AutoClub

Fund dilemës, ligjërohen “xhamat e errësuar”

Miratohet certifikimi i “xhamave të zinj”. Ja udhëzimet për përdoruesit e makinave dhe serviset. Zbardhen pagesat dhe detajet e vendimit më të fundit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë   

Xhamat e zinj janë origjinalë të makinës apo i ke vendosur vet? Kjo ka qenë pyetja që ka shqetësuar pa fund drejtuesit e mjeteve, policët rrugorë apo të rendit, qytetarët dhe të gjitha ata që u interesonte kjo çështje. Dilema dhe pyetje për një fenomen që u përhap shpejt dhe në masë të konsiderueshme në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. Por, me miratimin më të fundit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dilema merr fund dhe gjithçka hyn në rrugë ligjore. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor propozoi rregullimin nënligjor duke i krijuar mundësinë të gjithë atyre që dëshirojnë të errësojnë xhamat e makinave.

Udhëzimi  

“Nga 31 Tetori 2019, e drejta për të errësuar xhamat e autoveturave është zyrtarizuar dhe do bazohet mbi kritere cilësie e sigurie në përputhje me dispozitat ndërkombëtare. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor propozoi rregullimin nënligjor dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë miratoi Udhëzimin Nr. 5, dt. 07.10.2019 ‘Për miratimin dhe certifikimin e xhamave të errësuar me materiale të fabrikuara dhe të homologuara nga prodhuesi, për përdorimin e tyre në autovetura’. DPSHTRR ka hartuar rregulloren përkatëse të shërbimit më të ri, e cila është e pasqyruar edhe në faqen zyrtare: www.dpshtrr.gov.al. Një xham konsiderohet që është i errësuar nëse Tejçueshmëria e Dritës (TD) është më pak se 70%! Me errësim të xhamit kuptojmë përdorimin e materialeve errësuese, por që vlera/niveli i errësimit në përqindje (%) përfshin totalin, së bashku, të xhamit origjinal dhe materialit errësues!Nuk lejohet errësimi i xhamit të përparmë ballor të mjetit. Përjashtimisht, lejohet ulja e tejçueshmërisë së dritës (TD) në xhamin e përparmë ballor vetëm në pjesën e sipërme, në një shirit gjatësor, gjerësia e të cilit është deri në 125mm. Për xhamat e përparmë anësorë, të drejtuesit të mjetit dhe pasagjerit, parashikohet nivel tejçueshmërie drite (TD) jo më pak se 50%! Duhet pasur parasysh që errësimi që ka xhami origjinal së bashku me materialin errësues të mos e kalojnë nivelin e 50% errësim! Errësimi i xhamave të përparmë anësor tarifohet me vlerën 20,000 Lekë për të dy xhamat (përveç tarifës prej 1,500 Lekë të certifikatës së miratimit për këtë shërbim). Për xhamat e pasmë anësorë dhe xhamin fundor, tejçueshmëria e dritës (TD) mund të jetë nga 10% deri në 70%, me kushtin që të mos cënohet sistemi i shikimit prapa sipas parashikimit të gërmës “f”, të pikës 1, të nenit 72 të Kodit Rrugor”, thuhet në njoftimin e DPSHTRR-së. “Nuk është e nevojshme pajisja me certifikatë miratimi nga DPSHTRR për: Grilat që janë pjesë konstruktive e autoveturës; Xhama të errët të homologuar nga prodhuesi i xhamave dhe që kanë shenjën e miratimit të tipit KE (përjashtuar rastet e parashikuara më sipër); Xhama jo të errët, të cilëve u është aplikuar material, por nuk e kalojnë nivelin e errësimit prej 30% (TD jo më pak se 70%). Nuk lejohet që për errësimin e xhamave të përdoren: 1.Materiale me ngjyra monokromatike si e kuqe, jeshile, blu, e verdhë, portokalli, etj; 2.Materiale që krijojnë efekt reflektues ose pasqyrues; 3.Materiale që bllokojnë plotësisht shikueshmërinë; 4.Materiale që krijojnë efekte turbulluese ose shpërqëndruese për shikimin e drejtuesit të mjetit; 5.Materiale që bëjnë errësimin e xhamave përmes përdorimit të lëndëve spërkatëse. Tarifat për këtë shërbim: 1.Miratimi i errësimit për xhamin fundor, xhamat anësorë të pasmë, xhamat trekëndorë të pasmë të autoveturës – 1,500 Lekë. 2.Miratimi i errësimit për xhamat anësorë të përparmë të autoveturës – 20,000 Lekë. Certifikata e miratimit të errësimit të xhamave të autoveturës – 1,500 Lekë.

Udhëzim për serviset

Subjektet që kryejnë errësimin e xhamave me materiale të homologuara duhet të disponojnë licencë për kategorinë VII.3.B.1/b. Këto subjekte duhet të lëshojnë garancinë për materialet e përdorura dhe punimet e kryera.Pas errësimit të xhamave me materiale errësuese (film ose veshje plastike) të homologuara nga prodhuesi i tyre, subjekti që ka kryer shërbimin lëshon nën përgjegjësinë e tij:1.Faturën me TVSH të lëshuar nga subjekti që ka kryer shërbimin. 2.Fletë garanci për materialin errësues për periudhën e kohëzgjatjes në xhamin e mjetit deri sa materiali të bëhet i pavlefshëm (dëmtohet) nëse punimi është kryer nga subjekti ku ju po tërhiqni këtë dokument. 3.Dokumentin në të cilën identifikohet qartë targa, marka dhe modeli i mjetit si dhe lloji i materialit errësues sipas certifikatës së lëshuar nga prodhuesi që subjekti administron (dokumentin DSM-01 do të mund ta shkarkoni së shpejti nga faqja). Për materialet errësuese në përdorim, në cilësinë e përfaqësuesit ose jo, subjektet duhet të disponojnë certifikatën e lëshuar nga prodhuesi i materialit errësues. Sasia e materialit errësues të përdorur dhe të materialit gjendje do të jetë objekt i rëndësishëm i kontrollit të ushtruar nga Task Forca e Transportit Rrugor.

DREJT MJETEVE GREEN!

Nga Nëntori 2019, DPSHTRR do të rimbursojë çdo tarifë të regjistrimit për herë të parë për mjetet elektrike dhe plug-in dhe do të zerohen tarifat duke i kursyer qytetarëve: 1.Kontrolli Fizik – 1,500 lekë. 2.Leje Qarkullimi Kombëtare – 1,000 lekë. 3.Targat standarde – 3,000 lekë. 4.Certifikatë pronësie – 2,000 lekë. Në total 7,500 lekë të reja për çdo mjet “green” do të mbulohet nga DPSHTRR. “Nisma bazohet në VKM nr. 412, dt. 19.06.2019 “Për Planin Kombëtar për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit” që adreson cilësinë e ajrit si një ndër çështjet mjedisore më kritike, që ka të bëjë me administratorët lokalë dhe autoritetet qendrore, si dhe prek jetën e përditshme të çdo qytetari. DPSHTRR bëhet kështu një ent promotor dhe protagonist edhe për risi konkrete për mbrojtjen e mjedisit dhe cilësisë së ajrit, uljen e ndotjes mes nxitjes së regjistrimit të mjeteve ‘green’ nga qytetarët si edhe ndërgjegjësimit për gjeneratat e së tashmes dhe së ardhmes”, bëhet e ditur në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

RETRO

“Peaks of the Adriatic” vizitojnë Shkodrën! Në datat 20-21 Shtator 2019, mbi 35 mjete të huaja historike zbarkuan në qytetin e Shkodrës gjatë udhëtimit të planifikuar në 7 shtete (Itali, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, Mali i Zi, Shqipëri, Maqedonia e Veriut dhe Greqi), si pjesë e “Peaks of the Adriatic”. Atmosfera festive me muzikë të viteve ’50 dhe ekspozimi i mjeteve historike nga koleksionistët e huaj, zgjuan interesin e qytetarëve shkodranë dhe turistëve për të shijuar nga afër historinë e automotorizimit dhe për ta vazhduar mbrëmjen deri në orët e vona. Retro që është pjesë e DPSHTRR-së ka nisur udhëtimin në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, duke promovuar vlerat e koleksionit shqiptar të mjeteve historike si një trashëgimi që duhet admiruar, ndërsa ka sjellë festën pranë qytetarëve nëpërmjet muzikës së mirë dhe targave suvenir aq të pëlqyera e të kërkuara nga publiku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *