dhe me sytë të hapur mirë.

ALEXANDROS LIOKIS DHE SHËNIMET

KUR LAPSI ËSHTË I KULTURUAR

Modeli Tonale nuk ka precedentë në historinë e Alfa-s. Dhe për këtë, dizajnuesi i ri Alexandros Liokis (në foton poshtë), ndjeu nevojën për ta lidhur atë me traditën. Referenca më e rëndësishme është linja e mesit me hark e GT (1963) me pjesën përpara të ngritur dhe bishtin që vjen në zbritje. Një temë e realizuar edhe nga dueti “kockë deti”(1966) me tensionin anësor të Disco Volante (1952). Edhe mbrapa nuk mungojnë reminishencat. Nëse feneri me një skemë me tre llamba quhet Brera (2005) dhe SZ (1989), pjesa përpara të kujton modelin shumë të dashur 164 (1987), sportiven GTV (1995) dhe konceptin Protèo (1991).

BRENDA DETAJEVE

NGA IDEJA TE REALITETI

Fenerët me tre llamba padyshim që nuk janë një risi për Alfa-n. Modeli Tonale që e ekspozon ndriçimin si përpara ashtu edhe mbrapa, e trashëgon atë nga një markë sportive e firmosur nga Zagato, SZ, dhe nga familja më e fundit 159/Brera/Spider e 2005-ës.

BRENDA

KJO PREKJE SI MOTOÇIKLIST

Si me çdo Alfa të respektuar, edhe te Tonale, kabina është imagjinuar si një figurë gjeometrike që gjen qendrën e saj të gravitetit në sediljen e shoferit. Kjo është ajo ku ju përmbushni gjithçka, në këtë pjesë hapësire mes sediljes dhe timonit ku ulet shoferi dhe ka përpara pamjen e rrugës. Ndër arkitektët e ndarjes së pasagjerëve në kabinë është Daniele Zanrei (në foto), projektues me eksperiencë i pjesëve të brendshme. Me mjekrën e ngurtë, ajrin e pastër dhe pak i ngathët, Daniele zbriti nga Appeninet e Piaçencëz, i ulur në motorin e tij që e kishte në gjak. Është një tip “kushëriri” me motorin me dy rrota, i përqendruar te energjia me rreze të lirë dhe ikonoklastike. Për makinën nuk dëshiron shumë të dëgjojë të flitet. “Kur më dërguan te Maserati, ata më pyetën nëse më pëlqenin makinat e tyre. Dhe unë u përgjigja: ‘jo’. Dhe në fund ishte ajo që donin të dëgjonin, pasi kërkonin njerëz që të ishin në gjendje të rigjallëronin markën”, tregon Daniele për netët e kaluara duke përhapur “nabuk” me dorë në sediljet e Tonale-s. “Herën e fundit kam punuar trembëdhjetë orë me radhë dhe nuk doja të dija asgjë deri sa makina të ekspozohej në Sallon”. Detaji për të cilin jeni më krenar? “Daljet e ajrit mbrapa. I projektova si daljet e një motori”. I çmendur…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *